Pse Prishtinës i duhet një riorganizim liminal në dobi të qytetarëve?!

Opinione

Pse Prishtinës i duhet një riorganizim liminal në dobi të qytetarëve?!

Nga: Agim Vuniqi Më: 31 korrik 2025 Në ora: 11:38
Autori Agim Vuniqi

Qysh në fillesat e pluralizmit, koncepti i LDK‑së për organizimin e kryeqytetit nuk ishte thjesht teknikë partiake: ishte një filozofi e shtrirjes së qytetit në degë e nën‑degë, e një decentralizimi të brendshëm që e bënte lagjen qelizë të demokracisë urbane, e bartur nga koha e “centralizimit demokratik”, para rrënimit të KSAK, në kohën kur Obiliqi dhe Fushë‑Kosova u shndërruan në komuna kadastrale si pjesë e një vizioni zhvillimor; në Prishtinë u hartuan harta të mëtejshme të ndarjes në Bashkësi Lokale (p.sh. BL XIII dhe XIV—Tophane), nëndega “2 Korriku” ku u mendua që vendimmarrja të afrohej te qytetari. Ato harta u ekspozuan publikisht; dokumentet iu dhanë edhe aktorëve konkretë të kohës, si Prof. dr. Ali Aliu, për të çuar përpara procesin në Kryesinë nismëtare të LDK-së. Në atë periudhë, organizimi i nën‑degëve s’ishte thjesht skemë: ishte praktikë qytetare—nga pastrimi me vetë‑inicim te vullneti i vullnetarëve për të ndarë përgjegjësinë e zhvillimit.

Sot peizazhi është përmbysur. Qeverisja e kryeqytetit është politizuar tej mase; ndikimi i partive është bërë mjet i pushtetit, jo shërbim i qytetarëve. Sistemi zgjedhor dhe praktikat administrative kanë krijuar një centrifugë ndikimesh partiake që gërryejnë meritokracinë, zbehin pjesëmarrjen dhe e shndërrojnë vendimmarrjen urbane në konto të ngushta politike. Qyteti nuk “flet” më përmes lagjeve; flet përmes koordinatave të koalicioneve.

Ku po ngec Prishtina?

Konfuzioni i kompetencave: lagjet dhe bashkësitë lokale janë zbehur; vendimet kryesore janë centralizuar në zyrat e kryeqytetit, shpesh të ndërvarura nga marrëveshje partiake.

Kapja partiake e administratës: rotacioni politik sjell pasiguri, lëvizje masive të stafit, rekrutim me kritere lojaliteti e jo merite. Buxhete të papërcaktuara me formula të drejta: lagjet me nevoja më të mëdha nuk marrin domosdo më shumë, sepse mungojnë mekanizmat e rishpërndarjes së barabartë. Transparencë e fragmentarizuar: të dhënat nuk publikohen në formë të kuptueshme, nuk ka marrëveshje të nivelit të shërbimit, ankesa që qarkullojnë pa zgjidhje.

Sistem zgjedhor me gravitet partiak: listat partiake dhe kultura e mbyllur e vendimmarrjes e zbehin ndikimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve në nivel lagjeje.

Propozim për një  riorganizim liminal të Prishtinës, nga “dega” te distrikti urban

Të ri‑krijohen distrikte urbane (p.sh. Tophane, Dardani, Ulpianë, Lagjja e Spitalit, Kalabria, Arbëria, Velania, Mat, etj.) mbi bazën e bashkësive lokale dhe realiteteve funksionale, me këshilla distrikti të zgjedhura drejtpërdrejt.

Të barten kompetence të qarta të deleguara te distriktet: pastrimi dhe mirëmbajtja e hapësirave publike, ndriçimi, menaxhimi i parqeve të lagjes, lejet e vogla (p.sh. ndërhyrje nën një prag m²), kujdesi bazik social dhe shërbimet e afërta me komunitetin, pjesë e mirëmbajtjes së objekteve shkollore e çerdheve.

Niveli metropolitano i Prishtinës (bashkë me Fushë‑Kosovën, Obiliqin dhe komunat fqinje duhet të ketë shërbime të përbashkëta): transport publik, planifikim i përgjithshëm hapësinor, menaxhim i mbetjeve, ujësjellës‑kanalizime, ajri i pastër, strehimi social në shkallë rajonale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat