14.09.2025 – Dita e protestës në Hagë: “Hero”, as 24 orë më vonë, më 15.09.2025: “Zero”?!

Opinione

14.09.2025 – Dita e protestës në Hagë: “Hero”, as 24 orë më vonë, më 15.09.2025: “Zero”?!

Nga: Sabahate Byci Më: 17 shtator 2025 Në ora: 10:34
Autorja Sabahate Byci

Sipas diplomatit z. James Rubin, asistent i Sekretarit të Shtetit për çështje të jashtme (1997–2000), dhe njëkohësisht ish-bashkëshorti i gazetares së njohur ndërkombëtare Christiane Amanpour, e drejta e Ushtrisë sonë të shenjtë Çlirimtare (Kombëtare), po rikthehet dalëngadalë në vendin e saj të merituar – si një e drejtë legjitime e lirisë, e fituar me gjak.

Unë, sado që përpiqem, nuk po mund ta kuptoj se kush e mori "bajrakun" i pari dhe nguli këmbë për të organizuar protestë në Hagë pikërisht një ditë para dëshmisë së personit në fjalë?!

Apo ndoshta naiviteti i organizatorëve ka ndikuar te pjesëmarrësit, të cilët – pa diplomaci dhe pa informim të duhur – nuk kanë ditur fare se pikërisht sot, më 15 shtator, James Rubin do të dëshmonte në kuadër të procesit ndaj katër të arrestuarve në Hagë?

Nëse analizojmë me kujdes deklarimet e Rubin-it në bazë të dëshmive të tij, dhe i krahasojmë me mesazhet e protestës së djeshme, del qartë një diskrepancë e madhe, kontradiktore dhe paradoksale në raport me të shtrenjtën tonë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – të bekuar nga Zoti – që ishte shpëtimtare e popullit tonë shqiptar nga gjenocidi serb fashisto-millosheviqian.

Çfarë tha dëshmitari James Rubin?

Sipas dëshmisë së z. Rubin në Hagë:

Katër të arrestuarit nuk qenkan aktorët e vetëm kryesorë të përfaqësimit të UÇK-së, ashtu siç pretendojnë vazhdimisht militantët partiakë të tyre.

Fjalia “Liria ka emër” që u përdor si slogan, sot u relativizua me dëshminë e tij, sepse:

Liria ka shumë emra! Jo vetëm katër apo pesë.

Prandaj, është e domosdoshme që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të mos përdoret si alibi për të mbrojtur vetëm emra të veçantë, sepse:

UÇK-ja ishte dhe mbetet e të gjithë popullit shqiptar, kudo në botë!

Zoti e bekoftë UÇK-në! 🙏

Dje e sot – Heroizëm apo manipulim emocional?

Krahasimi midis ditës së djeshme dhe ditës së sotme është zhgënjyes dhe paradoksal.

Madje aq i rëndë sa, po të kishte ndjenja, edhe vetë “djalli” do ta kishte të vështirë ta përballonte në ndërgjegje.

Sa naiv duhet të jetë njeriu për të kontribuar në një situatë të tillë, duke rënë në kontradiktë me vetveten, vetëm për t’u ndjerë i përfshirë në një ngjarje “kombëtare”?

Nëse dikush dje protestonte për të mbrojtur një “të vërtetë”, ndërsa sot ajo rrëzohet nga dëshmitë zyrtare, atëherë çfarë vlere kishte ajo protestë?

Dhe, a ishin pjesëmarrësit vërtet të informuar, apo vetëm të manipuluar emocionalisht?

Sabahate Byci – Autore

Gjermani

15.09.2025, e Hënë – ora 18:44

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat