Pas përfundimit të seancës zyrtare të Parlamentit, i cili, për turpin e tyre dhe tonin si shoqëri, dështoi për të 54-tën herë në konstituimin e tij, opozita e konsideron “si punë të tyre të suksesshme” që ia pamundësuan VV-së dhe Kurtit zgjedhjen e Kryeparlamentares znj. Albulena Haxhiu. Duke i ngritur pendlat e ndyta mbi pleh, vazhduan seancën jolegjitime e jo legale të dy partive opozitare, PDK dhe LDK, të vetmuara, pasi partitë e tjera nuk iu bashkëngjitën për ta vazhduar cirkusiadën politike në kohën e një gjendjeje serioze të jashtëzakonshme.
Përderisa anëtarësia e këtyre “dy partive fituese të asaj mbrëmjeje”, të cilët ishin ulur në karriget e gozhduara fort “në shenjë fitoreje”, anëtarët e partive të tyre iu dhuruan duartrokitje frenetike fjalimeve të kryepartiakëve të tyre të parapërgatitura, që le të nënkuptohet se, sipas regjisë së tyre me marrëveshje, epilogu — ani pse i “panjohur” — ishte i parapërgatitur për dështim të suksesshëm të konstituimit të Parlamentit.
Fjalimet e shkruara nga autorë të panjohur, drejtuar karrigeve të zbrazëta, “ishin të kualitetit të lartë”, me qëllim të “bindjes” së elektoratit të tyre dhe “opinionit”, nëse i ka përcjellë, për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme dhe ato të rregullta lokale.
Dua t’ua përkujtoj memories suaj një moment kur aktori i njohur amerikan i Hollivudit dhe drejtor filmi, Clint Eastwood, me rastin e mbajtjes së kontra-konventës Republikane ndaj asaj Demokrate gjatë fushatës për zgjedhjen e Barack Obamës për President të SHBA-ve, ku në atë tubim, përpos folësve të tjerë, ishte paraparë që njëri nga ata të ishte edhe aktori në fjalë.
Aktori Clint Eastwood, me sensin e humorit dhe shkathtësinë e tij aktoriale, zgjodhi që para asaj mase të madhe të tubuar në sallë, ta përdorte një metodë jo të rëndomtë, ama sadopak me sens ironik, por domethënës për publikun. Ai, diku nga prapavija e binës, nxori një karrige të cilën e solli para asaj mase dhe me mikrofon në dorë filloi t’i drejtohej karriges, gjoja se po i drejtohej Barack Obamës, duke i shtruar pyetje, duke i kërkuar përgjigje dhe gjithnjë duke u sjellë rrotull karriges, e provokonte, nganjëherë edhe e lëvizte, për ta detyruar të fliste — por pa sukses.
Atë natë, “liderucët” e këtyre dy partive opozitare, të cilët pretendojnë të jenë liderë të vërtetë, nuk e kishin mundësinë e aktorit të njohur që t’i detyronin karriget të lëviznin, pasi ato ishin të privuara nga mundësia e lëvizjes, sepse ishin të gozhduara fort.
Karrigeve iu desh t’i dëgjojnë folësit, përpos banalë, monotonë e antishqiptarë, por edhe nxitës, ku nga 120 deputetë sa duhej të ishin në sallë në kushte normale, mbetën vetëm 44, ndërsa në 44 karrige të palëvizshme — jo si ajo e Clint Eastwood-it — të cilat, përpos që e bartnin peshën e deputetëve, nuk e kishin mundësinë të lëviznin që sadopak të “relaksohen” nga ofshamat se çka i gjeti dhe pse mu tani, kur të gjithë shkuan, pse mbetëm vetëm ne.
E mora këtë shembull të aktorit Clint Eastwood, i cili, për dallim nga mbledhja “e miniparlamentit të mbrëmjes PDK, LDK” me 44 deputetët e tyre, do të mbetet “sikur rrushi i thartë” i dhelprës — i pashijuar.
Përkundër konventës republikane, salla ishte e stërmbushur në pritje të përzgjedhjes së Presidentit, sipas vullnetit të popullit demokratik amerikan.
Frika e opozitës nga e vërteta e hidhur e të kaluarës është shkak për moszgjidhjen e ngërçit politik.
Në shkrimet e disa portaleve të cilat thirren në burimet e Shërbimit Inteligjent të NATO-s nga koha e pasluftës, edhe po ta merrnim me rezervë, megjithatë, bashkëpunimi dhe involvimi i SHIK-ut (ai i PDK-së dhe ai i LDK-së, ani pse me emërtime të ndryshme, por me qëllime të caktuara), të involvuara në shumë procese në prapavijë me KFOR-in dhe NATO-n (përmes të të ashtuquajturve përkthyes brenda këtyre shërbimeve), flet shumë për qëllimet e involvimit të tyre atëherë në shërbim të interferimit në aktet e spiunazhit për interesat e tyre meskine dhe për qëllime antikombëtare.
Ngecjet e procesit demokratik rreth konstituimit të organeve shtetërore, Kuvendit dhe Qeverisë, ngrehin dyshime se PDK-ja dhe LDK-ja post-Rugoviane, “rruga e re”, sqarojnë afërsinë e domosdoshme mes këtyre dy partive aleate të Serbisë, të cilat janë vdekjeprurëse politikisht për të ardhmen e tyre dhe rrezikun që këto dy parti ia kanë sjellë vendit.
Nëse këto veprime nuk merren me seriozitet politik, demokratik e shtetëror, në bazë të deklarimeve të tyre përjashtuese apriori lidhur me koalicionet me VV-në, partinë e parë fituese, kjo thotë më shumë sesa një proces i thjeshtë elektoral — është me qëllim të rrezikimit të tërësisë territoriale dhe sovranitetit, që nga marrëveshjet e fshehta me Serbinë nën dirigjimin e Hashim Thaçit (ky i fundit, në një emision televiziv shqiptar, në pyetjen e moderatorit “a do ta takoni Putinin?”, u përgjigj: “pse jo, asgjë të keqe nuk kemi nga Rusia”), të dakorduara me Vuçiqin, të cilët, me pëlqim dypalësh, u prezantuan në Uashington DC më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Presidentit Trump. Përderisa ky i fundit ishte pajtuar me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që Izraeli ta njohë Dardaninë (Kosovën) në prag të një fushate joshëse të tyre për të ardhur në pushtet, njëherësh edhe për të siguruar “Çmimin Nobel për Paqe” — ëndërr e tyre imagjinare.
Ani pse shumë domethënëse, si rezultat i këtij dakordimi, si sihariq ndodhi njohja e Dardanisë nga Izraeli. Kjo ishte meritë e pamohueshme e Presidentit Trump, i cili, me gjithë problemet gjeostrategjike në botë, po e kthen vëmendjen ndaj Republikës së Dardanisë si rezultat i angazhimeve të Qeverisë Kurti në shumë aspekte politike, demokratike e shtetërore.
Megjithatë, një e vërtetë, ani pse e mohuar nga Grenell se “çështja e korrigjimit – ndarjes nuk ka qenë në agjendë”, rrjedhat politike dhe bisedimet e udhëhequra nga Evropa me pjesëmarrjen “indirekte të Amerikës” gjatë procesit, zbuluan një anim të hapur ndaj Serbisë, e cila në një mënyrë sillej në formë mosrespektuese, e në disa raste edhe injoruese e nënçmuese, si rezultat i reshtimit të saj të vazhdueshëm e të pa përmirësueshëm ndaj Rusisë cariste putiniane.
Udhëheqja e mëparshme mbi 20-vjeçare në pushtet, për hir të vetëpozicionimit të saj nënçmues e shantazhues karshi Serbisë, e besa edhe nga disa qarqe ndërkombëtare të zëna ngushtë për premtimet e dhëna dhe koncesionet e premtuara, që kanë të bëjnë me veprat e tyre hajduto-kriminale, nuk ishin në gjendje — jo vetëm që t’i kundërviheshin Serbisë dhe Evropës parimisht, nëse do të ishte nevoja — por edhe falën pjesë të territorit të Dardanisë.
Për vizat që nuk u morën kurrë gjatë pushtetit të tyre, u falën 8,200 hektarë, me rrezikun e ndarjes së pjesës veriore, e dakorduar në heshtje me Serbinë.
Në këtë proces të rrezikshëm, prijëtare dhe unike ishin PDK, LDK dhe AAK, të cilat erdhën në pushtet me ndihmën e Vuçiqit përmes Listës Serbe, alias kriminelit — por edhe njëherësh mikut të tyre politiko-biznesor — Milan Radoiçiq.
Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje, me në krye Albin Kurtin, që me shumicën e votave, si parti dhe si individ, u zgjodh në krye të Qeverisë, solli ndryshime esenciale në aspektin e shtetësisë, sovranitetit, tërësisë territoriale dhe sigurisë. Kjo fitore ia kufizoi Serbisë shumëçka dhe i ndaloi gjithçka që ajo pretendonte ta realizonte nën idenë se “Dardania ende është pjesë e padefinuar e Serbisë, deri në përfundimin e bisedimeve”, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Ndërkombëtare.
Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, me të ardhur në pushtet si forcë unike politike dhe shtetërore, ia këputën shpresat dhe përfundimisht ia shuan edhe ëndrrat Vuçiqit – Serbisë, në mënyrë të bindshme, duke i bërë me dije se Republika e Dardanisë është shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe unitar me kufijtë e vitit 1974, e definitivisht ata të 17 shkurtit 2008, dita e shpalljes së pavarësisë, e pasuar me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të vitit 2010, e cila mori vendim për legalitetin juridiko-ndërkombëtar të pavarësisë së Dardanisë (Kosovës), si përgjigje ndaj opinionit këshillues të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Më 22 korrik 2010, edhe organi kryesor gjyqësor i OKB-së e konfirmoi atë që dihej botërisht: se shpallja e pavarësisë nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare.
Ish-udhëheqësit e Dardanisë, edhe pas të gjitha këtyre vendimeve zyrtare dhe legjitime, nuk i shfrytëzonin ato, por, si të shantazhuar, i injoronin duke mos u thirrur në këto parime. Ata vepronin sipas interesave të tyre politike dhe pazareve antishtetërore, si rezultat i marrëveshjeve të fshehta të kushtëzuara nga Serbia, e cila, për çdo marrëveshje apo bashkëpunim politiko-biznesor, ka përpiluar dokumente dhe incizime, të cilat i përdor si metodë shantazhimi për t’i mbajtur nën kontroll ish-liderët partiakë e shtetërorë për të gjitha të bëmat e tyre, në të gjitha etapat dhe në interes të saj.
Përmes propagandës, Serbia përfitoi edhe miq nga vende të ndryshme, sidomos ato afrikane, duke u paraqitur me adresë të ish-Jugosllavisë së Titos.
Likuidimet para luftës, si bashkëpunëtorë të Serbisë — që vërtet kanë ekzistuar — ndodhën sepse shumë nga ta kishin të gjitha të dhënat dhe informatat për atë se kush, për çfarë ishte likuiduar si punëtorë zyrtarë të asaj kohe në shërbimet e punëve të brendshme.
Gjatë luftës, likuidimet ndodhën sepse, si oficerë karriere me përgatitje profesionale, ua kishin shuar të tjerëve shpresat për poste të larta ushtarake. Ndërsa pas luftës, oponentëve politikë — sepse krahas tyre, assesi nuk do ta kishin pasur shansin për të ardhur apo qëndruar në pushtet.
Definitivisht, kjo opozitë po përpiqet të vijë në pushtet pa marrë parasysh koston që mund të sjellë pasiguri, rrezik për shtetësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit, të rrezikuar nga Serbia. Vërtet është e paimagjinueshme se si kjo opozitë hapur punon në favor të armikut dhe kundër Kryeministrit aktual në detyrë, Albin Kurti, i cili, pas 26 vitesh, veriun e Mitrovicës e shndërroi në pjesë të Republikës së Dardanisë. Edhe sikur të mos kishte kontribuar në asgjë tjetër, vetëm ky akt historik — që gojëkëqinjtë e quajnë “popullizëm” apo “patriotizëm të rremë në funksion të qëndrimit në pushtet” — është më shumë se kaq. Ta quash kështu është hipokrizi, veprimtari antishtetërore dhe antikombëtare që nuk mund të marrë epitet tjetër përveçse akt i qartë tradhtie ndaj atdheut, Dardanisë.
Sipas sjelljeve të kësaj opozite proserbe dhe antidardane, kualifikimi i qëndrimit të tyre përkthehet në: kthimin e Serbisë në pjesën veriore, përmes realizimit të marrëveshjeve të dëmshme Thaçi–Vuçiq–Rama, duke u mbështetur në idenë se me largimin e Albin Kurtit nga pushteti, projektet e tyre shumë lehtë e shumë shpejt do të realizohen. Por ja që u mbeti në fyt!
Popull i nderuar i Dardanisë, tani shpresa e vetme mbetet në duart tuaja: duke i siguruar ish-udhëheqësit mandatin e plotë katërvjeçar, për herë të parë në historinë e Dardanisë, përderisa ende i mbani shenjat e gjenocidit serb, viktimat e të gjitha moshave dhe gjinive, duke mos harruar luftën e shenjtë çlirimtare heroike të UÇK-së, me në krye Komandantin Legjendar Adem Jasharin dhe Familjen Heroike Jashari nga Drenica e Kuqe Legjendare — asnjëherë e pamposhtur nga Serbia — si shembull dhe amanet i pashuar për gjeneratat e reja të Dardanisë.
Një gjë dua t’ua bëj me dije: për tri dekada e gjysmë gjatë qëndrimit tim në SHBA, përmes organizatës së vetme lobuese të regjistruar në Washington DC, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane apo Lobi Shqiptar, me në krye heroin e lobimit Joe DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi dhe Bordin Ekzekutiv, për herë të parë u fut çështja shqiptare në përgjithësi dhe ajo dardane në veçanti në agjendat e politikës zyrtare amerikane, përmes Kongresit dhe Senatit, si dhe u demaskua Serbia fashiste gjenocidale.
Tani, për ironi, po na duhet të lobojmë kundër mercenarëve dhe satelitëve shqipfolës të Serbisë, duke ua përpiluar profilet e tyre të vërteta pranë administratës amerikane.
Ja, lexojeni se çfarë deklaron lideri i LDK-së, i partisë së Dr. Ibrahim Rugovës:
“Refuzimi për të bashkëpunuar me politikën e Albin Kurtit është një prej vendimeve më kombëtare të LDK-së.”
Absurd. Asnjëherë nuk kam dëgjuar që partitë opozitare ndonjëherë janë shprehur me këtë diskurs ndaj Vuçiqit.
Dhe për fund, popullit të Republikës së Dardanisë, në këto rrethana të krijuara nga ata që, siç thuhet, “flasin shqip, por mendojnë serbisht”, vetëm ju jeni ata që mund t’ia ndërprisni rrugën këtij narrativi shtetëror e kombëtar.
Sillni në pushtet njerëzit e pastër, të dijshëm dhe të guximshëm, ata që Serbisë ia kthejnë fjalën dhe ia ndalin hovin. Ai është Albin Kurti, njeriu që ndryshoi rrjedhat historike të Republikës së Dardanisë — dhe jo vetëm.
Pa një shtet të fortë, funksional e të sigurt, i cili, në bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA-në, përveç në aspektin shtetëror, politik e diplomatik, po forcohet edhe në aspektin ushtarak, duke ndarë mjete të konsiderueshme për ushtrinë — me ushtarë e ushtare të rinj e të reja si kurrë më parë — të pajisur me teknikë dhe teknologji amerikane, nuk mund të ketë siguri të qëndrueshme.
Kjo është garancia dhe shpresa për një të ardhme të sigurt të shtetit dhe një ardhmëri me perspektivë për gjeneratat e reja, pasardhës të atyre që na sollën lirinë.
Hafiz Shala
New York, 29 korrik 2025