Kur shteti lëkundet, kombi duhet të zgjohet

Opinione

Kur shteti lëkundet, kombi duhet të zgjohet

Nga: Nijazi Halili Më: 5 gusht 2025 Në ora: 10:24
Nijazi Halili

Në historinë tonë si komb, jemi ngritur herë pas here për ta mbrojtur atdheun kur rreziku ka qenë i dukshëm dhe i dhunshëm. Por në kohë paqeje, kur ndërtimi i shtetit dhe konsolidimi i identitetit kombëtar kërkon maturi, bashkim dhe mendje të kthjellët, duket se forca jonë për bashkim venitet. Po dështon ajo që duhet të ishte virtyti ynë më i madh: vetëdija për rrezikun kur ai vjen i heshtur dhe i kamufluar.

Në Perëndim, mendimi politik që shekuj më parë hodhi themelet e shtetndërtimit modern, ishte i qartë në prioritete. Në shekullin XVII, kardinali Richelieu, një nga figurat më me ndikim në historinë franceze, theksonte se shpëtimi i shtetit nuk pret: ai kërkon vendim sot, ose s’vjen më. Për të, jeta shpirtërore e njeriut ishte çështje e përjetësisë, por jeta e shtetit është  çështje e urgjencës tokësore.

Për fat të keq, ky lloj mendimi i kthjellët strategjik mungon ende në mesin tonë. Zgjimi kombëtar po vonon. Në vend të shfrytëzimit të dijes dhe të mendjes kritike që kemi brenda nesh, në vend të bashkimit rreth ideve dhe vlerave, shoqëria shqiptare shpesh rrëshqet drejt ndarjes, heshtjes dhe mosveprimit. Elitat akademike dhe profesionale, edhe kur kanë përmasa ndërkombëtare, po injorohen në vend që të përfshihen në orientimin e proceseve vendimtare.

Jo rastësisht shqiptarët vazhdojnë të jenë të shpërndarë në pesë shtete. Kjo ndarje është rezultat i padrejtësive historike, por sot ajo vazhdon të thellohet për shkak të mungesës së bashkëpunimit real ndërshqiptar. Kjo mungesë koordinimi, e theksuar edhe pas pavarësisë së Kosovës, po lehtëson zvarritjen e proceseve dhe relativizimin e aspiratave tona të drejta kombëtare nga faktorët ndërkombëtarë.

Shteti nuk është i përjetshëm. Ai nuk qëndron vetvetiu. Ai kërkon përkushtim, përditësim të vizionit dhe, mbi të gjitha, mobilizim të ndërgjegjes kolektive. Ashtu siç kujdesej Richelieu për interesin shtetëror të Francës së shekullit XVII, edhe ne sot duhet të kujdesemi për interesin e shtetit tonë përndryshe, rreziku nuk do të vijë vetëm nga jashtë, por edhe nga brendia jonë që nuk reagon. Kur shteti lëkundet, kombi duhet të zgjohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat