Ndonjëherë kujtimet e fëmijërisë të rikthehen jo për nostalgji, por për të kuptuar një strukturë më të thellë të shoqërisë sonë: ne, edhe në ditët më të vështira, kemi ditur t’i ngremë në piedestal njerëzit më të paformuar dhe t’i shpallim udhëheqës, vetëm pse dinin të hidhnin një gur në lum – një gur që më pas njëqind analistë të gjorë përpiqeshin t’ia gjenin kuptimin.
Asokohe, në Tophane, kur gomarët ngarkoheshin me barrën e jetës së varfër, askush s’mund ta mendonte se një ditë metafora e gomarit do të bëhej aksioma e politikës kosovare. Sepse aty, midis baltës, tregut të benzinës në shishe dhe bursës zhviraluese të dinarit, lindi një klasë e re politike – njerëz që erdhën të zhveshur nga çdo përvojë, por me oreks të madh për pushtet.
Dhe ç’bënë?
E shpikën mënyrën më efikase të ngritjes shoqërore në kohë të vështira: opinion medial dhe shoqëror me patriotizëm të paketuar si sakrificë. Fluskula patriotike u shitën si “ideologji kombformuese”, por në prapaskenë shndërroheshin në privilegje, fonde, gradime, poste, tenderë, bile edhe të ardhura të padeklaruara.
Askush nuk i pyeti si dolën nga varfëria ekstreme e viteve ’90 për t’u bërë pronarë të kompanive milionëshe pas viteve 2000. Askush nuk kërkoi llogari se si fondet e diasporës u shndërruan në kapital fillestar për një elitë që sot na shesin moral politik, ndërsa populli atëherë pinte çaj me sheqer të porcionuar dhe paguante 10 marka për fëmijët në shkollat paraleliste.
Në realitet, ishte një tranzicion i çuditshëm: nga komunizmi i boshatisur ideologjik, ku njeriu i ri krijohej prej partisë, kaluam në kapitalizmin e egër, ku miliarderi i ri krijohet prej partisë.
E njëjta logjikë:
– mobilizo popullin me ide të mëdha;
– flijimi bëhet ritual;
– heshtja e masave kthehet në pajtim;
– ndërsa në majë ngriten të njëjtët individë që dinë të hedhin gurët e parë në lumë.
Është e njëjta ideologji e zhvendosur në kohë: atëherë quhej idealizëm kolektiv, sot quhet patriotizëm i paketuar. Atëherë quhej ndërgjegje revolucionare, sot quhet “agjendë kombëtare”.
Por mekanizmi është identik: populli sakrifikon, elita pasurohet.
Madje, sot kemi një paradoks edhe më të madh:
Të njëjtët njerëz që dikur ishin askush, sot pasi kanë pirë përfitimet e 30 viteve shtetformim, sillen si përfaqësues të historisë. Dhe prapë përdorin të njëjtën metodologji:
– hedhin gurë në lum (skandale, deklarata, provokime, debate boshe)
– dhe presin që 100 analistë t’ua pastrojnë ujërat.
Në fund, gjithçka kthehet te metafora e asaj lagjeje: gomarët që mbartnin barrën e të tjerëve.
Dikur ishte gomari fizik që mbante drutë e qerret; sot është qytetari – “gomari politik” – i cili mban barrën e një klase që e riciklon fajin, por jo përgjegjësinë. Pra, po, historia jonë politike nuk ka ndryshuar aq sa shpresuam. Nga komunizmi pa liri kaluam te kapitalizmi pa moral. Nga varfëria materiale kaluam te varfëria politike. Elita ndërroi flamurin, por jo zakonet. Ndërroi retorikën, por jo mënyrën e ngritjes në pushtet. Ndërroi uniformën, por jo shkopin me të cilin udhëheq.
Në këtë vend, novela e gomarit dhe gurit nuk është shaka folklorike – është avokim patriotik