Kur gjykata vret më shumë se krimineli!

Opinione

Kur gjykata vret më shumë se krimineli!

Nga: Faton Mehmeti Më: 15 gusht 2025 Në ora: 16:33
Faton Mehmeti

Ngjarja tragjike në Gjilan, ku Mefail Shkodra vrau tre persona dhe plagosi një tjetër, nuk është vetëm një histori e rëndë kriminale – është një aktakuzë e hapur ndaj sistemit tonë të drejtësisë. Ky krim nuk u bë vetëm me plumba, por edhe me vulë dhe firmë gjyqtarësh e prokurorësh që e kanë kthyer lirimin e të rrezikshmëve në praktikë të zakonshme.

Sa herë duhet të përsëritet ky skenar që të kuptojmë se problemi nuk është vetëm te krimineli, por edhe te ata që kanë për detyrë ta mbajnë pas hekurave? Mefail Shkodra nuk u bë i rrezikshëm brenda një nate. Ai ka pasur dosje, histori kërcënimesh dhe lidhje me aktivitete të paligjshme. Megjithatë, një sistem i kalbur, i mbushur me korrupsion dhe ndikime, zgjodhi t’i mbyllë sytë dhe t’i hapë derën.

Në Kosovë, krimineli shpesh nuk ka nevojë të arratiset nga burgu e nxjerrin vetë ata që duhet ta mbajnë aty. Arsyet? Para, miqësi, lidhje politike, kërcënime, shërbime të ndërsjella. Dhe derisa kjo zinxhirë korrupsioni të mos këputet, çdo qytetar mbetet një target potencial i dhunës. Prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar nuk janë thjesht “pjesë e problemit” ata janë motori që e mban gjallë. Ata nuk vrasin me armë, por me vendime. E këto vendime janë po aq fatale sa plumbat.

Kjo ngjarje duhet të jetë alarmi i fundit: pa një vetting të thellë, pa largimin e atyre që shesin drejtësinë, pa dënime të ashpra për gjyqtarët dhe prokurorët që abuzojnë me detyrën, vrasjet do të përsëriten, e fajtorët e vërtetë do të fshihen pas uniformave të drejtësisë. Nëse drejtësia vazhdon të jetë në shitje, atëherë jeta e qytetarëve mbetet pa asnjë çmim. Mjaft me heshtje!

Çdo qytetar që pranon këtë realitet pa reaguar është pjesë e problemit. Nuk ka më kohë për konferenca e deklarata boshe. Duhet një vetting i pamëshirshëm, pastrim total, dënime shembullore për këdo që ka shitur drejtësinë. Koha është tani, nesër është vonë...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat