E mbështes kauzën e Lapaj, por sot jam në anën e aktorit Viktor Zhusti

Opinione

E mbështes kauzën e Lapaj, por sot jam në anën e aktorit Viktor Zhusti

Nga: Ilir Ҫumani Më: 22 dhjetor 2025 Në ora: 07:14
Ilir Ҫumani

Debati i shpërthyer në rrjetet sociale rreth qëndrimit të aktorit Viktor Zhusti, i cili lidhet me një episod mes tij dhe aktivistit Adriatik Lapaj, nuk është thjesht një mosdakortësim mes një artisti dhe një aktivisti.

Ky rast është pasqyra e një sëmundjeje më të thellë që po gërryen jetën publike shqiptare. Shndërrimi i angazhimit qytetar në presion moral dhe i lirisë në një detyrim për rreshtim është simptomë e saj.

Në një shoqëri të lodhur nga politika, figura e artistit shpesh kërkohet të përdoret si simbolikë, si pankartë, si dekor legjitimiteti për kauza që, ndonëse mund të jenë të drejta, e humbasin çdo fisnikëri kur imponohen.

Pikërisht këtu lind përplasja: jo mes artit dhe protestës, por mes dinjitetit individual dhe logjikës së turmës.

Viktor Zhusti përfaqëson një brez artistësh që nuk e kanë ndërtuar autoritetin dhe dinjitetin e tyre përmes zhurmës, por përmes veprës dhe kohës që kanë jetuar. Kontributi i tij nuk ka pasur nevojë për manifestime politike për t’u bërë i vlefshëm dhe me famë. Ai është formuar dhe ka formuar publikun në një kohë kur arti fliste me gjuhën e skenës dhe jo me slogane.

Kjo heshtje e gjatë dhe kjo distancë e qëllimshme nga instrumentalizimi politik janë sot arsyeja pse ai u vu në shënjestër.

Paradoksi është i dhimbshëm: në emër të demokracisë kërkohet bindje; në emër të lirisë ushtrohet presion; në emër të protestës shkelet privatësia.

Një shoqëri që nuk e dallon më kufirin mes kritikës dhe linçimit, mes mendimit ndryshe dhe tradhtisë, rrezikon të humbasë vetë arsyen përse proteston.

Nuk ka asnjë parim demokratik që e detyron një individ – aq më tepër një artist në moshë të thyer – të bëhet pjesë e një aksioni politik kundër vullnetit të tij.

Asnjë kauzë nuk forcohet duke dhunuar privatësinë e tjetrit. Përkundrazi, ajo dobësohet dhe shndërrohet në karikaturë morale.

Rrjetet sociale kanë krijuar iluzionin se zëri i shumicës është automatikisht i drejtë. Por përvoja na mëson se turmat, kur nuk kontrollohen nga ndjeshmëria dhe arsyeja, bëhen të pamëshirshme dhe manifestojnë një sindromë të rrezikshme sadomasokiste.

Sot, shënjestra e kësaj sindrome u bë një artist i nderuar; nesër mund të jetë kushdo që refuzon të rreshtohet.

E gjithë kjo është një paralajmërim i qartë: jo për të mbrojtur vetëm një artist të madh që është sulmuar padrejtësisht, apo ndonjë individ tjetër, kushdo qoftë ai, por për të mbrojtur një parim themelor. Askush nuk duhet të lejojë që turma ta ndikojë në humbjen e dinjitetit të vet ose të bëjë kompromis me bindjet politike.

Artistët nuk janë pronë e asnjë force politike, as dekor protestash, as instrument presioni. “Partia” e tyre e vetme është arti, arti dhe vetëm arti.

Nëse një shoqëri e humbet respektin për artistët, për moshën e tretë, për kontributin dhe për privatësinë, ajo nuk është më në rrugën e emancipimit, por në një rrëshqitje drejt barbarisë morale. Dhe kjo është një humbje që nuk e kompenson asnjë protestë, sado e zhurmshme të jetë.

Respekti për mendimin ndryshe nuk është dobësi. Është prova më e fortë e qytetarisë.

Një shoqëri nuk gjykohet nga fakti se sa fort proteston, por nga mënyra se si sillet me ata që mendojnë ndryshe dhe nuk i binden. Kur zemërimi kolektiv kthehet në gjyq publik dhe mendimi ndryshe fajësohet pa faj, atëherë nuk kemi më qytetari, por frikë të organizuar.

Sot u sulmua një artist i nderuar. Nesër do të jetë rradha e çdo njeriu që guxon të mbajë dinjitetin e vet përballë turmës. Dhe kur kjo ndodh, problemi nuk është heshtja e individit, por zhurma e një shoqërie që ka harruar të dëgjojë.

Demokracia nuk matet me pankarta, por vetëm me mirëkuptim, tolerancë dhe respekt të ndërsjelltë. Dhe aty ku mungon respekti reciprok, çdo protestë, sado e drejtë të duket, e humbet shpirtin dhe frymën që ka.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat