Kam bindjen se te ne është krijuar një keqkuptim thelbësor, nga i cili më pas po lindin neuroza kolektive krejtësisht të panevojshme, me pasoja të dëmshme si për marrëdhëniet tona të brendshme, ashtu edhe për ato të jashtme. Në thelb, çdo mospajtim eventual me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne e përjetojmë dhe e transmetojmë si “dëmtim” të marrëdhënieve, si një shkak që do të prodhojë patjetër pasoja ndëshkuese: “na kthejnë prapa”… por ku?
Në nënvetëdijen tonë, përgjigjja është pothuajse automatike: nën Serbi. Pra, Amerika nga mik dhe përkrahës imagjinohet se do të shndërrohet në të kundërtën e saj, në një lloj përbindëshi politik që do të na lëshojë duarsh, ndërsa Serbia qëndron gati për të zënë vendin e saj. Kjo logjikë e frikës vazhdon të riprodhohet pa pushim në diskursin publik. Kjo frikë nuk është thjesht abstrakte, por është ushqyer edhe nga përvoja konkrete. Mjafton të kujtojmë krizën e tarifave 100% ndaj Serbisë në vitet 2018–2020, kur mospajtimi i hapur i Kosovës me Shtetet e Bashkuara u interpretua si “prishje marrëdhëniesh”. Megjithatë, ky konflikt politik nuk prodhoi asnjë pasojë strategjike negative për Kosovën: as tërheqje të mbështetjes amerikane, as ndryshim qëndrimi ndaj shtetësisë sonë, as afrim të Amerikës me Serbinë në dëm të interesave tona.
Kjo përvojë dëshmon se mospajtimi nuk barazohet me ndëshkim, e aq më pak me braktisje. Pse ndodh atëherë ky keqinterpretim i vazhdueshëm? Sepse ne Amerikën e lexojmë dhe e përjetojmë përmes përvojës sonë historike me Serbinë: si një fuqi ndëshkuese, tradhtare, e gatshme të shfarosë ata që nuk i nënshtrohen; si një Jugosllavi tjetër që sillet si pronare e fatit tonë. Këtij diskursi i fryjnë qëllimisht edhe disa struktura të “pasanikëve të rinj”, të cilët pikërisht në këtë konfuzion shohin interes dhe përfitim politik apo material. Por kjo qasje është thelbësisht e gabuar. Amerika nuk është Serbia.
Ajo përfaqëson një standard tjetër – një nivel tjetër të arritjes praktike dhe teorike të zhvillimit të mendimit dhe përvojës njerëzore. Serbia, përkundrazi, mbetet shembulli më i qartë i ngecjes në baltën e një mentaliteti mesjetar, si në mendim ashtu edhe në praktikë politike. Ajo është larg realizimit të vizionit dhe filozofisë së iluministëve, që vendosën në themel barazinë e njeriut nga vetë natyra e tij, prej nga burojnë të drejtat e barabarta për të gjithë. Pikërisht këto parime janë në rrënjët e shtetit amerikan dhe të Etërve Themelues të tij.
Prandaj, frika se Amerika do të sillet si Serbia – se, nëse nuk na pushton, do të na flakë tutje – jo vetëm që është e pavërtetë, por bie ndesh drejtpërdrejt me substancën historike dhe filozofike të vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku liria është alfa dhe omega e qenies së saj. Nuk po them se gjithçka është ideale apo pa gabime. Por rrjedhat historike kanë një drejtim të qartë, të pashmangshëm dhe të pakthyeshëm, edhe pse sfidat shpesh janë të mëdha, sepse pjesa tjetër e botës është ende shumë larg Amerikës në ndërtimin e infrastrukturës ekonomike, politike dhe shoqërore.
Pikërisht nga kjo pabarazi lindin kundërshtitë dhe sulmet ndaj saj. Dhe tani te çështja kyçe: raporti ynë me ShBA-në. Është e qartë se Kosova ndodhet në vijën e parë të interesit gjeostrategjik amerikan dhe se kjo marrëdhënie nuk është reduktuar kurrë në një formulë të vetme apo në një “vijë të kuqe” të ndonjë administrate të caktuar. Megjithatë, po aq e qartë është se kosovarët, si shoqëri dhe si shtet, nuk ndëshkohen për mospajtime politike, për sa kohë nuk cenojnë parimet themelore të kësaj marrëdhënieje. Prandaj, pa patetikë dhe pa iluzione, mund të thuhet qartë: Kosova do të mbetet amerikane në orientimin e saj strategjik, dhe Amerika do të mbetet kosovare në përkushtimin e saj ndaj lirisë, sigurisë dhe ekzistencës së këtij shteti.