“Populli nuk e lejon tradhtinë”: Reagim mbi deklarimet e Prof. Shpat Krasniqit

Opinione

“Populli nuk e lejon tradhtinë”: Reagim mbi deklarimet e Prof. Shpat Krasniqit

Nga: Hafiz Shala Më: 26 nëntor 2025 Në ora: 11:33
Autori Hafiz Shala

I nderuari Prof. Shpat Krasniqi, për t’ia dhënë shpatit, duhet të jesh i fuqishëm, i ndershëm, i dijshëm, i guximshëm dhe i vendosur. Sigurisht që një grup i rreshtuar pranë Richard Grenellit – nëse je edhe ti sikurse disa biznesmenë të këtyre anëve dhe disa oligarkë të Dardanisë – po bëni çmos që Vjosa Osmani dhe Albin Kurti të largohen ose të pamundësohet rikthimi i tyre në pushtet përmes votës së lirë të popullit, pas mandatit të tyre të parë të plotë dhe të suksesshëm.

Kjo nuk do të kalojë, sepse sovrani nuk do ta lejojë.

Më befason, si intelektual sipas titullit që mban, se si mund të pajtohesh me një akt tradhtie duke bashkëpunuar me armikun shekullor – Serbinë – për të lidhur koalicion me Listën serboshqipfolëse, dorë e zgjatur e Vuçiqit dhe Serbisë, e cila veriun e Dardanisë e ka sunduar sikur të ishte një republikë e shpallur serbe. Kjo ka ndodhur me ndihmën e disa liderëve opozitarë që kanë krijuar marrëdhënie biznesore, private dhe politike, fatkeqësisht edhe me ata që sot kokorisin në emër të tri germave të arta UÇK-së – të dala nga populli dhe të shkruara me gjakun e tij, e jo me telat e atyre që i kanë keqpërdorur, abuzuar, vjedhur e falur territore. Madje, edhe atëherë kur Hashim Thaçi kishte deklaruar publikisht se, fatkeqësisht, veriu i Mitrovicës është “i ndarë”.

Po kush e çliroi veriun nga bandat kriminalo-terroriste dhe e ktheu në pjesë të lirë edhe për popullatën shqiptare të jugut?
Ishte Kryeministri Albin Kurti, i cili i mbylli zyrat ilegale, valutën dhe, siç thotë populli, “ladrimin e kuajve” – zyrtarë të Serbisë që vepronin pa pengesa në Republikën e Dardanisë.

Vuçiqit iu thyen dhëmbët në përballje me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Ai, duke i mashtruar serbët e Serbisë me parrullat “Kosova është Serbi”, i tradhtoi vetë dhe sot ata po ia kërkojnë largimin nga pushteti. Pra, ranë Albin Kurti e Vjosa Osmani? Jo. Por Vuçiqi është ai që kurrë më nuk do të jetë në krye të Serbisë.

Mos harro se gjithçka dihet në këtë botë, e posaçërisht këtu në SHBA, ku përmes lobimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të udhëhequr nga Joe & Shirley DioGuardi dhe Bordi Ekzekutiv, kemi kontribuar për të vënë themelet e pavarësisë përmes sensibilizimit të popullit amerikan rreth gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Dardanisë.
Njëkohësisht, jemi përkrahës pa rezerva të këtyre dy udhëheqësve shtetëror, si të dërguar nga Perëndia në momentin e duhur për vendin.

Ata që koordinohen dhe bashkëpunojnë me armikun tonë shekullor kundër një udhëheqjeje që kurrë nuk iu nënshtrua asnjë presioni për të bërë lëshime ndaj Serbisë kundër interesave shtetërore e kombëtare, duhet të vlerësohen siç meriton.

Të kisha lutur të kthjellohesh, përndryshe do të përfundosh në të njëjtin bllok antishqiptar. Populli i sheh, i kupton dhe reagon kur rrezikohen interesat e tij, dhe kurrë nuk do të shkelë mbi gjakun e fëmijëve, baballarëve, vajzave e djemve, motrave e vëllezërve tanë – dhe mbi shembullin unik në botë, flijimin e Familjes Heroike Jashari. Turpërisht, kjo opozitë bashkë me aleatin e saj, Listën serboshqipfolëse, rreshtohet në të njëjtën vijë.

Si mund të mos kenë turp njerëzor e kombëtar ata që tentojnë ta anashkalojnë këtë Familje, kur përfaqësuesi i saj u ftua për nderim në Parlament dhe, sapo u përmend emri i tij, të gjithë brohoritën – përveç partive opozitare PDK, LDK, AAK dhe Listës serboshqipfolëse?

Prandaj, kurrë nuk është vonë që, me një kërkimfalje, të largohesh nga rruga e gabuar dhe të dalësh në rrugën e drejtë – rrugën e popullit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat