Fenomenet e kohës me të cilat po ballafaqohemi çdo ditë, po shkatërrojnë gjithnjë e më shumë vlerat morale dhe njerëzore të traditës kombëtare, vlera që dikur ishin themel i shoqërisë sonë. Këto çështje do të duhej të ishin preokupim serioz i të gjithë shoqërisë Kosovare – nga familja, qerdhet e fëmijëve, shkollat fillore, deri te instancat më të larta të Sistemit Arsimor dhe Edukativ. Çdo ditë përballemi me thashetheme, lajme të pavërteta dhe shpifje, të cilat qarkullojnë gjithandej në mënyrë të pakontrolluar, duke helmuar mendjen e rinisë dhe duke përhapur botëkuptime primitive që nxisin urrejtje, përçarje dhe konflikte shoqërore.
Këto janë barrë e rëndë për popullin dhe shoqërinë tonë. Sot po humbet ndjenja e solidaritetit, respektit dhe dhembshurisë – ndaj prindërve, ndaj të moshuarve, dhe ndaj njerëzve në nevojë. Ky mosrespektim i vlerave ka depërtuar, për fat të keq, edhe në politikë dhe në institucionet shtetërore. Janë të shumta rastet kur prindërit braktisen dhe anashkalohen nga fëmijët e tyre – lajme që prekin thellë çdo njeri me integritet dhe ndjenja humane.
Dikur, në kullat dhe Odat Shqiptare, respekti për të moshuarit dhe për “zotin e shtëpisë” ishte një vlerë e shenjtë që i jepte kuptim familjes dhe bashkësisë. Fjala e plakut ishte e bekuar për të gjithë. Kishte dashuri, respekt, unitet dhe përkujdesje për njerëzit në nevojë. Besa Shqiptare, si virtyt moral dhe kombëtar, ishte vlera më fisnike që u ruajt me shekuj. Sot, mjerisht, respekti ka rënë për tokë – nuk respektohen më prindi, vëllai, gjyshi, mësuesi, mjeku, apo profesori. Ky degjenerim i vlerave ka depërtuar në politikë, në administratë, në institucionet shtetërore.
Lufta për pushtet dhe interesa personale është kthyer në qëllim të përditshëm të politikës, duke mos respektuar as Institucionet e Shtetit, as figurat shtetërore, përfshirë edhe Presidenten e Republikës.
Në emër të një demokracie të keqkuptuar, njerëz pa integritet përdorin shpifje dhe insinuata kundër vetë shtetit të tyre, duke i kënaqur armiqtë që nuk ia duan të mirën Kosovës. Këto janë vetëm disa nga fenomenet negative që po e rrënojnë moralin e shoqërisë sonë dhe po godasin motivimin e qytetarëve që punojnë ndershëm dhe e duan Republikën e Kosovës dhe popullin Shqiptar.