Edhe pas shumë tentativash, Kuvendi i Kosovës sërish nuk arriti të zgjedhë qeverinë. Deputetët nuk siguruan votat e nevojshme, duke e futur vendin në një tjetër bllokadë institucionale.
Kjo nuk është më vetëm krizë politike është krizë besimi dhe krizë përgjegjësie.
Në vend që të mendojnë për të ardhmen e qytetarëve, partitë politike janë mbyllur në llogaritë e tyre të ngushta.
Për ta, pushteti është qëllim, jo mjet për të shërbyer.
Asnjëra palë nuk po tregon gatishmëri të lëshojë pe për të mirën e përbashkët dhe kështu, Kosova po mbetet peng i egove politike.
Nëse vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, do të harxhohen miliona euro për fletëvotime e fushata, ndërkohë që shkollat, spitalet dhe bujqit mezi mbijetojnë.
Kosova nuk është vend i pasur, dhe qytetarët nuk mund të paguajnë pafund për të mbuluar dështimet e politikanëve.
SHBA, Bashkimi Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë e kanë ndihmuar Kosovën me besim dhe mbështetje të madhe.
Por kur shohin një vend që s’e formon dot qeverinë, që grindet për poste dhe jo për politika, ata fillojnë të dyshojnë.
Një shtet që nuk garanton stabilitet, vështirë se mund të fitojë respekt të gjatë në arenën ndërkombëtare.
Qytetarët janë lodhur nga premtimet.
Të rinjtë po ikin, të moshuarit po humbin shpresën, e varfëria po thellohet.
Nëse edhe pas kaq vitesh pavarësi, shpresa e vetme mbetet “gurbeti”, atëherë diçka thelbësisht ka dështuar në sistemin politik.
Deputetët nuk janë vegla të partive, por përfaqësues të popullit.
Ata duhet të votojnë sipas ndërgjegjes dhe interesit kombëtar jo sipas urdhrave të shefave partiakë.
Kuvendi nuk është arenë e inateve, por themel i shtetit.
Nëse ai dështon, dështojnë të gjithë pa përjashtim.
Kosova nuk e ka luksin të humbasë më kohë, para dhe besim.
Shteti është amanet i gjakut dhe sakrificës jo plaçkë për ndarje.
Nëse politika nuk ndryshon kurs, atëherë populli do të duhet ta bëjë vetë ndryshimin me votë të ndershme dhe me ndërgjegje të kthjellët.
“Në fund, historia nuk do t’i kujtojë fjalët e politikanëve, por heshtjen e qytetarëve.”