A jemi popull i çudirave që po e shkatërrojmë vetveten?!

Opinione

A jemi popull i çudirave që po e shkatërrojmë vetveten?!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 12 qershor 2025 Në ora: 16:35
Autori Ismail Muçiqi

Dështim pas dështimi – në të gjitha sferat e jetës, nga politika deri te planifikimi hapësinor. Inatet, energjia negative, lajmet sensacionale në mediat tona kanë depërtuar thellë në çdo pore të jetës në Kosovë. Dështimi për konstituimin e Parlamentit të Republikës së Kosovës ka ndodhur plot 29 herë, gjë që nuk është parë asnjëherë në ndonjë shtet tjetër të botës. Ky fakt, i turpshëm për Kosovën, rrezikon të hyjë në Librin e Ginisit – si shembull i paaftësisë politike, ku partitë, për shkak të interesave, inateve dhe etjes për pushtet, po e bllokojnë funksionimin e shtetit më të ri të Evropës.

Këtë bllokadë po e bëjnë vetë deputetët shqiptarë – ata që në emër të popullit morën votën, por në realitet ia kanë “lidhur duart” këtij populli. A jemi vërtet popull i çudirave, që nuk arrijmë të vetëdijesohemi për të marrë fatin në dorë, për të zhvilluar vendin, për të ndërtuar ekonominë, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin shtetëror? Politikat e verbra partiake po e çojnë vendin drejt kaosit.

E keqja ka depërtuar thellë edhe në sektorin mediatik. Politika redaktuese e shumë mediave është degraduar skajshëm nën ndikimin e oligarkëve dhe biznesmenëve që, përmes rrugëve të dyshimta, kanë siguruar licenca për themelimin e televizioneve dhe mediave të tjera. Ato shpesh udhëhiqen nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e gazetarisë, redaktimit apo menaxhimit mediatik.

Ja një shembull i freskët: sot, Televizioni KTV edicionin informativ e nisi me lajmin sensacional për arrestimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës. Ndërkohë që sot është dita e çlirimit të Prishtinës nga forcat pushtuese serbe – një datë me rëndësi kombëtare – kjo ngjarje nuk u përmend fare në kryetituj. A është kjo mungesë profesionalizmi, mungesë vetëdijeje historike apo një tendencë politike e qëllimshme?!

Po, jemi popull i çudirave – kemi pasuri të pashfrytëzuara me miliarda tonë qymyr, por përballemi me mungesë të energjisë elektrike. Toka e Kosovës, dikur hambar drithi dhe prodhimesh bujqësore, sot po shndërrohet në betone mafioze nga ndërtues që i shkelin ligjet dhe planifikimin urban. Në vend të zhvillimit bujqësor, toka pjellore po tjetërsohet me shpejtësi për fitime të shpejta – shpesh në funksion të pastrimit të parasë.

Këto dështime nuk ndodhin vetëm në politikë apo ekonomi, por edhe në arsim, shëndetësi, kulturë, sport, madje edhe në raportet njerëzore. E mos të flasim për kriminalizimin e privatizimit të pronës shoqërore që i ndodhi Kosovës. Politika ka depërtuar deri në familje, duke na përçarë e ndarë në emër të ideologjive dhe interesave të ngushta.

Populli hesht. Është kapluar nga një molisje e rëndë – si në një gjumë të thellë. Dikur fajësonim të tjerët për mungesën e shtetit. Tani, para syve tanë, vota po keqpërdoret dhe kriminalizohet nga të ashtuquajturit deputetë të Kosovës, gazetarë “të pavarur”, analistë dhe opinionistë, të cilët vite me radhë po e helmojnë opinionin publik. Ata, bashkë me bërthamat e kalbura të partive politike të rrënjosura në demagogji, patriotizëm fals dhe retorikë boshe, po e çojnë vendin drejt dështimit.

Kjo është Kosova sot: një vend që rrezikon të hyjë në historinë e dështimeve – me 29 seanca të dështuara për konstituimin e Parlamentit dhe krijimin e institucioneve legjitime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat