Fjalia e urtë dhe e mençur popullore thotë:
— “Armiku i armikut tim është miku im”, një formë klasike që rezulton nga përfitimi i ndërsjellë.
Anasjelltas, thënia:
— “Miku i armikut tim është armiku im”!
Kjo është një logjikë e kundërt, e cila thekson mosbesimin dhe rrezikun që afërsia e një armiku me dikë tjetër mund ta shndërrojë atë në armik. Për shembull, “një mik” i armikut tim është, përkatësisht mund të jetë, një aleat i mundshëm kundër meje.
Andaj, me emrin dhe me forcën e Zotit të Madh, le ta bëjmë ditën e diel, më 28.12.2025, një ditë të shenjtë, të madhe dhe historike për shtetin tonë iliro-dardan, Kosovën tonë martire, duke votuar për një të ardhme të sigurt dhe afatgjatë, jo korruptive dhe jo kriminale, për fëmijët tanë dhe për gjeneratat që do të vijnë; për femrat e të gjitha moshave dhe për të gjithë meshkujt, të rinj e të moshuar, me mbështetje ekonomike dhe financiare sikurse këto 4 vite, 9 muaj e 15 ditë, dhe me siguri totale territoriale, pa e anashkaluar ndihmën e aleatëve tanë, respektivisht ndihmën e Shtetit Republikan, Presidentit z. Donald J. Trump të SHBA-së, aleatit të shtetit tonë, Kosovës.
T’i votojmë duart që përkëdhelen dhe puthen edhe nga nënat e bijve jo të lindur nga trupi i tyre, por bij që, me sjelljet e tyre korrekte ndaj popullit të vet, me sjellje të drejta dhe të pastra, kanë zënë vend në shumë shpirtra e në zemrat e shumë nënave, qofshin ato edhe jo nga Kosova jonë dardane bukuroshe, ashtu siç ishin Nëna Shirley dhe Nëna Xhemile.
Të votojmë për politikanë/e inteligjentë/e, që kudo në tërë rruzullin tokësor i dalin zot vendlindjes sonë.
Mos t’i lëmë më të na udhëheqin njerëz egoistë, të cilët për interesa personale e private, me djersën e popullit të Kosovës, kanë ndërtuar shtëpi apo pallate ekstravagante, duke manipuluar në emër të së kaluarës së tyre, qofshin vetë protagonistë të historisë apo përfitues në emër të gjakut të të afërmve që kanë rënë për liri.
Persona të cilët edhe më tutje janë në gjendje të aplikojnë, praktikojnë dhe veprojnë si shumë vite më parë:
me zhvatje, vjedhje dhe manipulime votash, duke e shfrytëzuar skamjen e shumicës së popullit si “Mittel zum Zweck”, siç thonë gjermanët, që do të thotë:
“Mjet për qëllim.”
Persona të vetëquajtur “politikanë të fortë”, të cilët, besa, nuk dinë as “nga urinon pula”, siç thotë një fjalë e urtë popullore.
Dashtë Zoti që të mos votohen personat të cilët këtë vit e bllokuan Kuvendin e Kosovës, duke ua bërë qejfin armiqve tanë shekullorë dhe duke u bërë miq e mikesha me ta!
Sepse:
— “Miku i armikut tim është armiku im” (në njëjës), dhe
— “Miqtë e armiqve tanë janë armiqtë tanë” (në shumës).
P.S.
“Asgjë në botë nuk është aq madhështore sa një ide së cilës i ka ardhur koha.”
— Victor Hugo
Edhe unë them se:
Kur shihet se situata ka mbetur në pozitë status quo, atëherë jo “ngreh e mos këput”, por “mos lësho pe.”