Pavarësia e Kosovës ka qenë një aspiratë e pandërprerë e popullit shqiptar që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). E drejta për vetëvendosje dhe pavarësi është ndër të drejtat themelore universale që i takon çdo kombi. Në rastin e Kosovës, kjo e drejtë është ndërlidhur ngushtë me historinë e ndarjeve territoriale e administrative që u vendosën gjatë shekullit XIX, shpesh në funksion të interesave të Perandorisë Osmane dhe më vonë të Fuqive të Mëdha.
Që në periudhën osmane, shqiptarët filluan të artikulojnë kërkesat për autonomi dhe bashkim kombëtar. Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u përqendrua në përhapjen e arsimit shqip, në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në organizimin e strukturave që synonin një administrim autonom të territoreve shqiptare, të bashkuara në një vilajet të vetëm brenda Perandorisë Osmane.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e mbajtur më 10 qershor 1878, ishte momenti i parë historik kur kërkesa për autonomi politiko-administrative u shpreh në mënyrë të qartë dhe të organizuar. Ajo ishte një fazë e ndërmjetme që synonte të krijonte bazat për një shtet shqiptar të pavarur. Në këtë proces, Kosova pati një rol të veçantë – si qendër strategjike e organizimit dhe si vatër e vazhdueshme e rezistencës kombëtare.
Gjatë dekadave në vijim, Kosova mbeti gjithmonë pjesë aktive në përpjekjet për çlirim kombëtar. Pas Luftës së Parë Botërore, me vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Kosova u aneksua nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (më vonë Jugosllavia). Kjo periudhë (1912–1918 dhe më tej) përfaqësonte një ndër momentet më të rënda të historisë së Kosovës, e cila u përball me represion sistematik, dëbime, kolonizim dhe mohim të të drejtave themelore.
Megjithatë, përkundër dhunës dhe shtypjes së vazhdueshme, ideja për autonominë dhe më pas pavarësinë e Kosovës nuk u shua. Ajo mbeti një qëllim jetik dhe një busull orientuese për gjeneratat që pasuan.
Në këtë periudhë lindi edhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, e cila, të paktën në nivel deklarativ, promovoi të drejtën e barazisë së popujve dhe vetëvendosjen. Kjo ide u përdor shpesh në mënyrë strategjike nga komunistët, si një mundësi për të kundërshtuar politikën diskriminuese të Mbretërisë SKS, edhe pse realiteti shpesh ishte në kundërshtim me premtimet politike.
Nga propaganda në përplasje – Rruga e vështirë drejt vetëvendosjes
Në vitet e hershme të veprimit të saj, Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ) fajësonte borgjezinë serbomadhe për politikat represive ndaj shqiptarëve. Ajo e paraqiste këtë borgjezi si agresive dhe të pamëshirshme në trajtimin e popullit shqiptar. Në këtë kontekst, PKJ-ja përhapi një propagandë që në pamje të parë dukej se e trajtonte me drejtësi çështjen kombëtare shqiptare, duke përfshirë në retorikën e saj të drejtën për vetëvendosje dhe për autonomi.
Në një kohë kur shqiptarët ishin të shtypur politikisht, ekonomikisht dhe kulturorisht, kjo qasje propagandistike e PKJ-së fitoi simpatinë e shumë shqiptarëve, të cilët panë në këtë platformë një mundësi për të ndryshuar pozitën e tyre brenda sistemit jugosllav. Partia premtonte barazi qytetare dhe politike, të drejtën për arsimim në gjuhën amtare, përdorimin e saj në administratë dhe të drejtën për shkëputje ose bashkim me shtetin amë – premtime që u ritheksuan në dokumente si Konferenca e Tretë e PKJ-së (1924), Plenumi i Splitit (1935) dhe Deklarata e Moskës (1936).
Në këtë frymë, në vitin 1937 u krijuan disa komitete kombëtare të PKJ-së në republikat jugosllave, përfshirë Komitetin Krahinor për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit. Megjithatë, ky komitet u lidh fillimisht me strukturat e Malit të Zi dhe Sanxhakut, duke dëshmuar se pozita politike e Kosovës ende mbetej e paqartë dhe e varur. Vetëm në Konferencën e V të PKJ-së, të mbajtur në Zagreb në tetor 1940, u vendos që ky komitet të lidhej drejtpërdrejt me Komitetin Qendror të PKJ-së – një hap që u konsiderua si njohje e pavarësisë politike në kuadër të strukturës komuniste dhe një hap drejt federalizimit të ardhshëm.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Partia Komuniste e Jugosllavisë shfrytëzoi potencialin e madh njerëzor e ushtarak të Kosovës, duke e përfshirë atë aktivisht në rezistencën antifashiste. Kjo përfshirje erdhi si rezultat i besimit që një pjesë e shqiptarëve ia dha premtimeve të PKJ-së për të drejta kombëtare e vetëvendosje.
Një moment historik që pasqyroi këtë besim ishte Konferenca e Bujanit, e mbajtur në Malësinë e Gjakovës më 31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944. Në këtë konferencë morën pjesë 49 delegatë nga Kosova, përfshirë edhe përfaqësues të pakicave joshqiptare. Konferenca vendosi bazat për pushtetin popullor dhe shpalli një qëllim të qartë: Kosova, pas luftës, duhet të kishte të drejtën për t’u bashkuar me Shqipërinë.
Megjithatë, këto vendime nuk u respektuan. Menjëherë pas luftës filluan represionet ndaj udhëheqësve shqiptarë që kishin marrë pjesë në Konferencën e Bujanit. U vranë figura kyçe si Xhevdet Doda dhe Hajdar Dushi, ndërsa gjallë mbetën vetëm Mehmet Hoxha, Rifat Berisha dhe Zekeria Rexha. Në shkurt 1945, në Kosovë u vendos administrata ushtarake jugosllave, e cila ndërmori spastrime të gjera dhe mobilizim të detyruar të shqiptarëve për në Frontin e Sremit.
Në këtë klimë të tensionuar shpërtheu kryengritja e Drenicës, e udhëhequr nga Shaban Polluzha, e cila u shtyp brutalisht. Pjesëmarrësit u vranë pa mëshirë, përfshirë edhe civilët. Si përgjigje ndaj kërkesave të shqiptarëve për vetëvendosje, autoritetet jugosllave organizuan Konferencën e Prizrenit më 8–10 korrik 1945, e cila hodhi poshtë vendimet e Bujanit dhe publikoi një deklaratë ku pretendohej se “populli i Kosovës, me vullnet të lirë, ka zgjedhur të mbetet pjesë e Jugosllavisë”.
Kjo konferencë ishte instrumenti i politikës serbe për të legjitimuar përfshirjen e Kosovës në kuadrin jugosllav. Në përfundim të saj, u thirr edhe Kuvendi Krahinor i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, si organ përfaqësues që do të “vuloste” këtë vendim.
Nga aneksimi i heshtur te ringjallja e aspiratës për pavarësi
Më 10 korrik 1945, Kuvendi Krahinor i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit miratoi Rezolutën për aneksimin e Kosovës me Serbinë Federale. Kjo datë përkon me ditën e fundit të Konferencës së Prizrenit (8–10 korrik 1945), konferencë e cila nuk bëri të qartë se nën patronazhin e kujt ishte mbajtur. Për më tepër, sipas të dhënave historike, miratimi i kësaj rezolute nga Kuvendi Krahinor u përdor si instrument për të legjitimuar aneksimin e Kosovës pa përfshirë vullnetin e popullit shqiptar.
Historianët kosovar kanë hedhur dritë mbi përbërjen e këtij kuvendi. Thuhet se lista e pjesëmarrësve dhe mysafirëve në Konferencën e Prizrenit ishte me 142 vetë, prej të cilëve vetëm 33 ishin shqiptarë. Në këtë listë mungojnë shumë nga përfaqësuesit e Konferencës së Bujanit. Ndërkaq, 38 pjesëmarrës ishin të shënuar vetëm me funksione politike (si “kryetar” ose “sekretar”) pa identitet të qartë, ndërsa 71 ishin serbë ose malazezë. Ky përbërje tregon qartë strukturën e njëanshme të vendimmarrjes dhe tregon si Beogradi përdorte të njëjtin model – përmes përfaqësuesve të manipuluar dhe vendimeve të parapërgatitura – për të vendosur në dëm të interesave shqiptare.
Dokumentacioni i kohës dëshmon se, ndonëse rezoluta e Konferencës së Prizrenit synonte ta paraqiste aneksimin si vullnet popullor, në të vërtetë ajo ishte produkt i një skenari të dirigjuar nga autoritetet ushtarake dhe politike jugosllave. Ajo u miratua me aklamacion, pa asnjë nënshkrim, në një atmosferë terrori dhe trysnie.
Në të vërtetë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjitha forcat pjesëmarrëse në luftën antifashiste kishin pranuar, të paktën në teori, të drejtën e popujve për vetëvendosje, përfshirë edhe të drejtën për shkëputje dhe bashkim me shtetin amë. Mirëpo, sapo përfundoi lufta dhe u konsolidua pushteti, këto premtime nuk u zbatuan kurrë. Nuk u organizua referendum, as u lejua vendimmarrje e lirë. Politika serbe, si zakonisht, manovroi përmes përfaqësuesve të zgjedhur nën presion – shpesh me kërcënime dhe nën hijen e armëve – për të imponuar zgjidhje që i shërbenin interesave të saj unitariste.
Për ironi, edhe brenda vetë radhëve shqiptare u gjetën figura që u bënë vegla të këtij procesi, duke mashtruar popullin me premtime boshe dhe duke e tradhtuar idealin për një Kosovë të lirë dhe të barabartë brenda federatës.
Sipas burimeve historike, periudha kur Kosova në mënyrë të heshtur humbi të drejtën për vetëvendosje (në kontekstin e programit federalist jugosllav), nisi më 18 shkurt 1945 – rreth 13 muaj pas Konferencës së Bujanit – dhe kulmoi me Rezolutën për aneksim më 10 korrik 1945.
Më vonë, në vitin 1974, ideja për autonominë e Kosovës u rihap me ndryshimet kushtetuese në Jugosllavi. Megjithëse Kosova fitoi disa atribute të shtetësisë, pozita e saj mbeti e paqëndrueshme – as republikë e barabartë, as pjesë e qartë e federatës. Ishte një status i dyfishtë, juridikisht i paqartë, që e linte Kosovën vazhdimisht të cenueshme nga Beogradi.
Përkundër kësaj, ideja për pavarësi nuk u shua kurrë. Ajo ka qenë e gjallë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ka marrë formë të qartë në Konferencën e Bujanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është ringjallur në vitin 1968, dhe u afirmua në vitin 1981 me Lëvizjen Studentore dhe më në fund është kurorëzuar si kërkesë legjitime më 2 korrik 1990 nga Kuvendi i Kosovës – një akt që u përkrah edhe nga bota demokratike perëndimore.