2 centimetra sa për ta parë të vdiste: Tronditëse dëshmia për vrasjen e Liridona Ademajt

Opinione

2 centimetra sa për ta parë të vdiste: Tronditëse dëshmia për vrasjen e Liridona Ademajt

Nga: Faton Mehmeti Më: 6 tetor 2025 Në ora: 15:28
Autori Faton Mehmeti

Dëshmia e ekspertit mjeko-ligjor Naim Uka, se Liridona Ademaj është qëlluar nga një distancë prej vetëm 2 deri në 5 centimetra, e bën këtë rast edhe më tronditës sesa ishte perceptuar deri më tani. Ky fakt nuk është vetëm një detaj teknik i një ekspertize, por një dëshmi e ftohtë e një akti të planifikuar me gjakftohtësi dhe afërsi të frikshme.

Kjo distancë tregon gjithçka: nuk kemi të bëjmë me një sulm të rastësishëm, me një grabitje që ka dalë jashtë kontrollit, apo me një “gabim tragjik”, siç u tentua fillimisht të paraqitej. Jo — kemi të bëjmë me një ekzekutim të afërt, të qëllimshëm dhe pa asnjë mëshirë. Viktima është vrarë në një mënyrë që tregon njohje të mirë mes saj dhe ekzekutorit — afërsi fizike që mund të ekzistojë vetëm kur viktima nuk pret tradhti, kur nuk ka frikë nga ai që ka pranë.

Ky detaj, i vogël në dukje, e ndryshon krejtësisht narrativën e krimit. Ai e rrëzon çdo përpjekje për ta relativizuar rastin dhe e kthen vëmendjen kah motive të errëta, emocionale e të planifikuara. Distanca prej vetëm pak centimetrash është simbol i një tradhtie të thellë — fizike dhe shpirtërore.

Në këtë pikë, shoqëria duhet të reflektojë më shumë për raportet e dhunshme që fshihen pas mureve të shtëpive, për krimet që maskohen si “xhelozi”, “mosmarrëveshje” apo “aksident”. Liridona nuk është vetëm një emër në dosjet e gjykatave; ajo është dëshmi se kur dashuria shndërrohet në kontroll, dhe kontrolli në urrejtje, përfundimi është gjithmonë tragjik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat