Mos e falni Sazanin

Opinione

Mos e falni Sazanin

Nga: Ilir Levonja Më: 26 qershor 2025 Në ora: 19:51
Ilir Levonja

Brenda disa ditësh iu solla ishujve Mikonos, Santorini, Kaprit në bregdetin e Sorrentos dhe Amalfi Coast.. Këta janë ishujt nga me të vizituarit pavarsisht terrenit të vështirë, ujit të pijshëm apo rrugëve të ngushta. Të japin pamjen se jeta aty ekziston fal talentit dhe përpjekjes njerëzore, mushkave apo transoqeanikëve që sjellin papushim turistë nga e gjithë bota. Biznese familjare, me gjithfarësoj xhinglash, tavolina ngicalaqe me gjiro birrë, pica limoçelo etj., suvenire nga më rastësoret. Kthina buzë greminës ku vetëm i dehur nuk mund të kaloje.

Megjithatë vargane me njerëz, ruistë nga e gjithë bota. Dhe ta mendosh se ishuj si Mikonos apo Santorini, me popullatë prej 15 deri në 20 mijë banorë, thuajse dyfishohen apo trefishohen brenda ditës. Kudo ku uleshim gjeje shqiptarë, disa kamarierë, disa pronarë, madje edhe taksitë që merrnim ata na shfaqeshim, biles edhe në minidoganat e tragetit sapo na merrnin kartat e identitetit, pasi na lexonin emrat, na përshëndesnin shqip. Kaq shumë jemi shpërndarë nëpër botë? Kaq shumë jemi në numër. A janë të vërtetë Censuset që bëjnë qeveritë tona? Ne nuk kemi ishuj si Greqia, Turqia apo Italia, por kemi bregdet po aq të bukur sa Amalfi Coast. Kemi vetëm një ishull, por asnjë përpjeke për ta kthyer atë në një thesar turistik me banorë vendas.., pati një tentativë nga diktatura komuniste, ku pjesa dërrmuese ishin ushtarakë dhe aq, pasi menjëherë pas hapjes, pra ardhjes së demokracisë ishulli u braktis masivisht, por edhe arsenali ushtarak, ai që ishte, baza detare etj., u bastarduan dhe gjithçka sot është në mëshirën e fatit. Biles tash së fundi, verbërisht, budallallisht, madje me krenari idiotësh të një neo enveristi, ia kemi bërë dhuratë dhëndrrit të Donald Trumpit. Ajo që të tmerron është fakti se pa asnjë këshillim me organin e këshillit kombëtar, pa asnjë debat po kombëtar, pa asnjë votim apo tenderim publik, proklamohet nga e gjithë propaganda neo enveriste si një arritje e madhe në drejtim të investimeve të huaja në vendin tonë.

Një web idiot e reklamonte si xhelozi të Greqisë që dhëndrri i Trumpit po investonte në Shqipëri. Hiqini këto mendësi idotësh se nuk do me ia ditë as Greqia apo Italia për budallallëqet shqiptare. Pyesni djemtë tuaj që kanë afro 34 vjet duke u djersitur ishujve të Greqisë. Janë sot shenjtit e vital të emigracionit shqiptar. Kurrë nuk pashë gjëkundi të dilte qoftë edhe një grup ish oficerësh të marinës, bregdetit, ushtrisë shqiptare aq sa pyes veten ka më burra ai vend. Sipas gjoja statistakeve sikur kemi pasur një shifër rekord ushtarakësh, deri në 70 mijë, mirëpo sot asgjëkundi se del njëri syresh e të flasi për çfarë krijoi, çfarë humbi dhe çfarë mund të rimëkëmbëj në atë ishull me historinë e tyre. Sikur një grup dhe ta kthenin pronën kombëtare në një debat publik të dobishëm për vendin dhe fëmijët e tyre. Askush nuk e di se çfarë përfitojnë shqiptarët nga një ishull që nesër do jetë privilegj për turistin e thjeshtë, për qytetarin normal, pasi do jetë pronë e masonëve apo hirearkisë së lartë nga oligarkët dhe bosët e perëndimit. Dhe ta mendosh që në optikën Karaburun, Sazan, Zvërnec, Vlorë mund të bëje pa diskutim një resort fitimprurës për vlonjatët së pari, mbasandaj për shqiptarët dhe të huajt. Kur në qeverisjen Berisha (2009), u arrit një marrëveshje për kufirin detar, atë të cilën e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, atëhere u ngrit të paktën një ushtarak i vetëm.

Madje me suportin e opozitës së kohës, apo qeverisë së sotme. Bile biles, u shpërflak edhe një shtyp i fortë deri sa aludohej për tradhti kombëtare, për shitje territori etj. Sot çuditërisht nuk sheh më sikur një të vetëm, një patriot i cili nuk del e flet, nuk e ngre zërin dhe të thotë se ka apo nuk ka këtu shitje të territorit apo tradhti kombëtare. Duhet të mohojmë atëhere të gjithë fuqinë intelektuale ushtarake të këtyre njëqind e ca vite shtet shqiptar pasi një neoenveristi thjesht për teka të karrikes dhe imazhit personal e shet batjva një thesar të shqiptarëve. Nuk e kuptoj edhe gjithë klasën akademike nga 1944-ta e këtej, të cilët vazhdojnë të na çajnë menderen me faktin se si Ahmet Zogu i shiti sllavëve Shën Naumin etj., kurse në rastin konkret të gjithë heshtin. Kaq e madhe është frika në Shqipëri. Kaq nështrim social ka aty, kaq vdekje sociale?

Askush nuk është kundër investime, por ato kanë ca rregulla elementare, i pari është se çfarë përfiton vlonjati, qytetari i bregut etj. A mund ta kthejnë vet shqiptarët atë ishull në një minerë ari për veten e tyre. Ashtu si grekët një vullkan të fikur, me mushka e kishin nisur, me ca shtëpi kuvli etj., sa sot është i gjithi një minierë floriri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat