LDK dhe Lumir Abdixhiku duan qeveri ‘kapexhiku’!

Opinione

LDK dhe Lumir Abdixhiku duan qeveri ‘kapexhiku’!

Nga: Rexhep Torte Më: 12 qershor 2025 Në ora: 18:15
Rexhep Torte

Kryeministri Albin Kurti e Presidentja Vjosa Osmani dëshmuan si duhet të udhëhiqet dhe të prosperojë Kosova dhe si ta mbrojë pavarësinë, integritetin e sovranitetin.

Qeveria e Unitetit që e kërkoi Lumir Abdixhiku më 12 qershor 2025 nëpërmjet publikimit të 15 pikave të propozuara, e që me siguri i ka dakorduar me PDK-në, AAK-në dhe NISMA, është e dëmshme karrieriste dhe fare e panevojshme.

Kosovës, së lirë e të pavarur, me kushtetutën e saj më demokratike në Evropë e më gjerë, nuk i nevojiten eksperimentet e opozitës të llojit “Qeveria në hije”, “Rruga drejt” apo “Qeveri e unitetit”, që i ka propozuar opozita në Kosovë për interesat e saj me të cilat kërkon të shpëtojë nga ndëshkimi për qeverisjet e saj në 20 vitet e kaluara.

Për Kosovën do të ishte shumë më e dobishme sikur LDK-ja ta kishte ngritur zërin që të zbardhet vrasja prapa shpine e Kolonelit Ahmet Krasniqi, vrasja e Komandantit të shquar të UÇK-së Sali Çekaj, vrasja e veprimtarit Haki Imeri dhe vrasjet e qindra veprimtarëve dhe aktivistëve të LDK-së, si edhe vrasja e gazetarëve për fjalën e vërtetë.

Do të ishte shumë më e dobishme që të zbardhet kush i vodhi 5 milionë euro të “ 3%” që mërgata shqiptare i dërgoi për UÇK-në. Do të ishte shumë më e dobishme të rikthehet fryma e Dr.Ibrahim Rugovës në LDK, fryma që e mahniti botën demokratike, por që pamëshishëm e shuajti, akademiku munafiku Isa Mustafa, e që LDK-ja në vend që ta ndëshkojë Isa Mustafën e ka shpallur kryetar nderi të saj, dhe që po ky Isa Mustafë i mban dizgjinat e qerres së LDK-së.

Do të ishte shumë më e dobishme që të zbardhen të gjitha rastet e korrupsionit nga funksionarët e LDK-së, dhe të kërkohet me ngulm ç’kapja e Prokurorisë, Gjyqësisë, dhe e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga sekserët që i kanë ngulitur PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e NISMA, në mënyrë që institucionet e Kosovës të punojnë lirisht dhe pa pengesa.

Lumir Abdixhiku- kryetari i LDK-së,më 12 qershor 2025, në Ditën e 26 Vjetorit të Çlirimit të Kosovës e publikoi planin e punës për Qeverinë e Unitetit që LDK-ja e sheh si zgjidhje për krizën aktuale politike.

Abdixhiku ka thënë se kjo s’është zgjidhja më e mirë e mundshme si kontratë e nderit mes forcave politike për ta nxjerrë vendin nga kriza.

-O Lumir Abdixhiku, o LDK, oj opozitë mjerane,edhe pulat e kotecit edhe zogjtë e malit tani i kanë kuptuar lojrat dhe marifetet e LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, për t’u rikthyer në Qeverinë e Kosovës, po e ritheksoj, jo për të mire dhe në dobi të Kosovës, por që qëllimi i tërë opozitës në Kosovë është ta shpëtojë pasurinë multimilionëshe të krijuar me hajni e korrupsion, të shpëtojë nga Vettingu,nga reformat në prokurori, gjyqësi e drejtësi, që do ta ndiqnin këtë opozitë për hajnitë dhe keqeverisjet e saj.

Qëllimi i kësaj opozite është të shpëtojë edhe nga Ligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ligj i cili opozitës ia ka futur frikën në palcë e që tashmë për të dytën herë po e dërgon në Gjykatën Kuhtetuese të Kosovës për ta zvarritur zbatimin e saj.

Qëllimi është që kjo opozitë të shpëtojë edhe nga ligji për vrasjet dhe tradhtitë që kjo opozitë i ka bërë ndaj Kosovës në 20 vitet e kaluara.

Agjenda prej 15 pikave që e publikoi LDK dhe Lumir Abdixhiku si kryetar i saj janë:

1.Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.

-Për çfarë departizmi po flisni oj opozitë, kur ju opozita jeni ata që nuk po lejoni funksionalizimin e institucioneve dhe nuk po e votoni votimin e fshehtë që është mënyra më demokratike e shprehjes së vullnetit të deputetëve për të dalë nga kjo krizë!

2. Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit.

-Ligjin për pagat opozita e dërgoi në Kushtetuese, e para dhe e dyta, ju si opozitë kthejani paratë dhe pasuritë e vjedhura Kosovës dhe me siguri që do të ketë para jo vetëm për rritjen e rrogave, por edhe për hapjen e fabrikave dhe vendeve të reja të punës si edhe për armatosjen e Kosovës edhe me helikopterë dhe avionë.

3. Pakoja emergjente për menagjimin e krizës energjetike dhe heqja e tvsh-së per çdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme.

-Po ku ishit deri sot ju opozita dhe pse nuk ndërtuat as edhe një objekt energjetik, e para, dhe e dyta kthejani paratë dhe pasuritë e vjedhura Kosovës për të ndërtuar Kosova objekte energjetike të reja!

4. Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin, por do të nis projektin dhe të dakordohemi që projekti të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja të pranverës së 2026.

-Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë shumë shumë më të aftë se ju opozita të bëjnë projekte kombëtare për gazifikimin e Kosovës, por fillimisht kthejani Kosovës paratë dhe pasuritë e vjedhura, e më pastaj po flasim e të dakordohemi!

5. Rindërtimi i raportit me BE-në dhe SHBA-në. Kthimi i besimit politik përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore është prioritet i Qeverisë së Unitetit. Do të përgatisim platformë unike nga të gjitha partitë për Dialogun me Serbinë. Ristrukturim i plotë i shërbimit diplomatik që është në kolaps të plotë pas 4 viteve të qeverisjes.

-Tërë opozita e keni shumë gabim, sepse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk kanë qenë kundër BE-së dhe SHBA-ve, por kanë qenë vetëm kundër diplomatëve matrapazë e të shitur te Seriba gjenocidale si Joseph Borrel,Mirosllav Lajçak nga BE-ja, si edhe kundër diplomatëve matrapazë Antony Blinken, Matheë Palmer, Gabriel Eskobar e James O’Nill.

-Për çfarë platformë unike të hamamit po flisni lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, kur tradhtarët Isa Mustafa e Hashim Thaçi në vitet 2013/15 në dialogun Kosovë-Serbi e nënshkruajtën Marrëveshjen për themelimin e Asociaionit serb në Kosovë!

-Për çfarë platforme të hamamit po flisni, kur Edita Tahiri-kryenegociatorja e LDK-së në dialogun Kosovë-Serbi, e firmosi përdorimin e fusnotës për Kosovën!

-Për çfarë rikonstruimi të plotë diplomatik po flisni ju opozita, mos vallë dëshironi që në diplomacinë e Kosovës ta riktheni tradhtaren Vlora Çitaku e cila kur ishte ambasadore në SHBA sëbashku me tradhtarin Hashim Thaçi, e finalizoi planin që Serbisë gjenocidale t’i jepet veriu i Kosovës së bashku me minierat e Trepçës dhe me Ligjenin e Ujmanit, që fatmirësisht këtë plan ogurzi nuk e lejoi të zbatohet Angela Merkel asokohe kancelare e Gjermanisë!

6. Brenda një shumice të tillë do t’i votonim marrëveshjet ndërkombëtare.

-Oj opozitë mjerane marrëveshjet ndërkombëtare duhej t’i kishit votuar me kohë po të ndjenit atdhedashuri e respekt ndaj ndaj dëshmorëve dhe viktimave të agresionit gjenocidal të Serbisë në Kosovë dhe ndaj popullit të Koovës, e jo që këto marrëveshje të dobishme për Kosovën t’i kushtëzoni për qëllimet t’uaja meskine!

7. Vettingu në sistemin e drejtësisë.

-Albin Kurti dhe Qeveria e tij në katër vitet e kaluara vetingun e kanë kërkuar të kryhej në Prokurori, Drejtësi, Gjyqësi dhe në tërë institucionet e tjera, ku janë të pranishëm sekserët e vendosur nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, por ishit ju opozita që e pengonit dhe e zvarritnit Vetingun!

8. Fillimi i projekteve me rëndësi jetike për Kosovën.

-Verëm një qeveri me në krye Albin Kurtin din që të hartojë dhe zbatojë me ndershmëri Projekte me rëmdësi jetike për Kosovën, premtimet tuaja si opozitë janë vetëm gjepura!

9. Do të flasim për reformën kushtetuese në funksion të stabilitetit. Do të trajtonim edhe këtë praktikë që po kalojmë, se a do të duhet të kemi ndryshime kushtetuese. Pra të bëjmë një reset kushtetues.

-Oj opozitë, Kushtetuta e Kosovës është nga më demokratiket, por nëse duhet bërë ndryshime, këtë më së miri dhe në dobi të Kosovës do ta bëjë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!

10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

-Arsimin në Kosovë më së miri di dhe duhet ta reformojnë Albin Kurti dhe Qeveria e tij, e jo opozita me sindikatat e arsimit të udhëhequra nga Rahman Jashari, të cilët të mbështetur nga ju opozita e kundërshtonin edhe verifikimin e aftësisë profesionale të arsimtarëve, që është mjeti më i dobishëm për të patur kuadro arsimore të përgatitura!

11. Përgatitja për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.

-Ju opozita po krijoni mjegullinë dhe nuk jeni të aftë për asgjë në të mirë të Kosovës!

12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

-Xhelal Sveçla dhe Maqedonci-ministri i Mbrojtjes dinë më së miri si garantohen edhe siguria edhe mbrojtja e Kosovës, por po e ripërsëris, ju opozita duhet t’ia ktheni Kosovës paratë dhe pasuritë e vjedhura që policia dhe ushria e Kosovës të jenë më të pajisura dhe më të armatosura!

13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.

-Ju opozita në Kosovë po bëni vetëm propagandë karrieriste për interesa të ngushta partiake dhe individuale!

14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.

-Hiqni dorë nga bllokada në Parlamentin e Kosovës dhe zgjedhni strukturat e Parlamentin duke i hapur rrugë krijimit të Qeverisë nga Albin Kurti, sepse në zgjedhjet e ardhshme eventuale do të pësoni debakël që nuk mundeni as ta ëndrroni!

15. Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule.

-Edhe kjo pike agjendës t’uaj fund e krye është populiste mashtruese, sepse edhe Albin Kurti edhe Qeveria e tij në katër vitet e kaluara, si edhe Presidentja Vjosa Osmani kanë dëshmuar transparencë të shkëlqyer, edhe pse për aksionet në veri të Kosovës e kanë ditur se ju opozita menjëherë do ta njoftonit Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiqin, sepse te këta të dy anti shqiptarë e mbështetni shpresën të shpëtoni nga ndëshkimi për dëmet që ia shkaktuat Kosovës!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat