Vendimi i SHBA-së për ta pezulluar përkohësisht dialogun strategjik me Kosovën ka shkaktuar jehonë të madhe politike në vend. Opozita, në vend se të reflektonte mbi seriozitetin e situatës dhe të shihte se si ky pezullim prek interesat e qytetarëve dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës, ka zgjedhur një qasje të ngushtë politike: propagandën kundër Kurtit dhe rendjen drejt ambasadës amerikane me bindjen naive se aty mund të marrin pushtetin.
Ky veprim tregon një mentalitet të vjetër politik, ku opozita e sheh ambasadën e SHBA-së jo si partner strategjik të shtetit të Kosovës, por si “zyrën e dekretimit” të pushtetit. Kjo qasje e ulë imazhin e tyre dhe e tregon mungesën e një vizioni të pavarur për të ardhmen e vendit.
Në vend që të paraqesin alternativa konkrete për menaxhimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, opozita duket e fiksuar me një strategji të thjeshtë: të kritikojë Kurtin me shpresën se çdo pakënaqësi amerikane do të përkthehet automatikisht në përfitim për ta.
Por, realiteti është se SHBA-të kërkojnë partnerë seriozë, të përgjegjshëm dhe vizionarë, jo politikanë që e përdorin çdo situatë për propagandë të brendshme. Opozita duhet ta kuptojë se pushteti nuk fitohet duke pritur në dyert e ambasadave, por duke fituar besimin e qytetarëve. Nëse vazhdojnë me këtë qasje, ata jo vetëm që nuk afrohen me pushtetin, por e humbin edhe kredibilitetin si faktor opozitar serioz.Pra, ky episod më shumë e demaskon opozitën sesa e forcon atë: e shfaq si të varur nga ndërhyrja e huaj dhe jo si një alternativë e besueshme për të udhëhequr vendin.