Nga frika e madhe prej Napoleonit (Bonapartit) – Maksimilian Robespieri, thuhet se natën e 1 majit të vitit të largët 1794, e kishte kaluar diku pranë St. Zhystit në distriktin e njohur "St. Zhermen" të Parisit, ku si papritur, dhe pa e kuptuar as vetë, më vonë iu shfaq në ëndërr një person i panjohur me një parullë ose slogan të posaçëm në formën e shkronjës "S". Ky person kishte tentuar që ta mbyste ose vriste në ëndërr Maksimilian Robespierin, saqë ky i fundit kishte bërtitur me zë të lartë, duke e zgjuar kështu edhe St. Zhystin nga gjumi i thellë i natës, si dhe duke ia treguar (rrëfyer) ëndrrën e frikshme dhe ndjellakeqe. Ndërkohë, disa javë ose muaj më vonë, gjithnjë sipas "legjendës" së mësipërme (astrologjike), njeriu që do ta vriste Maksimilian Robespierin pas gilotinës kishte qenë Sampsoni, apo njeriu i Napoleonit, emri i të cilit fillonte me shkronjën "S".
Ndërkaq, Luigji i XIV-të, pas pushtimit ushtarak të një qyteti të lashtë me tempuj, faltore, kisha dhe kështjella të shumta, dikur natën vonë, thonë se e kishte parë në ëndërr njërin prej ushtarëve ose gardistëve të tij më të shkathët dhe më besnik, i cili kishte tentuar që ta prente (mbyste) me shpatë ose me thikë. Saqë menjëherë të nesërmen, perandori i lartëpërmendur francez (Luigji XIV-të) kishte dhënë urdhërin për rreshtimin e të gjithë ushtarëve ose gardistëve të tij, duke i pyetur secilin prej tyre, një nga një, mbi "tentimvrasjen" e paralajmëruar në ëndërr?! Ku kishte ngelur i stepur nga përgjigjja e sinqertë e gardistit të lartëpërmendur, i cili i kishte thënë Luigjit të XIV-të në sy, se gjatë tërë kohës kishte tentuar të vriste me thikë ose me shpatë monarkun francez për shkak të kursit të tij diktatorial, absolutist dhe tepër të vrazhdë ose despotik.
Gjithashtu, janë të njohura edhe "legjendat" e tjera mbi "profecinë" ose "rrugën e lartë mbretërore" të ëndrrave (via regia) edhe tek shumë mbretër ose perandorë të tjerë.
Liderët ose politikanët e ndryshëm kosovarë, si duket, u besojnë aq shumë ëndrrave ose iluzioneve të ndryshme?!
Kështu që, përveç pjesës së zgjuar, aktive ose inteligjente, ata e vënë në shërbim edhe pjesën e fjetur ose statike të vetëdijes dhe nënvetëdijes së tyre, në vlerësimin emocional, instinktiv, imagjinar ose fiktivo-astrologjik të rivalëve ose kundërshtarëve politikë.
"Tre pasione të thjeshta, por tepër të forta, e kanë dominuar dhe komanduar jetën dhe personalitetin tim: Etja ose dëshira e kahmotshme për liri e dashuri, kërkimi i dritës së dijes edhe përmes vrimës së gjilpërës, dhe keqardhja e thellë për vuajtjet dhe mjerimin e njerëzimit." (Bertrand Russell, në Hyrje në një histori të filozofisë së Perëndimit)
"Shpirti, intuita dhe mendja ose intelekti i lartë i njeriut, dhe jo ëndrrat, janë burimi kryesor, njëherësh edhe forma më sublime dhe relevante për njohjen dhe kuptimin e jetës, botës, natyrës dhe fenomeneve të ndryshme." (H. Bergson)
Sokrati aso kohe vdiq në gjyqin ose burgun e Athinës, sepse më tepër e deshi dhe e çmoi lirinë e rrezikuar, sesa robërinë e qetë.
