Në një kohë kur bota përballet me valë të reja të dhunës shtetërore, me përplasje të gjata e të pashpresa si në Ukrainë apo në Rripin e Gazës, një dritë e kthjelltë reflektimi vjen si episod i dokumentar i reagimit gjithpërfshirës i botës perëndimore i udhëhequr nga presidenti amerikan Clinton dhe kryeministri britanik Bler, dhe ky rast ishte më shumë se një përpjekje mediatike për të kujtuar të shkuarën; është një thirrje publike për kthim në mendimin racional dhe në përvojën që ofron historia.
Reagimi i menjëhershëm dhe i përbashkët është rrëfim autentik për periudhën më të vështirë të popullit të Kosovës – kohën kur një komb i tërë u përball me dhunën shtetërore serbe dhe vendosi të përgjigjej jo me armë në dorë, por me përkushtim qytetar dhe me përpjekje për ndërtim institucional. Kjo strategji e “rezistencës paqësore”, e ndërtuar me përkushtim nga intelektualët e kohës, më vonë liderët e LDK-së dhe shoqëria civile, ishte unikale në Ballkanin e përgjakur të viteve ’90 dhe mbetet si model për trajtimin e konflikteve në epokën moderne.
Rikthimi i këtij kapitulli te historisë, i përpjekjes titanike te shqiptarëve për më shumë demokraci kundër dhunës, është jo vetëm një rrëfim publik, por gjithashtu ka simbolikën e vet të fortë – është zëri i kujtesës, është zëri i atyre që kujdeseshin për popullin në mënyrë të përditshme, duke ndërtuar institucione paralele, duke edukuar fëmijët në shkollat e Republikës së Kosovës, dhe duke e shpëtuar kombin nga shuarja politike e kulturore. Ata që kanë përjetuar atë kohë nuk ishin vetëm si vëzhgues, por ishin edhe si pjesëmarrës aktiv në rrjedhën e historisë, ishin populli.
Në një botë që çdo ditë shtyn më thellë drejt radikalizimit dhe ndasive të rrezikshme, përvojat e tjerëve, faktet dhe spjegimi i historisë nga dijetarët janë të domosdoshëm. Ata i ofrojnë brezave të rinj një dritare për të kuptuar se lufta nuk është zgjidhje, por burim i përhershëm i dhimbjes, i largimit masiv, i pasigurisë globale.
Sot, kur Ukraina digjet nën hije të ambicieve imperiale ruse dhe kur Gaza vazhdon të jetë fushë e përgjakshme e një konflikti të pambarim, përvoja kosovare mund të jetë një shembull frymëzues. Bashkësia ndërkombëtare dikur pati kurajën të vepronte si e tërë në kohën e Presidentit Bill Clinton, duke ndalur një genocid në zemër të Evropës. Pse sot mungon ai vullnet? A është bota bërë më cinike, apo më e lodhur nga idealizmi?
Zgjidhja e konflikteve afatgjata kërkon më shumë se veprime diplomatike sterile. Kërkon të dëgjohet zëri i atyre që e njohin dhimbjen, që kanë përjetuar rrënimin e gjithçkaje dhe që e dinë se paqja nuk fitohet vetëm nëpër tavolina diplomatike, por nëpër rrënjët e shoqërisë dhe ndërgjegjen e popullit.
Prandaj, e kaluara nuk është thjesht një rikujtim televiziv, por ato ngjarje janë platforma të edukimit kolektiv, të rritjes së vetëdijes dhe të rezistencës ndaj amnezisë kolektive. Ato i japin vend mendimit të thelluar, analizës historike, dhe mbi të gjitha, humanizmit si alternativë ndaj dhunës.
Nëse bota ka nevojë për zgjidhje të qëndrueshme në Ukrainë, në Lindjen e Mesme apo gjetkë, ajo duhet të ndalet për një moment dhe të dëgjojë edhe zërin e mendimtarëve, të historianëve, të intelektualëve – jo vetëm të politikanëve që mendojnë për ciklin e ardhshëm zgjedhor. Historia e Kosovës tregon se kur politika ecën krah mendjes dhe zemrës së popullit, ndodhin mrekulli.