Politikanët serb nuk kanë ndërruar aspak strategjinë nacionaliste. Ata, si gjithnjë, përpiqen të justifikojnë luftën shfarosëse kundër të tjerëve për të zbehur kujtesën e opinionit evropian për destruktivitetin dhe krimin. Serbia e sotme, ndonëse e veshur me petkun e demokracisë formale, mbart të njëjtën frymë që dikur e udhëhoqi Millosheviqi drejt shkatërrimit të një gjenerate dhe rrënimit të një shteti.
Rikthimi i frymës së Millosheviqit në versionin Vuçiq
Në vend që të përballet me të kaluarën kriminale, Serbia e Aleksandar Vuçiqit e ka bërë nacionalizmin bosht të politikës së saj të jashtme dhe të brendshme. Përmes konceptit të “botës serbe”, Beogradi kërkon ta riprodhojë ndikimin e dikurshëm të Beogradit mbi hapësirat e ish-Jugosllavisë, duke përdorur mjete të reja — propagandë digjitale, media të kontrolluara, klerin ortodoks dhe instrumente ekonomike.
Në këtë frymë, retorika agresive e viteve ’90 është shndërruar në një diskurs të përditshëm politik, që shfaqet nga parlamenti serb deri te emisionet televizive që glorifikojnë kriminelët e luftës si “mbrojtës të kombit”.
Demonstratat agresive të së kaluarës, me djegien e flamujve perëndimorë dhe sulmet mbi ambasada, sot janë zëvendësuar me sulme hibride e dezinformata sistematike. Serbia përpiqet ta paraqesë Kosovën si “eksperiment të dështuar”, duke e minuar shtetësinë e saj përmes strukturave paralele, refuzimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe instrumentalizimit të Listës Serbe.
Edhe zgjedhjet e fundit në Serbi dhe në veri të Kosovës, të zhvilluara nën tensione, dëshmuan se Beogradi nuk ka ndryshuar filozofi: strategjia mbetet e njëjtë — destabilizim, frikë dhe nxitje e konfliktit.
Fakti që mbi 80 për qind e elektoratit serb vazhdon t’i besojë Vuçiqit, një ish-ministër i informacionit në qeverinë e Millosheviqit, dëshmon mungesën e reflektimit moral të shoqërisë serbe. Serbia nuk ka kaluar asnjë proces de-nazifikimi, nuk ka kërkuar falje, as nuk ka pranuar përgjegjësi. Përkundrazi, ka ringjallur glorifikimin e figurave të krimit, duke e përshkruar agresionin si “mbrojtje kombëtare”.
Rusia në sfondin e çdo krize ballkanike
Serbia e sotme është shndërruar në portën e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor. Beogradi e sheh Moskën si garantuesin e politikës së saj kundër Kosovës, ndërsa Kremlini e përdor Serbinë si instrument për të mbajtur të tensionuar rajonin. Pas agresionit rus në Ukrainë, kjo aleancë u bë edhe më e hapur. Vuçiq nuk pranoi të vendosë sanksione kundër Rusisë, ashtu siç kërkon Bashkimi Evropian, duke e shndërruar neutralitetin e pretenduar në një aleancë të fshehtë politike, ushtarake dhe propagandistike.
Në diskursin publik serb, narrativi rus për “mbrojtjen e popujve të shtypur” është përthithur si justifikim për ndërhyrjen serbe në çështjet e brendshme të Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi. Kjo aleancë strategjike synon të ruajë një vatër të përhershme krize në Evropë, për të penguar zgjerimin e NATO-s dhe të BE-së.
Në anën tjetër, propaganda ruse përmes mediave të financuara nga Moska — “Sputnik Srbija” dhe “RT Balkan” — vepron pa pengesa në Beograd, duke përhapur dezinformata kundër Kosovës, Ukrainës dhe Perëndimit. Përmes këtij ndikimi, Serbia është bërë zgjatim i politikës ruse, që përpiqet të krijojë një mini-Jaltë të re në Ballkan, ku kufijtë dhe realitetet politike mbeten të kontestueshme.
Kthimi i fantazmës së “Serbisë së Madhe”
Nën pretekstin e “mbrojtjes së interesave kombëtare”, Beogradi po ringjall doktrinën e vjetër të “Serbisë së Madhe”, e cila kishte për synim homogjenizimin etnik në territore që shtriheshin nga Vojvodina deri në kufijtë e Adriatikut. Kjo ide, që dikur u mishërua në fjalimet e Vaso Çubrilloviqit e Dobrica Qosiqit, sot gjallon në trajtë të re përmes Vuçiqit, Daçiqit e Dodikut.
Dodik, si vasal politik i Beogradit në Bosnje, është bërë zëri më i hapur i kësaj platforme. Ai ka kërcënuar hapur me ndarje të Republikës Serbe, ka shpallur ligje që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe ka sfiduar autoritetin e qeverisë qendrore në Sarajevë. Deklaratat e tij kundër Bosnjës si shtet funksional janë identike me diskursin e Millosheviqit në vitet ’90.
Reagimi i ashpër i politikanëve kroatë dhe i Bashkimit Evropian nuk e ka ndalur Dodikun, sepse prapa tij qëndron një strategji e koordinuar me Beogradin dhe Moskën. Ai është prova e gjallë se nacionalizmi serb është i organizuar në formë të zinxhirit politik që kalon nga Beogradi në Banja Llukë e deri në Mitrovicën e Veriut.
Bosnja, Kosova dhe harta e destabilitetit të qëllimshëm
Në të njëjtën frymë, Kosova mbetet terreni më i ndjeshëm i politikës destabilizuese serbe. Me ndihmën e Rusisë, Serbia po përpiqet të krijojë imazhin e një shteti të dështuar. Nga sulmet e armatosura në veri – si ai i 24 shtatorit 2023 në Banjskë – deri te pengesat në themelimin e institucioneve legjitime lokale, Beogradi e përdor çdo mjet për ta dëmtuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Mosndëshkimi ndërkombëtar ndaj Serbisë për aktet e dhunës dhe përkrahja e heshtur që gjen në disa qarqe të BE-së, vetëm sa e kanë inkurajuar më shumë. Serbia po përfiton nga fjalori i kujdesshëm i diplomatëve evropianë që, në emër të “stabilitetit rajonal”, zgjedhin të mbyllin sytë para autoritarizmit të Vuçiqit.
Në fakt, “stabiliteti” që ofron Serbia është stabilitet i frikës dhe i shantazhit. Çdo dialog që Beogradi pranon është instrument për ta vonuar njohjen përfundimtare të Kosovës dhe për ta mbajtur të hapur mundësinë e ndikimit të saj në veri.
Në këtë kuptim, Serbia po përdor të njëjtën taktikë që Rusia përdori me Osetinë Jugore e Abkhazinë në Gjeorgji, apo me Donbasin në Ukrainë: krijimin e “konflikteve të ngrira” që mund të aktivizohen kurdoherë sipas interesit politik.
Evropa e lodhur dhe indiferenca e rrezikshme
Politika evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor është bërë e pavendosur dhe shpesh kontradiktore. Disa vende anëtare të BE-së, të frikësuara nga refugjatët, nga energjia dhe nga zgjerimi i mëtejshëm, zgjedhin të jenë të buta ndaj Beogradit. Kjo i jep Vuçiqit hapësirë për të luajtur rolin e “stabilokratit”, një autokrat që mban në kontroll tensionet që vetë i prodhon.
Ndërkohë, përpjekjet e Kosovës për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare shpesh përballen me pengesa të orkestruara diplomatike nga Serbia dhe Rusia. Në vitet e fundit, Beogradi ka intensifikuar fushatat kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës apo UNESCO, duke shfrytëzuar ndikimin e tij në vendet që nuk kanë marrë ende vendim për njohje.
Kjo dinamikë e re e përplasjes diplomatike e mban rajonin peng të së kaluarës. Në vend të pajtimit, nxit nostalgji për “kohët e mëdha të Serbisë”, një iluzion që ka përfunduar gjithmonë me tragjedi.
Kujtesa si mburojë kundër manipulimit
Serbia, edhe pas gjenocideve të dëshmuara në Srebrenicë e në Kosovë, vazhdon ta mohojë fajin. Ndërkohë, qindra varreza masive me viktima shqiptare e boshnjake mbeten pa drejtësi të plotë. Kjo politikë e mohimit është e qëllimshme: ajo synon ta zhveshë krimin nga përgjegjësia kolektive dhe ta paraqesë si “incident të historisë”.
Por historia nuk harrohet. Luftërat e viteve ’90 ishin agresione të mirëplanifikuara, të udhëhequra nga ideologjia e “tokave serbe”, e cila shkatërroi qytete, vrau mbi 100 mijë njerëz dhe zhvendosi miliona të tjerë. Këto plagë nuk shërohen me heshtje, as me relativizim moral.
Siç thotë populli: “Nji shkëndi ndez nji mal.” Një deklaratë e papërgjegjshme, një provokim politik, apo një akt dhune mund të ndezë sërish flakët në Ballkan. Ndaj, indiferenca ndërkombëtare është oksigjen për nacionalizmin serb, që ende endet mes miteve të “Kosovës së shekullit XIV” dhe ambicies për “mbrojtjen e popullit serb” jashtë kufijve.
Të mbrohet e vërteta historike
Në këtë kontekst, Kosova dhe aleatët e saj perëndimorë duhet të mbrojnë me këmbëngulje të vërtetën historike dhe vlerat e lirisë. Pa njohjen e së kaluarës nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Serbia duhet ta pranojë realitetin e ri të pavarësisë së Kosovës si fakt të pakthyeshëm.
Rruga drejt integrimit evropian nuk kalon përmes Moskës, por përmes ballafaqimit me të vërtetën. Vetëm atëherë Ballkani do të mund të dalë nga errësira e nacionalizmit që për dekada ka ushqyer urrejtje, luftë dhe shkatërrim.
Sepse historia na mëson se kur drejtësia hesht, e vërteta digjet – dhe nga ajo shkëndi, digjet i tërë mali