Nuk po jetojmë më ditën, vetëm po e presim të kalojë, sepse vetëm natën ka rrymë më të lirë. Fli ditën, çohu natën. Lavatriçen e ndez në orën 2 të mëngjesit, bojlerin e shmang sepse ha shumë energji, dhe ndriçimi në shtëpi shpesh mungon, sepse çdo kilovat kushton më shumë seç mund të përballojmë.
Në verë, kur temperaturat rriten dhe nevojat për ftohje shtohen, situata bëhet edhe më dramatike. Asnjë frigorifer nuk mund të funksionojë pa rrymë të qëndrueshme, as ajri i kondicionuar nuk mund të shpëtojë nga nxehtësia e padurueshme. Fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët përballen me rreziqe serioze shëndetësore, ndërsa stresin e nxehtësisë e shton edhe frika e faturave që po rriten çdo muaj.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në prill 2025 konsumi i energjisë elektrike u rrit ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke ngarkuar më shumë sistemin dhe duke çuar në çmime më të larta. Kjo rritje ka bërë që qytetarët dhe bizneset të vuajnë përballimin e faturave të shtrenjta, duke rënduar buxhetin familjar dhe duke kufizuar aktivitetet ekonomike.
Këto probleme nuk janë të reja. Kosova ka përjetuar sfida të vazhdueshme me furnizimin me energji dhe faturat e larta, por në vitet e fundit ato janë përkeqësuar ndjeshëm. Sot, situata po rëndon edhe më shumë xhepat e qytetarëve dhe po ekspozon më qartë dështimin e institucioneve për t’i adresuar këto sfida.
Dyqanet mbyllen herët për shkak të kostove të larta të energjisë, ndërsa njerëzit detyrohen të ngrohen me dru, si në kohët e mesjetës.
Po kthehemi në një mesjetë moderne energjetike, ku jeta është e kufizuar, e pasigurt dhe e mbushur me frikë për faturat që vijnë çdo muaj si një dënim i pashmangshëm.
Pa pasur ato gjëra themelore që duhet të funksionojnë për të gjithë energjinë e qëndrueshme, ndriçimin, ngrohjen, ftohjen, ujë të ngrohtë, jeta e qytetarëve është kthyer në një betejë të përditshme për mbijetesë.
Kjo nuk është vetëm një fasadë, një skenë që luajmë për të justifikuar mungesat. Është realiteti i hidhur që po na ngulfat: sistemi energjetik dhe ekonomik nuk punon për ne, por na bën robër të çmimeve të larta dhe padrejtësive të pashmangshme.
Na detyruan të përshtatemi, jo të zgjidhim problemin. Na thanë “kurseni”, por askush nuk na mësoi si të jetojmë me dinjitet dhe pa frikë nga faturat që mund të shkatërrojnë familjet tona.
Rryma nuk është luks. Është e drejtë themelore, themeli i jetës moderne. Megjithatë, ne po jetojmë në errësirë dhe me orare të diktuara nga çmimet, jo nga nevojat tona.
Më shqetësuese është fakti që asgjë konkrete nuk po bëhet nga ata që duhet të gjejnë zgjidhje. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sektorit energjetik deri tani nuk kanë treguar vullnet ose vizion për të adresuar këtë krizë të thellë. Kërkohet reforma e thellë në sektorin energjetik, investime të menjëhershme në infrastrukturë dhe burime të rinovueshme, mbështetje reale për familjet në nevojë dhe transparencë e përgjegjësi nga kompanitë dhe institucionet publike.
Në arenën ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim për situatën në Kosovë dhe kanë theksuar nevojën për reforma dhe investime në infrastrukturë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të arsyeshme. Por deri më tani nuk ka pasur masa të menjëhershme apo ndërhyrje konkrete që të ndryshojnë realitetin.
Pse vazhdon kjo situatë e papranueshme dhe e paarsyeshme? Pse duhet të vuajmë për diçka që duhet të jetë e garantuar për të gjithë? Kjo është e paqartë dhe e pakuptueshme, por e sigurt është që çdo ditë pa ndryshim është një ditë e humbur për shoqërinë tonë.
Kosova natën është fotografia më e dhimbshme e realitetit tonë një shoqëri ku njerëzit nuk kanë të drejtë të jetojnë normalisht, por janë të detyruar të bëjnë llogaritë e mbijetesës çdo sekondë.
A je edhe ti nga ata që jetojnë me orarin e rrymës? A po përpiqesh të mbijetosh në këtë mesjetë moderne energjetike duke pritur që një ditë sistemi të ndryshojë për ne?
Në këtë situatë, çdo vonesë dhe mungesë veprimi nga institucionet është një dëm i drejtpërdrejtë për familjet dhe ekonominë tonë. Nuk mund të pranojmë më që qytetarët të vuajnë për një të drejtë themelore si energjia elektrike. Është koha që përgjegjësit të marrin masa konkrete, të dëgjojnë nevojat e njerëzve dhe të ndërtojnë një sistem energjetik të qëndrueshëm dhe të drejtë për të gjithë. Përndryshe, kjo krizë do të vazhdojë të thellohet, duke na kthyer gjithnjë e më shumë në errësirë, jo vetëm në shtëpi, por edhe në të ardhmen e vendit tonë.