Ndërprerjet e rrymës si luftë psikologjike, elektorale dhe morale kundër shtetit

Opinione

Ndërprerjet e rrymës si luftë psikologjike, elektorale dhe morale kundër shtetit

Nga: Lirim Gashi Më: 25 dhjetor 2025 Në ora: 12:26
Autori Lirim Gashi

Ndërprerjet e përditshme të energjisë elektrike, të cilat nisën menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve parlamentare për datën 28 dhjetor 2025 nga presidentja e shtetit, nuk janë aspak rastësi teknike.

Ato janë, pa teprime emocionale, pjesë të luftës speciale hibride të shërbimit sekret serb BIA, që zbatohen përmes aktorëve shqipfolës të infiltruar brenda KEK-ut, të cilët synojnë ta destabilizojnë psikologjikisht mërgatën, duke ia krijuar përshtypjen se Qeveria Kurti e ka kthyer Kosovën në errësirën e realitetit të pasluftës.

Nëse edhe tek unë zhurma monotone dhe bezdisëse e gjeneratorëve zgjon ndjesinë sikur jetoj sërish në Kosovën e viteve të para të pasluftës, atëherë është lehtësisht e kuptueshme se sa tronditës duhet të jetë ky efekt psikologjik për mërgimtarët tanë, të cilët prej vitesh jetojnë në Perëndim dhe janë kthyer në atdhe vetëm për të votuar.

Ndërprerja e rrymës nuk përfaqëson thjesht mungesë energjie, por një rikthim simbolik të traumës kolektive.

Ajo aktivizon kujtesën e pasigurisë, varfërisë dhe kaosit institucional.

Zhurma e gjeneratorëve funksionon si “tingulli i frikës”, duke prodhuar ndjenjën e një shteti të pafuqishëm dhe të dështuar – edhe atëherë kur realiteti shoqëror është krejtësisht tjetër.

Në kontekstin zgjedhor, kjo gjendje shërben si mjet i qëllimshëm demoralizimi. Mërgata, e cila vjen me pritshmëri për stabilitet, rend dhe dinjitet shtetëror, përballet me një realitet që nxit zhgënjim, abstinencë elektorale ose votë ndëshkuese emocionale.

Qëllimi nuk është bindja politike, por dekurajimi elektoral.

Nga këndvështrimi filozofik, kemi të bëjmë me manipulim të perceptimit të realitetit. Nuk sulmohet drejtpërdrejt qeveria, por ndërtohet një “realitet i fabrikuar”, ku errësira fizike shndërrohet në errësirë politike.

Kjo është strategji klasike e luftës hibride: të krijohet kaos emocional për të prodhuar konkludime të gabuara, apo irracionale.

Etikisht, instrumentalizimi i nevojave elementare të qytetarëve për qëllime politike përbën një shkelje të rëndë morale. Energjia elektrike nuk është luks, por e drejtë themelore. Ta shndërrosh atë në armë politike do të thotë të shkelësh parimet bazë të bashkëjetesës shoqërore.

Moralisht, kjo strategji është thellësisht cinike dhe çnjerëzore. Ajo godet pikërisht ata që kanë sakrifikuar më së shumti për shtetin – mërgatën – duke prodhuar ndjenja turpi, frike dhe dëshpërimi.

Është një përpjekje e qëllimshme për të thyer lidhjen emocionale midis qytetarit dhe shtetit të tij.

Pse shërbimi sekret serb BIA dëshiron rikthimin në pushtet të opozitës sonë vasale, sabotuese dhe thellësisht të kriminalizuar?

Për shërbimin sekret serb, qeveria aktuale paraqet problem serioz sepse, për herë të parë pas shumë dekadash, ajo nuk është e shantazhueshme, as e korruptueshme dhe as e kontrollueshme.

Një qeveri sovrane, që forcon institucionet shtetërore, që lufton krimin e organizuar dhe që refuzon varësinë politike nga Beogradi, përbën rrezik strategjik për interesat e BIA-s.

Në të kundërtën, opozita e mëhershme politike – e karakterizuar nga korrupsioni, klientelizmi dhe lidhjet strukturore me rrjete kriminale serbe – shihet nga perspektiva serbe si e parashikueshme, e manipulueshme dhe funksionale. Elita të tilla mund të kontrollohen përmes presionit ekonomik, dosjeve komprometuese ose interesave personale, duke i shërbyer kështu objektivave gjeopolitike të Serbisë.

Prandaj, BIA nuk ka interes në konkurrencë demokratike, por në rikthimin e një ambienti politik që prodhon dobësi shtetërore, paralizë institucionale dhe destabilitet të përhershëm.

Ndërprerjet e rrymës, frustrimi social dhe demoralizimi psikologjik nuk janë pasoja anësore, por instrumente të llogaritura me kujdes.

Përmbledhje

Në këtë kontekst, ndërprerja e rrymës nuk është defekt teknik, por mesazh politik. Një mesazh që synon të thotë: “Ky shtet nuk funksionon.”

Rreziku më i madh, megjithatë, nuk qëndron në errësirën fizike, por në errësimin e qëllimshëm të ndërgjegjes kolektive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat