Kosova, drejt zgjedhjeve të reja

Opinione

Kosova, drejt zgjedhjeve të reja

Nga: Faton Mehmeti Më: 11 shtator 2025 Në ora: 15:22
Faton Mehmeti

Kosova po kalon një periudhë të ndërlikuar politike, ku bllokadat institucionale dhe mosmarrëveshjet ndërmjet forcave politike po e çojnë vendin drejt një pasigurie të gjatë. Çdo ditë që kalon, qytetarët po e shohin se politika në Kosovë po mbetet peng i interesave partiake, duke e lënë mënjanë interesin e përbashkët, stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Në vend që të ndërtohet një konsensus i brendshëm për reformat e nevojshme, për dialogun me Serbinë dhe për përballimin e krizave ekonomike e sociale, partitë politike kanë zgjedhur rrugën e përplasjeve. Ky ngërç po i ngjan një rrethi vicioz ku zgjidhja duket gjithnjë e më e largët, ndërsa qytetarët po humbin besimin në institucione.

Në këtë kontekst, zgjedhjet e parakohshme po shfaqen si një mundësi reale për të dalë nga situata aktuale. Ato mund të jenë një mekanizëm i ri-legjitimimit të pushtetit, duke i dhënë qytetarëve fjalën e fundit. Megjithatë, zgjedhjet nuk janë gjithmonë zgjidhja magjike: nëse mentaliteti politik nuk ndryshon, nëse partitë nuk ofrojnë programe të qarta dhe njerëz të përgjegjshëm, vendi rrezikon të rikthehet përsëri në të njëjtin bllokim. Kosova sot ka nevojë për lidership të matur, vizionar dhe të aftë për të tejkaluar interesat e ngushta partiake.

Nëse ky lidership mungon nga ana e opozitës që po bën sehir, zgjedhjet e parakohshme mund të jenë vetëm një rrotullim i ri i kalendarit politik, por jo një hap drejt stabilitetit. Prandaj, dilema kryesore mbetet: a do të shkohet drejt zgjedhjeve për t’u përballur me të njëjtat probleme, apo më në fund do të ndërtohet një kulturë e re politike që e nxjerr Kosovën nga ngërçi i vazhdueshëm?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat