Bajram Rexhepi – Kryeministri i parë i Kosovës dhe sfidat e shtetformimit!

Opinione

Bajram Rexhepi – Kryeministri i parë i Kosovës dhe sfidat e shtetformimit!

Nga: Nijazi Halili Më: 22 gusht 2025 Në ora: 21:08
Bajram Rexhepi

Me ketë shkrim  trajtoj figurën e Dr. Bajram Rexhepit (1954–2017), Kryeministrit të parë të Kosovës pas luftës së viteve 1998–1999, duke e vendosur atë në kontekstin e tranzicionit politik dhe të shtetformimit. Analiza fokusohet në ndërthurjen e dy dimensioneve të personalitetit të tij: misionin humanitar si mjek kirurg dhe përgjegjësinë shtetërore si lider politik. Nëpërmjet qasjes historike dhe analitike, eseja shqyrton rolin e Rexhepit në krijimin e institucioneve të para të qeverisjes së Kosovës, marrëdhënien e tij me faktorët ndërkombëtarë dhe sfidat e brendshme të stabilitetit politik. Përmes figurës së tij, paraqitet modeli i një lidershipi që buron nga integriteti personal, profesionalizmi dhe përkushtimi kombëtar, duke u bërë kështu pjesë e memories institucionale të shtetit të Kosovës.

Historia e Kosovës së pasluftës është e lidhur ngushtë me personalitetet që morën mbi vete përgjegjësinë e drejtimit të shtetit në rrethana të jashtëzakonshme. Njëri nga emrat më të rëndësishëm që lidhet pazgjidhshmërisht me këtë periudhë është Dr. Bajram Rexhepi, kirurgu dhe politikani nga Mitrovica, i cili do të mbahet mend si Kryeministri i parë i Kosovës i zgjedhur pas luftës. Figura e tij përfaqëson një ndërthurje të rrallë mes misionit humanitar të mjekut dhe përgjegjësisë shtetformuese të liderit politik.

Formimi profesional i Bajram Rexhepit si mjek kirurg e bëri atë një personalitet të respektuar në shoqërinë kosovare edhe para se të hynte në politikë. Gjatë luftës së viteve 1998–1999, ai shërbeu si mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u qëndruar afër frontit dhe duke ofruar ndihmën e tij jetike për të plagosurit. Ky angazhim i dha atij një kapital moral të veçantë që më pas u reflektua në besimin e qytetarëve. Pas përfundimit të luftës, Rexhepi kaloi në politikë si një prej figurave kyçe të Partisë Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e para të përgjithshme të vitit 2001, PDK doli forcë e rëndësishme politike, ndërsa ai u propozua si kompromisi për postin e Kryeministrit të Kosovës (2002–2004), duke përfaqësuar një figurë të pranueshme për shumë aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Mandati i tij shënoi një etapë të rëndësishme të konsolidimit institucional. Nën udhëheqjen e tij, Kosova nisi të ndërtojë shtyllat e para të administratës publike, të vendosë raportet ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë dhe të artikulojë aspiratat e popullit shqiptar për shtetësi të plotë. Rexhepi u përball me sfida të shumta: mungesën e sovranitetit të plotë, ndikimin e UNMIK-ut, krizën e sigurisë në veriun e Kosovës dhe nevojën për të krijuar një kulturë politike demokratike. Megjithatë, ai arriti të lërë pas një trashëgimi të rëndësishme të stabilitetit politik dhe të bashkëpunimit institucional, duke i dhënë Kosovës një drejtim të qartë në fazën e saj fillestare të shtetformimit.

Bajram Rexhepi mbetet i njohur jo vetëm për rolin e tij si Kryeministër, por edhe për kontributin si Ministër i Punëve të Brendshme dhe si përfaqësues në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Figura e tij shquhet për thjeshtësinë, integritetin personal dhe etikën profesionale, elemente që shpesh mungojnë në politikën e tranzicionit. Rexhepi nuk e trajtoi pushtetin si privilegj, por si detyrim ndaj qytetarëve. Në këtë aspekt, ai përfaqëson një model të lidershipit etik në politikën shqiptare.

Ai ishte më shumë se një politikan, ishte simbol i tranzicionit nga lufta në paqe, nga mjekësia në politikë, nga sakrifica individuale në përgjegjësi kolektive. Si Kryeministër i parë i Kosovës pas luftës, ai la pas një trashëgimi që tejkalon mandatet politike dhe shërben si referencë për udhëheqësit e rinj. Personaliteti i tij duhet të trajtohet si pjesë e memorizimit institucional të shtetit të Kosovës dhe si shembull i një politike që buron nga humanizmi, profesionalizmi dhe përkushtimi ndaj kombit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat