Fitorja e mbrëmshme e Shqipërisë: fundi i Serbisë si “popull i zgjedhur”

Opinione

Fitorja e mbrëmshme e Shqipërisë: fundi i Serbisë si “popull i zgjedhur”

Nga: Agron Hoti Më: 12 tetor 2025 Në ora: 20:45
Autori Agron Hoti

Ndoshta do të kishte ndodhur më 14 tetor 2014, pra para 11 vitesh midis Qytet-beut (Beogradit), kur Shqipëria po avansonte me cilësi loje të futbollit kundër Serbisë, por nuk ndodhi. Nuk ndodhi, sepse Serbia po kalbej në kryeqytet. Për atë katrahurë atje u munduan t’i mbysnin luanët tanë me në krye Lorik Canën, u munduan ta fajësonin Shqipërinë, sepse UEFA-n e drejtonte Mishel Platini që ishte hapur proserb, sepse ishte ajo koha kur Serbia po faktorizohej në Evropë, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët po defaktorizoheshin.

Ky faktorizim i serbëve po ndodhte, sepse Putini nga viti 2000 e deri në vitin 2021 po i fuste nën kontroll shumicën e qeverive evropiane duke u shitur energji të lirë, përmes së cilës në njërën anë po ua ‘shuante’ etjen evropianëve, kurse në anën tjetër po ua vënte lakun në fyt. Çmimi i gjithë kësaj rrëshqitjeje evropiane drejt Rusisë është lufta e sotshme në Ukrainë. Po të mos ishin amerikanët, evropianët do të vazhdonin të rrëshqisnin sa më shumë nën Rusi. E po të mos ishin amerikanët, gjendja e përgjithshme për shqiptarët në Evropë do të bëhej çdo vit e më keq.

Me fitoren e mbrëmshme Shqipëria i dha fund frazës serbe se popullit serb kishte qenë “popull i zgjedhur”. Fraza e “popullit të zgjedhur”rrënjët i ka që nga Dhjata e Vjetër, kur Zoti e cilësonte Abrahamin dhe pasardhësit e tij si “popull i zgjedhur”. Asgjë nuk i ka sjellë më shumë tragjedi njerëzimit sesa kjo frazë. Sa herë që janë ngritur perandoritë, mbretëritë apo fuqitë e ndryshme, veten e kanë konsideruar “popull i zgjedhur”, ndërsa pjesën tjetër “të tjerët”. Ndërkohë, sa herë që binin këto perandori, mbretëri apo fuqi, bashkë me to binte edhe fraza e “popullit të zgjedhur”. Dy shtetet më të fundit që vetes i jepnin epitetin e “popullit të zgjedhur” ishin Gjermania Naziste dhe Serbia.

Mbi 100 vite Serbia i kishte terrorizuar shqiptarët duke i dhënë vetes epitetin abrahamik të “popullit të zgjedhur”. Gjatë kohës së robërisë jugosllave guxoje të rrahje çdo nacionalitet tjetër, por të rrahje një serb, përballeshe me një shtet të tërë kriminal, i cili me dhunë e terror mundohej të na injektohej si “popull i zgjedhur”. Por, si çdokund tjetër në glob që kishte rënë fraza “popull i zgjedhur”, filloi të bjerë e njëjta edhe në Serbi.

Viti 2000 deri në vitin 2021 ishte periudha, kur Serbia e mbështetur fuqishëm nga evropianët e detyruar nga rusët po mundohej ta rikthente lavdinë në Ballkan. Ishte rifuqizimi i Rusisë që po e mundësonte një gjë të tillë. Por, rezistenca e Ukrainës së mbështetur nga Perëndimi i kryesuar nga SHBA, e la zhveshur Serbinë para Evropës dhe botës. Demonstratat e fundit nëpër Serbi e shkundën pushtetin e Vuçiçit. Rënia e tij tashmë është vetëm çështje kohe. Ndërsa, fitorja e mbrëmshme e Shqipërisë ia ekspozoi Serbisë kalbjen e kryeqytetit nga monstrumët e krijuar nga vetë shteti serb, pra ia ekspozoi kalbjen e brendshme të shtetit serbe, nga e cila më së shumti po lëngon dhe do të lëngojë vetë Serbia.

Fitorja e mbrëmshme e Shqipërisë e shpërfaqi një kombëtare serbe të rënë për toke, të politizuar dhe të dërmuar sa s’ka ku të shkojë më. Me këtë fitore, Serbia dhe serbët e kanë kuptuar tashmë që përballë shqiptarëve nuk janë më “popull i zgjedhur”, por një popull i rëndomtë si gjithë të tjerët. Fitorja e mbrëmshme e Shqipërisë mbrëmë ishte në linjë edhe me fuqizimin politik të Shqipërisë dhe shqiptarëve që ka filluar të marrë hov që pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Shqipëria asnjëherë në histori nuk ka qenë më e faktorizuar nga Perëndimi sesa nga shkurti 2022 e deri me sot. Fakti që perspektiva evropiane po i ecën me hapa galopantë e dëshmon më së miri faktorizimin e paparë të Shqipërisë.

Goli magjik i Manajt midis Serbisë mbrëmë ishte historik, sepse e rrëzoi përfundimisht frazën e Serbisë, se serbët na paskëshin qenë “popull i zgjedhur”. Prandaj, Shqipërisë sonë i urojmë gjithë të mirat në rrugëtimin drejt botërorit të vitit 2026. Përpara Shqipëri! A.H.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat