Maskat kanë shumë simbole dhe kuptime të ndryshme... duke filluar që nga e ‘Martja e Shënjtë’ e Epifanisë ose shfaqjes së Zotit (Hyji), për të vazhduar me karnavalet e ndryshme, fundin e stinës së dimrit dhe fillimin e pranverës, me vrasjet dhe tradhtitë e ndryshme makabre ose funebre nga ana e njerëzve me maska, e kështu me radhë.
Maskat ua mundësojnë individëve të ndryshëm paraqitjen ose prezantimin e tyre para të tjerëve me portretin, figurën ose fotografinë e dikujt tjetër, në çaste ose momente të caktuara.
Ndërkaq, nëntë (9) situatat ose momentet vendimtare të përdorimit ose aplikimit të domosdoshëm të maskave janë:
Pozita dhe statusi i ri social, material dhe politik;
Komunikimi me njerëzit e rangut (nivelit) të ulët dhe të lartë;
Atmosferat dhe situatat e ndryshme stresuese dhe deprimuese;
Gjetja në konflikte, ambiente, atmosfera dhe situata të rënda politike, ushtarake (luftarake), materiale, financiare, sociale, ekonomike, karrieriste etj.;
Reagimet ndaj humbjes ose disfatës politike, ushtarake, funksionale, institucionale, karrieriste etj.;
Reagimet ndaj disfatave ose dështimeve të përgjithshme, totale dhe absolute;
Kur i përqeshni dhe injoroni forcën (fuqinë), autoritetin dhe mundësinë e tjetrit;
Kur nuk i kryeni dhe s’i përmbushni detyrat dhe obligimet politike, ushtarake (luftarake), shtetërore, nacionale, institucionale dhe kushtetuese;
Kur jeni të dehur, injoruar, keqpërdorur, manipuluar dhe shfrytëzuar nga tjetri etj.
Kjo mund të ndodhë vetëm në shtetet ose shoqëritë pseudomoderne ose neoliberaliste (si Kosova etj.), ku e bukura, e vërteta, sublimja dhe madhështorja bëhen konkubine ose kurtizane të "industrisë propagandistike", e sidomos asaj politike, diplomatike, mediale ose ataviste.
Kundërshtare të shkencave politike, si dhe të çfarëdollojë teorie dhe praktike shkencore, humaniste ose metaestetike që krijon vlera, parime, postulime dhe sisteme moderne ose bashkëkohore.
E sidomos atëherë kur ato që mendohen, thuhen dhe shkruhen për lirinë (çlirimin), shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, shpeshherë janë shumë larg nga realiteti, funksioni dhe ndikimi i tyre real ose substancial (esencial) në jetën e njerëzve ose qytetarëve shqiptarë ose kosovarë, në ndërgjegjen dhe vetëdijen e tyre shtetërore, nacionale, politike, historike, ushtarake (luftarake), fetare, kulturore, patriotike etj.
Ndonëse, ky ndikim ose funksion penetron dhe interferon në mënyrë ekzakte, apo të shtrembëruar, edhe në mendimin dhe opinionin e njerëzve ose qytetarëve, dhe i cili anasjelltas ka ndikime, reflektime ose influenca të shumta eksterne ose eksplikative, duke iu përshtatur në një masë të madhe ideologjisë sunduese ose dominuese.
Thuhet se kur lindi Aleksandri (Leka) i Madh, në muajin e vapët të gushtit, një vetëtimë e fuqishme asokohe cau qiellin, si për të paralajmëruar lindjen e atij që do të sundonte më tepër se gjysmën e botës.
Ndërkaq, kur lindi kryestrategu dhe kryeheroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, thuhet se prindërit e tij e kthyen me fytyrë nga dielli, në atë mënyrë që lindja e tij të ngjante në zbritje nga qielli të një lindjeje të lartë hyjnore ose profetike.
"Së pari, duhet të keni një qëllim ose objektiv të qartë; së dyti, duhet t’i gjeni ose zbuloni mjetet për të arritur qëllimin që i justifikon mjetet; dhe së treti, duhet t’i përshtatni mjetet me qëllimet tuaja." (Aristoteli)
"Nëse faktet dhe realitetet nuk përputhen me qëllimet, idealet dhe vizionet tuaja, atëherë ndryshoni mjetet (instrumentet) dhe faktet." (Friedrich Nietzsche)
Në të kundërtën, e vërteta dhe realiteti flasin dhe dëshmojnë vetë, ndërsa gënjeshtra vazhdimisht ka nevojë të madhe për bashkëpunëtorë dhe dëshmitarë.
E keqja dhe paradoksi më i madh në Kosovë është ai kur, prej respektit ose dashurisë së frikshme ndaj shefit ose padronit të idealizuar, himnizuar, mitizuar ose glorifikuar, ndjekësit (shtypësit) dhe viktimat e tyre vazhdimisht e duan njëri-tjetrin.
Për Alfred Adlerin, përveç tjerash, njeriu qenka vetëm një qenie sociale dhe komunitare, i destinuar të jetojë në komunitet si kafshët në kope.
Problemi i socializimit ose pëlqimi pa rezerva i frustrimeve në grupin ku jeton është për individin problemi vendimtar i ekzistencës së tij.
Prandaj, të gjithë atje sikur janë të shikuar ose optikuar nga identiteti i species, nga e cila vjen një lulëzim i veçantë, ku secili prej tyre sikur është i shikuar ose profilizuar nga pandërgjegjshmëria e species, të cilën Jung e quan kolektive.
Në një pandërgjegjshmëri të atillë individuale dhe kolektive, ekzistojnë edhe shpërthimet, instinktet ose emocionet që na karakterizojnë si kafshë, por edhe si kafshë speciale (kulturore ose politike) nga njëra anë, si dhe nga instinktet e verbëra të seksit dhe fuqisë tashmë të individualizuara dhe hetuara nga Frojd dhe nga Adler nga ana tjetër.
Pandërgjegjshmëria individuale dhe kolektive vazhdimisht flet nëpërmjet simboleve fillestare apo mbi arketipet (gjurmët).
Këto arketipe, që janë pothuajse rrënjët embrionale të pandërgjegjshmërisë dhe papërgjegjshmërisë individuale dhe kolektive, shprehen ose manifestohen në "ëndrra të mëdha", të rralla, të pasura me mite, toteme, epose dhe simbole të glorifikuara dhe ekzagjeruara, të përbëra nga histori të diktuara ose imponuara nga individët, ngjarjet ose politikat e ndryshme ditore ose periodike që na impresionojnë thellësisht dhe që na kujtohen shumë gjatë ose vazhdimisht. Këto ëndrra të mëdha janë mitet tona të brendshme ose brenda nesh. Në këtë kontekst i kemi edhe suficitet dhe deficitet e njohura intelektuale dhe profesionale si ato kognitive, gjuhësore ose linguistike, retorike, oratorike, kaligrafike, akustike, semantike, semiotike, semiologjike, motorike, simbolike, komparative, analogjike, studimore, analitike, sociale, sociopolitike, sociopsikologjike, sociofilozofike etj.
Ashtu siç i kemi edhe pengesat ose vështirësitë e ndryshme si retardimi profesional ose politik, retardimi dhe munikacioni (munifikimi) mendor ose psikologjik, semiotika ose semiologjia e mosbesimit ose skepticizmit individual dhe kolektiv në politikë të lartë ose diplomaci, fobia, paranoja, urrejtja, xhelozia, depresioni, tensioni, sugjestioni, inkubacioni, demotivacioni, amnezioni, fataliteti, nebuloziteti, stupiditeti, debiliteti, poroziteti, fragjiliteti, inkompatibiliteti, invaliditeti fizik, mendor (psikologjik), social, intelektual, profesional dhe kështu me radhë.
Fillimi i kolapsit, bankrotit ose dekadencës totale të personit ose individit mund të konsiderohet situata ku nuk ndien turp (marre) as përgjegjësi për asgjë.
Natyrisht se kjo mund të quhet egopati, egomani, apo "shizofreni (skizofreni) e butë" ose fillestare, përderisa personi ose individi nuk paraqet rrezik latent ose permanent për kolektivitetin.
Bota jonë (e sidomos ajo shqiptare ose kosovare) sikur po tkurret dhe zhbëhet vazhdimisht.
E sidomos hapësira jetësore ose gjeografike e shqiptarëve, veç për t’i mbajtur në pushtet klikat ose kastat e ndryshme kleptokratike, pushtetmbajtëse ose politike.
Ndërkaq, shkenca, teknika ose teknologjitë e larta ushtarake ose luftarake, akoma janë të pakapshme, të paarritshme ose të paprekshme, imagjinare ose fiktive për shqiptarët ose popujt e vegjël si ne.
Kush mund t’i kuptojë cirkun, maskat dhe aventurat e fundit të pozitës (pushtetit) dhe opozitës kosovare...?
Kush mund t’ia shpjegojë sot ato popullit ose profanit shqiptar?!
Ndërkohë që politika dhe diplomacia kosovare "shkëlqejnë dhe lulëzojnë" nga futurizmi, imagjinata dhe fantazia.
Për çfarë shërbejnë atëherë arti, kultura, letërsia, gazetaria, publicistika, shkenca (filozofia), politologjia, politika ose diplomacia, nëse nuk na bëjnë më racionalë, më humanë ose më njerëzorë?
Në të kundërtën, ato e bëjnë të kanosur (rrezikuar) qenien, materien, krijesën dhe ekzistencën tonë individuale dhe kolektive.
Në Kosovë njerëzit çdo ditë jetojnë me pasiguri individuale dhe kolektive në kontekstin e njohur objektiv dhe subjektiv... S’ka gjë më të ankthshme dhe më stresuese se kjo për njeriun e sotëm shqiptar ose kosovar.
Boshti i etikës shkencore, kulturore, informative, politike dhe diplomatike qëndron te fuqia dhe aftësia e njohur për universalizimin e koncepteve dhe postulimin e vlerave dhe parimeve.
Ndërkaq, për të pasur një shtrirje të përgjithshme (globale ose universale), arti, kultura, informimi, letërsia, politika e jashtme ose diplomacia duhet të jenë të kualifikuara, profesionale, intelektuale, inteligjente, komparative, analogjike, komprehensive, kontemplative, komplementare, suplementare, shkencore ose humaniste... Të ngritura, projektuara dhe mbështetura ndërkohë në ngritjen ose ndërtimin e një etike dhe filozofie globale ose universale, në domenin ose kontekstin e një narrativi, gjakimi dhe vizioni të njohur për virtytin dhe idealin përmes një shtegtimi përmasash globale ose universale. Kjo i duhet Kosovës për çastin ose momentin.
Kosovës sikur i mungon narrativi (narracioni) dhe fuqia e njohur nxitëse, kreative dhe stimuluese e elitës së njohur shkencore, intelektuale, kulturore, politike dhe diplomatike, e cila do të duhej të shquhej dhe karakterizohej me një shpirt të pasur hulumtues, skrupuloz dhe patriotik, si dhe me metoda të njohura shqyrtimi, eksperimentimi, vëzhgimi, studimi dhe analize.
Atje, si duket, ka përballje të pamëshirshme, infernale ose apokaliptike në mes vlerave dhe antivlerave.
Aty, zatën, si duket e sigurojnë strehën ose audiencën e tyre forcat e ndryshme retrograde, diabolike, paradoksale, reaksionare dhe anakronike.
Ndonëse, shtetin, lirinë dhe pavarësinë tonë individuale dhe kolektive gjithmonë duhet matur, çmuar dhe vlerësuar në bazë të luftës dhe sakrificave të njohura individuale dhe kolektive, e jo në bazë të interesave të ndryshme politike, partiake, pushtetmbajtëse ose karrieriste të grupit, personit ose individit. E sidomos vlerat e njohura të luftës së lavdishme të UÇK-së bashku me platformën dhe filozofinë politike të Dr. Rugovës.
Kur të bien dhe të hiqen tërësisht maskat e ndryshme: më në fund do të kuptohet dhe do të dalë në dritë e vërteta e hidhur e politikës dhe politikëbërjes së Kosovës.
Paslufta dhe lufta për karrierë dhe pasuri të pamerituar jo rrallë e kanë zbehur shkëlqimin dhe uniformën e komandantit ose luftëtarit.
Ndërkohë që luftërat liridashëse, çlirimtare ose patriotike, siç ishte lufta e UÇK-së, nuk na mësojnë kurrë t’i duam pushtuesit e deridjeshëm apo të bëhemi bashkë me armiqtë e ndryshëm shekullorë ose gjakatarë, por t’i përmbysim ose eliminojmë pushtetin ose qeverinë me format, metodat, projektet ose planimetritë e tyre makabre e funebre – kundër nesh si individ dhe kolektivitet.
Lider ose politikan intelektual, profesional dhe inteligjent është ai i cili në radhë të parë dëshiron të sjellë rregull, qartësi, urtësi, vigjilencë dhe maturi në veprimet dhe reagimet e ndryshme individuale dhe kolektive, dhe jo kaos, konfuzion dhe anarki totale.
E sidomos për të kapërcyer "ylberin politik" përtej asaj "anës tjetër" faustiane ku njerëzit ose politikanët e ndryshëm ditorë ose periodikë bëhen të "përjetshëm" duke e sharë dhe luftuar Serbinë me fjalë boshe, apo retorikë dhe oratori të zjarrta revolucionare e populiste, ndërkaq sillen dhe punojnë edhe më keq se Serbia!
Pa e harruar asnjëherë hipotezën ose teorinë e përgjithshme, të posaçme (specifike), personale etj., së bashku me strategjinë mbrojtëse, konkurruese dhe menaxhuese ndaj kanosjes, pasigurisë dhe befasisë etj.
ASh