Në 14 vjetorin e ndarjes nga jeta të shokut tim Teki Dervishi

Opinione

Në 14 vjetorin e ndarjes nga jeta të shokut tim Teki Dervishi

Nga: Rexhep Torte Më: 29 qershor 2025 Në ora: 16:08
Teki Dervishi dhe Rexhep Torte

Teki Dervishi ishte dhe mbeti shembull mbarëkombëtar shqiptar për jetë të jetëve – pishtar dhe udhërrëfyes për mënyrën se si duhet jetuar me ndershmëri e dinjitet, si duhet punuar me përkushtim dhe devotshmëri, si duhet kontribuar dhe jetuar për kombin e atdhedashurinë – për të mos u harruar kurrë në kujtesën e brezit në të cilin jetoi e veproi dhe në kujtesën e brezave që do të na trashëgojnë.

Shembull që duhet ta ndjekin gazetarët, analistët, shkrimtarët dhe mediat tona të shkruara e elektronike, për të vepruar e krijuar vlera të dobishme për kombin shqiptar – për Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë trojet shqiptare – për t’u bërë tmerr për armiqtë, e jo servilë, bashkëpunëtorë, shërbëtorë dhe argatë të poshtëruar të tyre.

Shembull që duhet ta ndjekë politika shqiptare në Kosovë, në Shqipëri, në mbarë trojet shqiptare dhe në mërgatën shqiptare, ku mbi të gjitha duhet vënë interesi kombëtar, e jo interesi personal apo grupor antikombëtar.

Shembull se si arrihet pavdekësia në këtë dhe në jetën e përtejme: me ndershmëri, shpirtpastërti, fisnikëri, me djersë e punë të palodhshme dhe të vazhdueshme – e jo me tradhti, hajni, kryeneçësi dhe me sofrat përplot mish të pjekur e me raki.

Teki Dervishi ishte kolos dhe atdhetar sypatrembur, shkrimtar, poet, gazetar, publicist, dramaturg, krijues i zellshëm letrar, shok besnik e i sinqertë dhe mikpritës i shkëlqyer.

Teki Dervishin për herë të parë e kam takuar në vitin 1967 në Prishtinë, kur isha kryetar i Shoqatës Letrare-Muzikore “Përpjekja” – shoqatë e studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit.

Asokohe kisha shkuar nga Beogradi në Prishtinë për t’u takuar me gjakovarin Ali Gojani, që ishte kryetar i SHKA “Ramiz Sadiku” – Shoqatë Kulturore-Artistike e studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Qëllimi i vizitës sime në Prishtinë ishte për të koordinuar aktivitetet tona studentore, sepse Shoqata Letrare-Muzikore “Përpjekja” përgatitej të shënonte 10-vjetorin e themelimit, ndërsa SHKA “Ramiz Sadiku” ishte duke përgatitur dramën “Trimi i mirë me shokë shumë” të Sulejman Pitarkës, me regji të Krist Berishës, për të shënuar së bashku edhe 500-vjetorin e lindjes së Skënderbeut.

Teki Dervishin e takova në një banesë private në Prishtinë, ku banonte edhe Ali Gojani me disa studentë të tjerë. Atë natë flejta në atë banesë dhe më kujtohet si sot ai mëngjes, kur u zgjuam të gjithë banorët dhe secili përgatitej për ditën e re.

Atë mëngjes e pashë Teki Dervishin në paradhomë, para pasqyrës, teksa ofshante nga dhimbjet e dhëmbëve – si pasojë e torturave të përjetuara në burgun famëkeq të Goli Otokut, burgut më të keq e më mizor të ish-Jugosllavisë së Titos.

“O Rexhep Dibrani, këto dhimbje të dhëmbëve i kam një nga peshqeshet e atij burgu famëkeq,” më tha atë mëngjes Teki Dervishi. Të them të drejtën, më erdhi shumë keq dhe u emocionova thellë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, në bisedën që pata me Tekiun, ai më tregoi se shpesh e kontaktonte Esad Mekuli, që asokohe ishte kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, për ta nxitur të dërgonte sa më shumë tregime për botim – sepse shkrimet e Tekiut lexoheshin dhe çmoheshin shumë nga publiku, si për cilësinë letrare dhe stilin, ashtu edhe për temat që trajtonte.

Pas shumë vitesh, ndërsa Teki Dervishi punonte në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” në Shkup, unë ndodhesha atje për punë private. Teksa po shkoja për të kaluar natën te një shok i babait tim, e takova rastësisht Tekiun në qendër të Shkupit, së bashku me bashkëshorten e tij.

Ky takim i papritur na gëzoi të dyve. Pas një bisede të shkurtër, i propozoj të pimë një kafe bashkë, pastaj të përshëndeteshim. Por ishte këmbëngulja e madhe e Tekiut që atë natë të jem mysafir në familjen e tij. Nuk pata rrugëdalje tjetër dhe pranova.

Kur arritëm në banesë, u prita dhe u gostita me një bujari e zemërgjerësi të jashtëzakonshme. Gjatë natës biseduam për tema të ndryshme e me rëndësi profesionale dhe kombëtare.

Kur u vendosëm për të fjetur, kuptova se mua më kishin përgatitur divanin në dhomën e ndejës, ndërsa Teki dhe bashkëshortja e tij do të flinin në paradhomë. U ndjeva shumë keq dhe insistova me këmbëngulje që unë të fle në paradhomë, por s’munda t’i bindja.

Të them të drejtën, tërë natën nuk më zuri gjumi nga ajo mikpritje e përzemërt. Kam një edukatë të lindur që kur shkoj si mysafir diku, nuk më intereson të shoh asgjë tjetër përveç njerëzve me të cilët takohem.

Kjo edukatë ishte arsyeja pse nuk e vura re se banesa e Tekiut ishte thjesht një garsonierë. Sa herë më kujtohet ajo sakrificë fisnike, më pushton një ndjenjë sikleti dhe më kaplojnë djersë të ftohta, edhe pse e di që ata e bënë me gjithë zemër e dashuri mikpritëse.

Takimin e radhës me Teki Dervishin e pata pas disa vitesh në redaksinë e gazetës “Fakti” në Shkup, kur isha gazetar i kësaj redaksie nga Dibra. Ai tashmë punonte në Prishtinë dhe kishte ardhur të takonte shokët në redaksi, ku pronar ishte Emin Azemi.

Në çastin që e takova, ai po përgatiste një tekst dhe zyrën e kishte mbushur me tym nga cigaret. S’kisha rrugë tjetër veçse t’i tërhiqja vërejtjen për shëndetin, por ai ma ktheu: “Cigaren e kam si ushqim të dytë.”

Pasi përfundoi tekstin, biseduam e u çmallëm si dy shokë të vjetër. U përshëndetëm sepse unë duhej të udhëtoja për në Dibër.

Kënaqësi e madhe ishte edhe kur në një nga Festivalet “Teatri shqiptar në Maqedoni” që mbahej në Dibër, e takova sërish Tekiun – kësaj radhe si Drejtor i Teatrit të Prishtinës. Pasi biseduam dhe u lumturuam nga takimi, bëmë edhe një fotografi së bashku në hollin e Pallatit të Kulturës në Dibër.

Teki Dervishi atë mbrëmje qëndroi vetëm për të parë dramën dhe menjëherë pas saj u nis për në Prishtinë për shkak të detyrimeve institucionale.

Për fat të keq, ky qe edhe takimi im i fundit me Teki Dervishin – me këtë atdhetar të flaktë, gazetar e publicist të shkëlqyer, shkrimtar, poet dhe drejtues tejet të suksesshëm të institucioneve kulturore që i drejtoi.

Teki Dervishi, në kujtimet e mia, gjithmonë do të mbetet: atdhetar i flaktë, krijues i zellshëm letrar, shok besnik e i sinqertë dhe mikpritës i shkëlqyer.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat