Gjykata Kushtetuese: Nga interpretuese e Kushtetutës në imponuese të saj

Opinione

Gjykata Kushtetuese: Nga interpretuese e Kushtetutës në imponuese të saj

Nga: Faton Mehmeti Më: 2 tetor 2025 Në ora: 18:16
Faton Mehmeti

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit Kuvendi nuk mund të quhet i konsoliduar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, është jo vetëm i diskutueshëm, por thellësisht i rrezikshëm për demokracinë parlamentare.

Deputeti në një demokraci parlamentare është i lirë dhe i barabartë në vullnetin e tij politik. Ai ka të drejtë të votojë pro, kundër apo të abstenojë, sipas bindjes, ndërgjegjes dhe qëndrimit të tij politik. Çdo detyrim i imponuar mbi këtë vullnet është cenim i autonomisë së deputetit, është shkelje e parimit themelor që e mban gjallë pluralizmin politik.

Gjykata Kushtetuese, me këtë interpretim, në fakt po e kthen procesin politik në mekanikë të imponuar: jo më vendimmarrje e lirë e deputetëve, por zbatim i një urdhri që del nga një gjykatë, e cila po e tejkalon rolin e saj. Kushtetueshmëria nuk mund të thotë dhunim i lirive politike të deputetëve, as shndërrim i votës në akt të detyruar.

Ky vendim krijon precedent të rrezikshëm: nesër mund të përdoret për të detyruar Kuvendin të zgjedhë dikë vetëm pse një gjykatë e ka përcaktuar, jo pse shumica parlamentare e ka vullnet. Kjo e zhbën logjikën e demokracisë përfaqësuese dhe e vendos vendimmarrjen politike në duart e një trupi jo të zgjedhur.

Gjykata Kushtetuese duhet të jetë gardiane e Kushtetutës, jo arbitër që futet në lojë për të detyruar deputetët të veprojnë sipas një skenari të caktuar politik. Nëse deputetëve u mohohet e drejta për të mos votuar një kandidat të caktuar, atëherë ç’kuptim ka më zgjedhja e lirë?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat