Kosova, e drejta kushtetuese dhe rruga drejt perëndimit

Opinione

Kosova, e drejta kushtetuese dhe rruga drejt perëndimit

Nga: Shefqet Avdimetaj Më: 1 tetor 2025 Në ora: 06:26
Autori Shefqet Avdimetaj

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka hapur një debat të ashpër në opinionin publik. Ky vendim, përveçse juridik, është edhe politik dhe prek drejtpërdrejt funksionimin e demokracisë në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti ka dëshmuar se mbetet konsekuent në një parim të vetëm: mbrojtjen e ligjit dhe të Kushtetutës. Ai nuk i ka mohuar kurrë të drejtat e pakicave,përkundrazi, ka insistuar që ato të garantohen në mënyrë të plotë, por ka refuzuar që një pakicë e kontrolluar nga Beogradi të ketë të drejtë vetoje mbi të ardhmen e shumicës. Lista Serbe nuk përfaqëson realisht qytetarët serbë të Kosovës, por interesat gjeopolitike të Serbisë. Dhe kjo nuk është demokraci,është pengmarrje e institucioneve tona.

Sa herë duhet të sakrifikojë Kosova, vetëm që Serbia të “ledhatohet” nga ndërkombëtarët me shpresën se një ditë do të shkëputet nga Rusia? Realiteti është i qartë: Serbia asnjëherë nuk e ka braktisur Moskën dhe nuk ka gjasa ta bëjë. Rusia mbetet partnere strategjike e saj, ndërsa Kosova shihet si peng politik në duart e Beogradit.

Zgjidhja e vetme nuk është lëshimi pe, por forcimi i shtetit të Kosovës. Një Kosovë e fuqishme ekonomikisht, e sigurt ushtarakisht dhe pjesë e NATO-s është garancia e vetme për paqe në rajon dhe për mbrojtjen e interesave të qytetarëve të saj ,shqiptarë, serbë apo të çdo komuniteti tjetër.

Kosova ka vetëm një aleat të vërtetë strategjik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Historia e ka dëshmuar këtë, dhe e ardhmja do ta vërtetojë sërish. Orientimi ynë duhet të jetë i qartë: drejt Perëndimit, drejt NATO-s dhe drejt demokracisë funksionale.

Prandaj, sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për lidership të qëndrueshëm, siç po e demonstron Albin Kurti, dhe për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së. Vetëm kështu ne mund t’i japim fund pengmarrjes politike nga Beogradi dhe të sigurojmë një të ardhme të lirë, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët tanë.

Kosova nuk ka nevojë për bllokada ,Kosova ka nevojë për të ardhme. Dhe kjo e ardhme është vetëm me Amerikën, NATO-n dhe aleatët tanë demokratikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat