Serbia dëshiron të hapë “Kutinë e Pandores” në Ballkan

Opinione

Serbia dëshiron të hapë “Kutinë e Pandores” në Ballkan

Nga: Adnan Qaka Më: 27 shtator 2025 Në ora: 18:02
Adnan Qaka

Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në çfarëdo formati qoftë, do të përbënte një hap të rrezikshëm dhe të dëmshëm për shtetin e Kosovës. Ky asociacion do të ishte një kompromis i dhimbshëm përtej Pakos së Ahtisaarit – një pako e cila, që në fillim, ka cenuar funksionimin normal të shtetit të Kosovës. Kjo pako ka paraparë krijimin e 10 komunave me shumicë serbe, 44 zona të mbrojtura eksterritoriale për kishat dhe manastiret ortodokse (të cilat padrejtësisht cilësohen si serbe), dhe të gjithë ky arkitekturim është një dizajn i kujdesshëm i Martti Ahtisaarit (2005–2007), për të pamundësuar integritetin e brendshëm dhe sovranitetin e jashtëm të Republikës së Kosovës.

Levizja Vetëvendosje, që nga viti 2010 kur hyri në sistemin politik të ndërtuar mbi bazat e Pakos së Ahtisaarit (e cila u shndërrua në Kushtetutë më 9 prill 2008), kishte synimin ta ndryshonte këtë pako dhe jo të tjetërsonte vetveten. Prandaj, prioriteti i parë i qeverisjes Kurti duhej të ishte pikërisht ndryshimi i kësaj kushtetute. Kushtetuta nuk është tekst i shenjtë e i pandryshueshëm; ajo nuk është Kuran. Ligjet dhe kushtetutat janë dinamike dhe ndryshojnë për të reflektuar zhvillimet shoqërore, politike dhe institucionale.

Nëse pranohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (të ashtuquajturës “Zajednicë”), atëherë Kosova do të humbasë përfundimisht integritetin dhe sovranitetin e saj. Si shembull paralajmërues kemi Bosnjën dhe Hercegovinën. Me këto veprime, Beogradi rrezikon seriozisht të hapë "Kutinë e Pandores" në Ballkan.

Çfarë është "Kutia e Pandores"?

Sipas mitologjisë greke, Pandora ishte gruaja e parë mbi tokë, të cilës Zeus i dhuroi një kuti që nuk duhej hapur. Nga kureshtja e tepruar, Pandora e hapi atë, dhe nga ajo dolën të gjitha të këqijat që e pushtuan botën – sëmundjet, fatkeqësitë dhe vuajtjet. Ky është një tregim mitologjik pa bazë shkencore, por në ditët e sotme, shprehja “hapja e Kutisë së Pandores” përdoret si metaforë për veprime që sjellin pasoja të paparashikueshme, shpesh katastrofike.

Prej kohësh, qarqe të ndryshme politike – si brenda trojeve shqiptare, ashtu edhe ndërkombëtare – kanë aluduar për një zgjidhje përfundimtare të çështjes shqiptare në Evropën Juglindore, e cila nënkupton ndryshime kufijsh në Ballkan. Dhe nëse Serbia synon ta hapë këtë kuti për të realizuar projektin e saj të vjetër për “Serbinë e Madhe”, atëherë shqiptarët duhet të përgatiten të kundërpërgjigjen me hapjen e kësaj “kutie”, për të projektuar një konfederatë shqiptare në Ballkan.

Beogradi duhet ta dijë se nuk ekziston çështja e Kosovës. Përkundrazi, ekzistojnë çështjet e bashkësive joserbe që ende jetojnë nën sundimin e Serbisë: shqiptarët në Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës), boshnjakët e Sanxhakut, si dhe hungarezët e Vojvodinës – komunitete ndaj të cilave Serbia ndjek politika diskriminuese, përjashtuese dhe shtypëse.

Statusi i Kosovës është përcaktuar me Planin e Ahtisaarit dhe çfarëdo dialogu tjetër lidhur me të është i panevojshëm. Dialogu i Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka qenë kurrë i domosdoshëm, sepse të drejtat e minoriteteve në Kosovë – përfshirë pakicën serbe – janë të garantuara sipas standardeve më të avancuara evropiane. Beogradit, në të vërtetë, asnjëherë nuk i kanë interesuar të drejtat e serbëve në Kosovë, por vetëm territori i Kosovës.

Serbia për vite me radhë ka tentuar ta paraqesë Kosovën si një “çështje që duhet zgjidhur” ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo është një përpjekje për ta shtyrë drejt ndarjes Kosovën, me qëllimin për ta paraqitur si një “zonë kontestuese” që kërkon rishikim të kufijve. Beogradi duhet ta dijë se kjo qasje është e papranueshme dhe e rrezikshme.

Kosova është një shtet sovran, i pavarur dhe demokratik, i rregulluar mbi bazat e Planit të Ahtisaarit, dhe i njohur nga 119 shtete të botës. Megjithatë, diplomacia serbe ka shpenzuar burime të mëdha për ta bindur komunitetin ndërkombëtar se “çështja e Kosovës” nuk është zgjidhur dhe se nevojitet një marrëveshje përfundimtare – ku në fakt, zgjidhja që i servohet nga qarqet Shovjeniste serbe është ndarja territoriale.

Qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes – Uashingtoni dhe Brukseli – e dinë shumë mirë se çdo përpjekje për ndarje etnike apo rishikim kufijsh do të çonte në hapjen e “Kutisë së Pandores” në Ballkan.

Preokupimi i Serbisë me Kosovën nuk lidhet me pozitën e pakicës serbe, por me interesat ekonomike dhe strategjike, në veçanti me pasuritë natyrore të Kosovës – si Trepça dhe burimet tjera.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk ka pasur si qëllim zgjidhjen e statusit të Kosovës, i cili është zgjidhur përfundimisht. Por me kalimin e kohës, Serbia i ka dhënë këtij dialogu drejtim tjetër – duke e shndërruar në një proces për kompromis të dhimbshëm. Në atë moment, Kosova duhej të tërhiqej nga dialogu. Vazhdimi i dialogut, në rrethana të tilla, ka prodhuar presion për lëshime të njëanshme.

Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku paralajmëron “konflikt të armatosur” në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje, përbëjnë kërcënim direkt ndaj Kosovës. Ky diskurs luftarak, që mbështetet nga aleanca me regjimin e Putinit në Rusi, është i rrezikshëm dhe duhet të ndalet. Është detyrë e Brukselit dhe e Uashingtonit që ta paralajmërojnë Beogradin se rikthimi i retorikës së viteve ‘90 është i papranueshëm dhe destabilizues.

Sot, gjuha e klasës politike serbe nuk ndryshon aspak nga ajo e kohës së Millosheviqit. Dhe përballë një retorike të tillë, Kosova duhet të ketë qëndrime të qarta, të vendosura dhe të dinjitetshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat