Në historinë politike të shqiptarëve, rrallëherë është artikuluar një projekt kombëtar me aq qartësi, vetëdije dhe vendosmëri sa Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 10 qershor 1878. Kjo ngjarje përbën jo vetëm një akt rezistence ndaj copëtimit territorial, por një projekt të mirëfilltë strategjik për organizimin dhe shpëtimin e kombit shqiptar. Ky shkrim argumenton se ideja themelore e Lidhjes ;bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm ,është dhe mbetet ideja e vetme shpëtimtare për të ardhmen e kombit shqiptar. Në një kontekst ku shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të ndarë në pesë njësi shtetërore, pa një qendër të përbashkët vendimmarrëse, rikthimi i kësaj ideje është një nevojë ekzistenciale.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit u formua në përgjigje të vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), ku tokat shqiptare u trajtuan si pronë e ndarë midis fuqive ballkanike. Brenda një hapësire të shkurtër kohore, shqiptarët organizuan një strukturë përfaqësuese me karakter kombëtar, për të kundërshtuar me mjete politike dhe ushtarake ndarjen e territoreve shqiptare ndërmjet Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Lidhja artikuloi qartë synimin e saj: bashkimin e të gjitha vilajeteve shqiptare në një entitet të vetëm autonom brenda Perandorisë Osmane , si hap i parë drejt vetëvendosjes së plotë.Kjo qasje nuk ishte thjesht reagim, por shfaqje e një vetëdije të re politike shqiptare, e cila shihte në organizimin kombëtar parakushtin e ekzistencës politike. Për herë të parë, shqiptarët vepruan si njësi kombëtare, dhe jo si vilajete të ndara apo si identitete krahinore.
Në thelb, ideja e Lidhjes trumbetoi se : kombet që nuk janë të bashkuara , zhduken, përthithen ose sundohen. Shekujt që pasuan e vërtetuan këtë. Copëtimi i trojeve shqiptare nga 1878 deri në 1913 u pasua nga një shekull nën okupim, persekutim dhe asimilim të heshtur. Vetë shteti shqiptar i shpallur më 1912 ishte një miniaturë territoriale, ku pjesa më e madhe e trungut etnik shqiptar mbeti jashtë kufijve të tij.
Asnjë projekt tjetër shqiptar ; as “kombi civil” i tranzicionit pas-komunist, as integrimi euroatlantik, as retorika e dy shteteve shqiptare në bashkëpunim nuk kanë pasur potencialin ose vullnetin për ta zgjidhur çështjen themelore: ndarjen e pa drejtë të kombit shqiptar dhe mosrealizimin e bashkimit të tij!
Në këtë kuptim, Lidhja e Prizrenit nuk duhet kujtuar si ngjarje e mbyllur historike, por si ide e papërfunduar. Një projekt i ndërprerë dhunshëm nga fuqitë e kohës, që ende sot mbetet i vetmi projekt me fuqi për ta ndërtuar një realitet të drejtë për shqiptarët.
Copëtimi i kombit shqiptar ka prodhuar pasoja të shumta: mungesë të një strategjie të përbashkët kombëtare; varësi politike dhe ekonomike nga të huajt; asimilim kulturor në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës; krizë të përfaqësimit në instancat ndërkombëtare; dhe më e rëndësishmja , mungesë të një qendre unifikuese që e mbron interesin kombëtar.
Sot kemi një Shqipëri të orientuar më shumë drejt axhendave ndërkombëtare sesa interesave kombëtare; një Kosovë të kufizuar në sovranitet dhe pa të drejtë për bashkim kushtetues me Shqipërinë; një tokë shqiptare të nëpërkëmbur brenda të ashtuquajturës Maqedoni e Veriut, Luginën dhe Sanxhakun të robëruar nga Serbia, Çamerinë e pastruar etnikisht brenda Greqisë dhe një diasporë që, ndonëse po zhvillohet ekonomikisht, mbetet e paorganizuar politikisht. Këto janë pasoja direkte të dështimit për ta realizuar idealin e Lidhjes.
Një nga keqkuptimet e zakonshme është të konsiderohet se integrimi në strukturat euroatlantike do ta zgjidhë çështjen shqiptare. BE dhe NATO nuk janë instrumente bashkimi kombëtar ato janë struktura bashkëpunimi shtetëror. Shqiptarët janë sot të shpërndarë në disa shtete që nuk ndajnë as qëllime të përbashkëta politike, as axhenda ekonomike të koordinuara.
Prandaj, ideja e Lidhjes ofron një model alternativ, atë të organizimit të brendshëm kombëtar përtej kufijve artificialë, duke ndërtuar një fuqi politike të unifikuar që mund të veprojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të bashkërenduar. Bashkimi kombëtar nuk është një çështje nacionalizmi primitiv, por është kusht për stabilitet, përparim dhe respekt ndërkombëtar.
Rikthimi i Lidhjes si Program Kombëtar
Rikthimi i mendimit strategjik të Lidhjes nuk nënkupton kthim në romantizëm, por përdorim të vizionit të saj në mënyrë të përditësuar dhe efektive. Ky rikthim duhet të përfshijë:
1)Riorganizimin e faktorit politik shqiptar në të gjitha trojet etnike në një bosht të përbashkët vendimmarrjeje.
2)Krijimin e një programi shtetëror për bashkëpunim institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim përfundimtar bashkimin kushtetues.
3)Përfshirjen e diasporës si faktor strategjik, jo vetëm ekonomik.
4)Ndërtimin e një doktrine kombëtare të sigurisë dhe arsimit, që synon afirmimin e identitetit të përbashkët shqiptar.
Vetëm përmes kësaj riorganizimi mund të ndërtohet një shtet shqiptar i përbashkët, i cili do të ishte kontributor jo vetëm për interesin tonë, por edhe për paqen e qëndrueshme në rajon.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk duhët të mbetet thjesht një moment historik , në kohën kur ajo është një ide e përhershme. Një projekt i papërfunduar që pret zgjimin e një brezi me vetëdije, kurajë dhe përkushtim kombëtar. Në këtë botë ku kombet e vegjël mbijetojnë vetëm nëse janë të organizuar dhe të bashkuar, vetëm realizimi i bashkimit kombëtar shqiptar ashtu siç e përfytyroi Lidhja , mund ta garantojë lirinë, dinjitetin dhe përparimin tonë.
Nëse nuk e ndjekim këtë rrugë, historia do të na dënojë për tradhti, për harrim, për dorëzim dhe për amulli kombëtare. Ndaj, rikthimi i idesë së Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe jetësimi i programit të bashkimit nuk ka të bëjë me nostalgjinë për paraardhësit por është ndërgjegje dhe mision kombëtar kolektiv dhe individual për çdo shqiptar!