Si tha Bekim Çollaku? “Trump, tha ai, nuk ka me kë të bisedojë në Kosovë”! Madje me një konotacion sikur “Kosova nuk ka burra e gra, me të cilët mund të bisedohet”! Që nënkupton as më pak e as më shumë: “Vetëm me Hashim Thaçin mund të bisedohej”! Harroi ta përmendë edhe Grenellin e harruar!
Në një farë mase Bekimi kishte të drejtë me Hashimin. Ish-presidenti i Kosovës dhe njëkohësisht shefi i Bekimit u prit edhe nga Vladimir Putin. Dhe presidenti i Kosovës iu lut atëbotë presidentit të Rusisë që ta njohë Kosovën pas ndarjes mes tij dhe Aleksandër Vuçiq. Ndërkaq asokohe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i lutej po ashtu shefit të Kremlinit që t’i bënte një ftesë zyrtare për ta vizituar Moskën. Edhe kreu i ekzekutivit të Shqipërisë kishte shpresë se Vladimir Putin do ta priste atë në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për angazhimin e tij për ndarjen e Kosovës. (Këtë fakt e kam marrë nga një diplomat rus që atë kohë dhe e kam raportuar te presidenti i Republikës, i ndjeri Bujar Nishani).
Ish-shefi i Bekimit në Prishtinë, sot në Hagë, dhe shefi i shefit të Bekimit në Tiranë ishin gati të flisnin me këdo, por për çfarë? Për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Vetëm me zonjën Merkel u hasi sharra në gozhdë. Ia shtruan asaj hartën mbi tavolinë. I treguan me shkop tregues se si do të vizatohej kjo hartë pas ndarjes së Kosovës. I thanë se “Kosova humbet vetëm pak territor”! Por Merkel e dinte se nuk ka grua “pak shtatzënë” dhe u bëri pyetjen asgjësuese: “A këmbehen vetëm territore, apo edhe banorë të këtyre territoreve”? Bashkëbiseduesit, që sipas Bekimit dinë të bisedojnë, u zun ngushtë. U detyruan t’i thonë kancelares gjermane se “jo, jo zonja kancelare, dy-tri komuna duhet t’i shkojnë Serbisë”! Atëherë ajo u tha: “Eshtë hera e fundit që bisedoj me ju për këtë”! Përgjigja ishte një JO e madhe.
Ju kujtohet besoj kjo bisedë diku nga maji i vitit 2020 në Berlin, ku ishte i pranishëm dhe presideti i Francës, Emmanuel Macron. Macron, me të cilin Rama dhe Thaçi flisnin si me Bekimin e Batonin, ngeli me gojë kyçur! Thaçi i Bekimit dhe Rama i Batonit e kishin ndjek Macronin deri në Konferencën e Frankofonisë në Armeni, me qëllim që ta sigurojnë mbështetjen e presidentit francez për ndarjen e Kosovës. Pra dëshmuan se ishin shumë të aftë të bisedonin, por ama jo për shtetin e Kosovës, për zhbërjen e tij. Pikërisht për këto lloj bisedash e ka fjalën ish ministri dhe ish këshilltari i Hashim Thaçit. Pra mund të bisedohet me ata që janë të aftë të bisedojnë me autoritetet e botës për t’i bind ata që të marrin “pak” territore nga vendi yt e këto territore t’i jepen armikut tënd më të egër të të gjitha kohërave, përfshirë edhe kohën e sotme. Kjo është filozofia e Bekim Çollakut, filozofi, të cilën ai e pati publikuar i pari që në vitin 2017, kur paralajmëroi se “Kosovës i duhet të bëjë kompromise të dhimbshme”!
Është interesant fakti se të gjithë fansat e ndarjes së Kosovës kanë nis të thonë se “Trump nuk ka me kë të flasë në Kosovë”! E thotë Vlora, e tha edhe Lut Haziri në një farë kuptimi. Në vend që t’i gëzohen faktit që Donald Trump nuk e ka harruar diku në ndonjë skutë emrin e Kosovës. Këto qëndrime në fakt më bëjnë shumë optimist. Sepse reagimi i partizanëve të ndarjes së Kosovës vjen jo për shkak të deklaratës së presidentit amerikan për Kosovën, por për shkak të zgjidhjes që ai ka për t’i dhënë konfliktit me Serbinë në favor të Kosovës! Por këta duan që të ndodhë e kundërta, me qëllim që të shpëlahen nga njollat e turpit të aktivitetit të tyre politik për ndarjen e vendit ku jetojnë.
Por e vërteta është krejt ndryshe. Pikërisht prej katër vitesh e këtej Kosova kishte dhe ka përfaqësues, të cilët dinë të flasin e dinë ta mbrojnë atë. Në memorien time, pas Ibrahim Rugovës dhe në periudhën e negociatave për statusin të Fatmir Sejdiut, Kosova nuk ka pasur asnjëherë një president (e) të aftë, të zonjën, të përkushtuar dhe me autoritet si Vjosa Osmani. Ndërkaq Kosova nuk ka pasur ndonjëherë një kryeministër si Albin Kurti për t’i rezistuar presioneve të Serbisë e miqve të saj në Evropë e SHBA, presione që synonin ta dëmtonin shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Për këto arsye, duhet thënë e kundërta: - Donald Trump tani ka partnerë në Kosovë, me të cilët mund të bisedohet. Po të ishte Thaçi dhe lloji i tij në politikën e Kosovës, ai nuk kishte nevojë për të biseduar.
Këta do ta lusnin: “Aman, presidenti Trump! Merre hartën dhe jepi Serbisë çfarë territoresh tonat ajo dëshiron, se jena lodhë!
Nuk po mujmë ma me duru pa na njoftë ajo”!