Në Kosovë (Ballkan) liderët ose politikanët kanë frikë, fobi, paranoja dhe mosbesim të madh nga njëri-tjetri, saqë edhe politikën, postet ose funksionet e ndryshme ditore ose periodike, i kuptojnë si mbrojtje ose shpëtim nga njëri-tjetri.
Kështu që pushteti dhe politika atje janë vazhdimi i luftës (së egër) me mjete të tjera.
Armiqtë ose kundërshtarët kryesorë të paqes sociale, lumturisë dhe harmonisë së përgjithshme njerëzore ose qytetare, janë korrupsioni, dhimbja, frika, ankthi, stresi, depresioni, mërzia, mediokriteti, cinizmi, injoranca dhe padituria së bashku me ndarjet, shkurorëzimet dhe diferencat e ndryshme bashkëshortore, familjare, sociale, klasore, ekonomike, qeveritare ose politike etj.
Ndonëse, në Kosovë si duket nuk ekziston fare klasa e mesme, por vetëm të varfër ekstremë, të pasur dhe shumë të pasur.
Shtoja këtu edhe "profesor doktorët", "akademikët", "PhD-të" dhe "magjistrat" e livadheve me plot bar e kullotë, që e bëjnë Kosovën "shtetin më akademik" të planetit! Madje, edhe më shumë se Rusia.
"Ku po të djeg ty, pse unë jam 'PhD', apo 'dr. mr. shkence', dhe ti nuk je askund me shkencë! Kush të ka faj pse nuk di si unë", do të thoshte "shkencëtari" i mrrolur si dashi.
Çfarë krimesh, çfarë luftërash, çfarë konfliktesh, çfarë tmerri dhe mjerimi social e politik do t’i kishte shmangur shoqëria shqiptare ose kosovare për një çast, po të dilte dikush dhe të largonte frikën individuale e kolektive, duke bërtitur para të tjerëve me fjalët:
“Të nderuar, mos i dëgjoni këta mashtrues ordiner dhe ambulant! Këta dilerë ose trafikantë të flamujve, kombit, atdheut, shpirtit dhe moralit tonë. Jemi të marrë e të mbaruar nëse harrojmë se vlerat dhe frytet e lirisë (çlirimit) u përkasin të gjithëve, ndërsa toka, prona, pasuria, shteti dhe pushteti i Kosovës, ose u takojnë të gjithëve, ose nuk i takojnë askujt.”
Është e tmerrshme, e papranueshme, reaksionare dhe anakronike, kur prona shoqërore ose publike e tokës së shenjtë atdhetare të Kosovës, të larë me gjakun e bijve më të mirë të kombit, nga dilerë, trafikantë ose matrapazë institucionalë e politikë në Kosovën e pasluftës, zaptohet, privatizohet ose uzurpohet mbi bazën e “xhunglës së madhe” të ligjeve të pashkruara, dhe u shitet të tjerëve si troje ose parcela ndërtimi me çmime astronomike! Duke i pasuruar e bërë milionerë hajnat, rrugaçët, analfabetët, dilerët e trafikantët shqipfolës në Kosovë ose diasporë, me tokën dhe pronën e uzurpuar!
Pronarët ose uzurpatorët e atyre pronave të paligjshme, së bashku me dilerët e trafikantët institucionalë e politikë të luftës, paraluftës e pasluftës, si çifçinj, zaptues ose zotërues skllavopronarë, i kanë vënë në ankand Veriun e Kosovës dhe Mitrovicën (ku janë “Trepça”, Ujmani dhe pasuritë kryesore të Kosovës!) – për një copë shtet dhe një trohë pushtet!
Ata duhen vënë menjëherë para ligjit dhe drejtësisë. Pikë.
《Albin Kurti si duket ka frikë edhe nga pushteti, edhe nga politika opozitare?!》
Në politikën e lartë ose diplomaci, shpeshherë është si në frontin e luftës, në kuptimin se ata që shkojnë në luftë: ose janë strategë e komandantë të shkolluar dhe me përvojë që e fitojnë luftën, ose vdesin në fushëbeteja të ndryshme, akoma pa mbaruar lufta!
Uroj të mirëkuptohemi….!
ASH