Irani na ishte njëherë, një nga aleatët më të besueshëm të Rusisë. Të njëjtin tretman deri vonë e gëzonte edhe Siria, përmes së cilës Rusia mundohej ta kontrollonte edhe Mesdheun. Me një taktikë të njejtë veprojnë Rusia dhe Serbia duke manipuluar me shtetet e Lindjes së Mesme dhe arabe, gjoja si përkrahëse të islamizmit.
Derisa Rusia, si pasojë e ngritjes së popullit kundër Asadit, i humbi interesat e saja në Siri, njësoj si duket edhe këto ditë, do t´i ndodhë edhe me Iranin, si një nga aleatët kryesorë të rajonit.
Në pamundësinë që t´i mbrojë aleatët, të cilët i përdorte për interesa të veta, Rusia po u jep sinjale që t´i paketojnë valixhet dhe të nisen drejt Moskës, për strehim politik, sikurse Asadi.
Izraeli pasi e gjunjëzoi Hezbollahun në Liban që vepronte nën urdhrat e Iranit, njësoi veproi edhe me Hamasin në Gaza, kurse tash në fund e sulmoi edhe Iranin, i cili paraqet një rrezik të drejtpërdrejtë për ekzistencën e Izraelit.
Me ardhjen e mullave në pushtet, së pari e filluan terrorin ndaj popullit të vetë me qëndrimin rigoroz fetar, sidomos ndaj femrës, kurse në arenën ndërkombëtare po ashtu paraqitën rrezik të përhershëm, duke e kërcënuar perëndimin, e sidomos Izraelin.
Izraeli kërcënimet e Iranit i merrte gjithnjë seriozisht. Po ashtu ishte zotuar se nuk do të toleronte që Irani të posedoi arsenal atomik, duke llogaritur se ky do të ishte edhe fundi i shtetit dhe popullit hebre. Në retrospektivë një sulm ndaj Iranit ka qenë i pritur, vetëm është zgjedhur momenti se kur do të ndodhte.
Izraeli përpos që po kryen sulme në bazat e pasurimit të uranit, po bënë edhe thirrje që populli iranian t´i marr fatet e tij në dorë, duke u çliruar nga një regjim i tillë kriminel i mullave. Thirrje të tilla po vijnë edhe nga SHBA, kurse EU po bindet se mullat duhet të ndalen me të gjitha mjetet, duke i dhënë të drejtë Izraelit në ekzistencën e tij.
Me sulmet e para izraelite, Irani po dobësohet gjithnjë e më tepër. Krerët e lartë ushtarak dhe udhëheqësit kryesor të sigurisë, po eliminohen çdo ditë nga sulmet izraelite. Izraeli pohon se është duke e kontrolluar hapësirën ajrore iraniane dhe nëse vazhdon një ritëm i tillë, lirisht mund të supozohet se mullat së shpejti do t´i kenë ditët e numëruara. Ditët në vijim pritet që sulmit izraelit, ti bashkohen edhe SHBA.
Me ndërrimin e regjimit iranian priten ndryshime pozitive në tërë rajonin, duke përfshirë Libanin dhe popullin palestinez, po edhe Evropa dhe bota do të marr frymë më lirisht.
Ndërrimi i regjimit iranian do të dërgonte sinjale pozitive edhe për Ukrainën, kur dihet se Irani e furnizonte me dronë luftarake dhe armë strukturat kriminele ruse. Ndërrimi i pushtetit të mullave, më së miri do të ishte të vinte nga vetë populli iranian, e jo si pasojë e ndërhyrjes ushtarake, në mënyrë që të shmangej kaosi dhe lumi i refugjatëve, ashtu siç kishte ndodhur me Irakun.
Si do qoftë, Kosova duhet të jetë e përgatitur për sfidat momentale që do të ndodhin, pasi që Serbia çdo rast do të përpiqet që ta shfrytëzoi, e qëllimi i saj është i njohur.