Presidenti amerikan, Donald Trump, urdhëroi sulmin ushtarak me bombardues të fuqishëm B2 të qendrave iraniane të prodhimit bërthamor. U lëshuan 30 raketa dhe 12 bomba me deri në 14 ton peshë secila. Objektiv i këtij sulmi ishin qendrat e pasurimit të uraniumit dhe prodhimit të lëndës bërthamore. Sulmi ishte blic. I menjëhershëm. Nga ato goditjet që vetëm amerikanët dinë dhe kanë potencialin ushtarak e teknologjik të realizojnë. Synimi: - Ta detyrojë Iranin që të tërhiqet nga ambiciet e tij për të patur armë bërthamore. A do të jetë goditja e parë dhe e fundit, këtë do ta shohim. Por duket se këto sulme u bënë për ta detyruar Teheranin të hyjë në bisedime të pakushtëzuara. Dhe ndoshta kjo do të ishte zgjidhja më logjike e konfliktit që ka shpërthyer.
Ndërkohë informacionet nga Departamenti i Mbrojtjes Amerikane thonë se nuk u regjistrua asnjë viktimë. Gati e pabesueshme. Por edhe sikur të kishte viktima sa gishtat e dorës, sërishmi do ta quaja këtë një sukses të jashtëzakonshëm. Luftë pa dëme kolaterale. M’u kujtuan shifrat e dëmeve kolaterale gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Ishin 78 ditë bombardime dhe gabimisht u vranë vetëm 552 njerëz, nga të cilët 180 shqiptarë, mbi të cilët u qëllua, sepse ishte menduar se kishin të bënin me një konvoj ushtarak serb në Gjakovë.
Eksperienca e luftës në Kosovë dëshmoi se luftërat e sotme mund të zhvillohen e të fitohen pa viktima të shumta. Në 78 ditë bombardime të pandërprera asnjë ditë, nuk janë shumë 552 viktima. Ndërsa në Iran natën e mbrëmshme nuk pati asnjë viktimë. Tonelata bombash pa njerëz që humbën jetën. Nga pikëpamja humane ky ishte sulmi i parë i këtyre përmasave që nuk merr jetë njerëzish! Duhet regjistruar në librin Gines. Duhet solidarizuar me këtë ushtri që arrin objektivat e saj, pa shkaktuar dëme njerëzore. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e teknologjisë ushtarake amerikane. Falë asaj teknologjie, bota nuk pëson dëmet e mëdha të luftërave të shkuara.
Mirëpo teknologjia është gjithashtu edhe pjesë e modernizimit ushtarak të Izraelit dhe Rusisë. Megjithatë Beniamin Netanjahu shkaktoi në Gaza mbi 60 mijë viktima të pafajshme. Dhjetëra-mijëra viktima ka shkaktuar në Ukrainë edhe makineria ushtarake e Vladimir Putin. Logjikisht shtrohet pyetja, nëse këta të dy kishin ose jo mundësi të mos shkaktonin së paku viktima në njerëz, siç shkaktuan dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në këto ditë lufte të nxehta?! Vetë Izraeli gjatë bombardimeve kudër Iranit prej gati dhjetë ditësh i ka kursyer jetët e njerëzve atje. Viktimat janë thuajse në munimum dhe me një përpjekje e kujdes të shtuar mund të ishin akoma më pak. Pse atëherë nuk pati këtë vëmendje në Gaza?! Pse aty u vranë kaq shumë njerëz të pafajshëm e madje edhe rreth 25 mijë fëmijë?!
Eshtë e çuditshme si ndodhi kjo, në kohën që teknologjia ushtarake dhe preçizioni i sulmeve të ushtrisë izraelite janë të të njëjtit nivel me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur autoritetet izraelite janë pyetur për shkaqet e këtyre masakrave kundër popullsisë civile palestineze në Gaza, ata kanë thënë se “liderët e Hamasit fshihen në spitale, në shkolla e qendrat e shpërndarjes së ndihmave”! Kësisoj kanë justifikuar vrasjen e dhjetëra mijë njerëzve në Gaza. Ndërkohë që udhëheqësit e mullahëve në Iran fshiheshin dhe fshihen, sulmet izraelite i gjetën dhe i qëlluan ata, pa patur nevojë që të vrisnin mijëra e dhjetëra mijëra iranianë. Atëherë a nuk e kishin këtë mundësi dhe këtë aftësi edhe në Gaza?!
E njëjta gjë duhet thënë edhe për sulmet ruse të Vladimir Putin kundër Ukrainës. Taktika e sulmeve në vendet e banuara, shpesh herë në spitale, shkolla dhe lagje me popullsi të dendur në qytetet e kryeqytetin ukrainas ishte e dukshme dhe shkaktoi shumë dëme në jetët njerëzore. A kishte mundësi Kremlini dhe ushtria e tij që të mos shkaktonte kaq shumë viktima? Sigurisht që po. Njëjtë si edhe Tel Avivi gjatë sulmeve në Gaza. Pse atëherë ndodh ndryshe në këto territore dhe kundër këtyre popullsive?
Sepse Ukraina është cak pushtimi, nuk është cak nënshtrimi dhe imponimi. Sepse Gaza është objekt pushtimi dhe spastrimi etnik, nuk është çeshtje e goditjes së një organizate terroriste, siç thonë autoritetet politike e ushtarake të Izraelit. Këtu dallojnë luftërat pushtuese e asgjësuese të popullsive me luftërat për të rrëzuar një regjim, për të parandaluar një kërcënim, apo për t’i dhënë një mësim “të mirë” kundërshtarit ose armikut që ke përballë. Nëse besohet se gjeneralët iranianë ishin aktivë në aktet e tyre kundër Izraelit, askush nuk mund ta besojë atë se 25 mijë fëmijët, si dhe mijëra gra e të moshuar që u vranë në Gaza kishin ndonjë rol aktiv në luftën kundër Izraelit. Këto janë dy momente të ndryshme. Janë dy qëndrime të kundërta. Çka do të thotë se Putin sillet me Ukrainën si njl diktator. Po ashtu Netanjahu sillet me palestinezët e pafajshëm si i tillë. Mund të kesh brenda vendit tënd një sistem politik demokracie, por demokracitë nuk vrasin dhe nuk masakrojnë popujt e tyre e as popujt e tjerë tjerë. Themeli i demokracive është toleranca, mirëkuptimi dhe zgjidhja e konflikteve brenda sistemit. Me dialog, duke toleruar dhe me transparencë. Gaza është dëshmia e kundërt e demokracisë dhe e lirisë.