Qëndrimet e opozitës janë shfaqje e një mohimi konstituimi institucional

Opinione

Qëndrimet e opozitës janë shfaqje e një mohimi konstituimi institucional

Dedë Preqi Nga Dedë Preqi Më 20 gusht 2025 Në ora: 13:53
Foto ilustrim

Mbas aktgjykimit dhe udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila i mbetet borxh Kuvendit dhe deputetëve të saj për një sqarim më të përpiktë në rrugëtimin e konstituimit të Kuvendit dhe qeverisë së re, dhe për të zgjidhur një ngërç të krijuar më parë, për fat të keq as sot nuk e kemi votën e opozitës për të konstituar Kuvendin e Kosovës.

As me vota të fshehta, as me vota të hapura dhe as me ndryshimin e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit nga LVV, nuk merret pëlqimi dhe votat e mjaftueshme nga opozita për ta zgjedhur të parin e Kuvendit dhe nënkryetarët e saj, për të formuar qeverinë e re.

Qëndrimet e kësaj opozite janë të qarta, të një mohimi institucional, e cila po jep dëshmi të njëpasnjëshme se nuk ka interesim për krijimin e institucioneve të vendit, për aq sa ka interesim për pushtet dhe eliminimin e pushtetit aktual. Përballë një pozitivizmi dhe qëndrimi njerëzor, ajo sikur po shpërthen e pafuqishme për të vepruar më mirë.

Për të pasur një bindje të saktë për aktualitetin politik dhe gjendjen e brishtë të saj në Kosovë, që po e shkakton klasa politike, gjegjësisht deputetët e Kuvendit të Kosovës, së pari duhet të çlirohemi nga të gjitha mllefet dhe urrejtjet që kemi brenda një garniture të çoroditur dhe të frymëzuar me një lloj arrogance të cekët e primitive, duke shtrembëruar imazhin e këtij populli dhe këtij vendi.

Të marrim parasysh vetëm situatën e fundit dhe gjendjen aktuale politike të këtij vendi: duke u ndalur dhe analizuar kohën nëpër të cilën po kalon konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë së re, fare lehtë do të perceptohet se deri në ç’pikë kemi arritur, nëse nuk jemi në gjendje të krijojmë institucionet tona.

Në këtë klasë politike aktuale ka akoma njerëz aktivë, që e kanë marrë rolin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, që vijnë nga një klasë dhe rrymë e njëjtë e përvojave të hidhura të njerëzve që fshihen pas më të ndryshmeve, që sollën dhe shkaktuan dëm këtij vendi përmes krimeve, korrupsionit dhe devijimeve të ndryshme, të cilët nuk i kanë shuar apetitet e tyre për të krijuar pushtete të tilla.

Njeriu i këtij vendi sikur akoma nuk mund ta kuptojë të ardhmen e vet, nga mungesa e njerëzve të besueshëm dhe kompetentë për një qëndrim dhe kërkim të mirëfilltë të mirëqenies së tij, për shkak se ekzistenca e tyre nëpërkëmbet dhe përbuzet në një mënyrë të tillë, e më keq kur liria dhe demokracia përjetohet me frikë, sikur njeriu i këtij vendi nuk ndjehet akoma i sigurt në rrethin e vet.

Ngarkesa emocionale e një gjykimi të tillë duket jo vetëm e papërshtatshme, por madje edhe e gabuar. Por një gjykim i tillë rrjedh nga përjetimi i një politike të brishtë dhe të papjekur, që nuk i përshtatet e as e favorizon popullin e këtij vendi, por shkakton përçarje dhe disharmoni në mesin e kësaj shoqërie njerëzore.

Shqiptarët gjithandej kanë mundësinë të krijojnë një gjithësi dhe praktikë aq edhe fisnike, me një traditë dhe kulturë të gjerë, me një strukturë të gjallë politike e të larmishme. Mirëpo, e krahasuar me këtë politikë dhe strukturë jonormale, ekzistenca jonë do të ngjante tepër primitive, apo e mbetur në të njëjtën kohë.

Dhe sa më shumë me këto lojëra politike që i inskenojmë në këto forma, për të minuar dhe asgjësuar pozicionet e njëri-tjetrit, aq më qartë do të dalë në pah rruga jonë dhe e ardhmërisë së këtij populli, i cili aq sa kërcënohet nga jashtë, po aq kërcënohet edhe përbrenda.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat