Si profesor i integrimeve evropiane, për shunë vite, shpesh ndiej një ndjenjë turpi dhe zhgënjimi kur përballem me studentët për të diskutuar rrugëtimin evropian të Kosovës. Në parim, Bashkimi Evropian na mëson për barazinë, drejtësinë dhe solidaritetin, vlera mbi të cilat është ndërtuar ky projekt politik që ne e konsiderojmë shembull. Por realiteti që përjeton Kosova është shumë larg këtyre parimeve.
Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet teknike për liberalizimin e vizave që nga viti 2018. Kjo është pranuar edhe nga Komisioni Evropian në raportet e tij. Megjithatë, lëvizja e lirë për qytetarët tanë u bë realitet vetëm në vitin 2024, pas një pritjeje të gjatë dhe të padrejtë. Pse ndodhi kjo? Sepse pesë vende të BE-së ende nuk e njohin Kosovën si shtet: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. Politika e brendshme e këtyre vendeve, apo frika nga precedentët e brendshëm, ka bërë që Kosova të trajtohet si një “përjashtim”, si një rast që mund të injorohet pa pasoja.
Kjo mosnjohje nuk kufizohet vetëm në vizat. Ajo është bërë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, INTERPOL-i dhe të tjera. Në këtë mënyrë, edhe pjesëmarrja jonë në botën ndërkombëtare është e fragmentuar dhe e kushtëzuar nga interesat politike të vendeve të tjera.
Por a mund ta fajësojmë vetëm Evropën? Natyrisht që jo. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi institucionet e Kosovës. Realiteti është i hidhur: korrupsioni i përhapur, sistemi i dobët i drejtësisë, mungesa e reformave reale dhe mosfunksionimi i plotë i institucioneve tona janë plagë të brendshme që na bëjnë më pak të besueshëm për partnerët ndërkombëtarë. Ndryshe nga sa dëshirojmë ta paraqesim, jo të gjitha pengesat janë të jashtme. Ne kemi dështuar shpesh të ndërtojmë një shtet funksional që mund të garantojë zbatimin e ligjit, transparencë dhe sundim të drejtë të institucioneve.
Në këtë kuptim, izolimi i Kosovës është rezultat i dy faktorëve: një padrejtësie politike të Bashkimit Evropian ndaj një shteti të vogël dhe të dobët, dhe dështimeve tona të brendshme për ta forcuar këtë shtet. Nuk mund të presim që bota të na trajtojë si të barabartë, nëse nuk ndërtojmë më parë një shtet që e respekton vetveten.
Vetëm përmes një angazhimi të sinqertë për reforma të brendshme dhe përmes një diplomacie aktive e profesionale mund të tejkalojmë këtë situatë. Evropa duhet të trajtojë Kosovën me të njëjtat standarde si çdo vend tjetër të Ballkanit. Por Kosova duhet të punojë që të jetë një vend që e meriton vërtet këtë trajtim.
Në fund të fundit, fati i Kosovës është në duart tona, dhe çdo faj që ia atribuojmë të tjerëve duhet ta shoqërojmë me përgjegjësi për atë që nuk kemi bërë vetë.