Marrëveshja që mungon: Kosova me vetveten

Opinione

Marrëveshja që mungon: Kosova me vetveten

Nga: Nexhmedin Shehu Më: 31 korrik 2025 Në ora: 15:29
Autori Nexhmedin Shehu

Ne jemi gjithnjë ai vagon i shkëputur, që endet i humbur në binarë të tjerë, për shkak të vonimit të makinistit që lidh trenat. Kishim kohë, dikur, të renditeshim me NATO-n — në kohën kur ajo ishte në zgjerim, në rritje dhe në forcim të kapaciteteve të saj.

Nuk e bëmë. Nuk gjetëm kohë për çështje të mëdha. Përjashtim bën koha e Ibrahim Rugovës, kur orientimi strategjik drejt Perëndimit ishte një prioritet kombëtar i pakontestueshëm. Por më pas, devijuam. U kthyem kah të voglat. Çështjet madhore ua lamë në dorë Shteteve të Bashkuara, ndërsa ne u përqendruam në tokën e mbetur, fabrikat për skrap, shtëpitë e boshatisura dhe hiset e brendshme të Kosovës. Rindamë zonat me emra krahinorë, jo si pasuri kulturore, por si territore influence dhe ndarjeje: Llapi, Drenica, Dukagjini, Anamorava… U morëm me paditë e brendshme, me ndarjen e sovranitetit në negociata të pafundme me Serbinë, dhe përfunduam me komunat serbe si instrument për thellimin e ndarjeve në vend të ndërtimit të unitetit.

Sot, kur më në fund kemi arritur ta projektojmë anëtarësimin në NATO si qëllim strategjik të domosdoshëm për sigurinë dhe stabilitetin tonë, duket se vetë NATO po zë vendin e pasmë të vëmendjes globale. Ajo është e zënë me ristrukturimin e vet, përballë sfidave të reja ndërkombëtare, dhe nuk e ka më prioritet zgjerimin në Ballkan. Ndërkohë, vetë ne i kemi ngritur shumë nga pengesat që na ndajnë nga Europa e Bashkuar. Si mund të pretendojmë seriozitet, kur udhëheqësit tanë janë të ndarë mes Hagës dhe statusit “non grata” në SHBA, ndërkohë që luftojnë për pushtet, jo për vizion? Si mund të ndërtojmë shtet, kur nuk kemi Kuvend funksional? Si mund të ecim drejt NATO-s dhe BE-së, kur jemi të ndarë edhe në brendinë tonë institucionale dhe morale? Në këtë rrethana, vërtet dukemi joseriozë, madje fëmijërorë, në një botë që kërkon pjekuri politike dhe përgjegjësi të lartë shtetformuese.

Prandaj, një rishqyrtim kritik i të gjitha fazave të krijimit të shtetit është i domosdoshëm — nga të gjitha subjektet politike dhe shoqëria civile. Vetëm kështu mund ta kthejmë vagonin e humbur në binarët e drejtë, që çojnë drejt zhvillimit, sigurisë, paqes dhe mirëqenies. Këto janë të vetmet garanci reale për anëtarësimin në NATO e BE, por më shumë se kaq — janë kushti për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.

Është pozitive që po ndërtojmë marrëveshje strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lëmin e mbrojtjes e siguris. Lajme si heqja e Kosovës nga listat e vendeve me rrezik të lartë nga Banka Botërore e FMN, apo vazhdimi i Programit Kompakt të Korporatës Sfidë e Mijëvjeçarit (MCC), janë dëshmi e potencialit tonë kur jemi të përkushtuar dhe seriozë. Por a kemi ndërtuar ndonjëherë një marrëveshje strategjike me veten tonë? Kjo është sfida e sfidave! Pa të, çdo marrëveshje tjetër, sado ndërkombëtare e strategjike të jetë, do të mbetet një shpresë pa rrënjë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat