Filozofi gjerman Immanuel Kant shkruante se politika pa moral shndërrohet në manipulim, ndërsa morali pa politikë mbetet ideal pa trup. Për herë të parë në historinë e re të Kosovës, këto dy shtylla, morali dhe politika, kanë gjetur një pikë takimi të qëndrueshme në qeverisjen e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ky nuk është thjesht një rotacion pushteti, është një ndryshim paradigme, një transformim kulturor dhe shtetëror që po i jep Kosovës identitetin që i ka munguar për dekada.
Për vite me radhë, jeta politike në Kosovë u dominua nga pazarllëku, klientelizmi, korrupsioni dhe arroganca e pushtetit të keqpërdorur. Shteti u trajtua si pronë private, institucionet si plaçkë lufte dhe qytetari si mjet statistikor. Në këtë kontekst, ardhja e Vetëvendosjes përfaqësoi atë që filozofia politike do ta quante një pastrim moral të një sistemi të kalbur deri në palcë.
Rezistenca më e ashpër ndaj qeverisë Kurti sot nuk vjen nga qytetarët, por nga ata që humbën privilegjet. Oligarkët politikë dhe ekonomikë, të ushqyer për dekada nga kapja e shtetit, e shohin veten të zhveshur nga ndikimi dhe imuniteti. Ata nuk e kundërshtojnë Kurtin për të mirën e Kosovës, e kundërshtojnë sepse ai ua ka mbyllur burimin e jetesës politike.
LDK, PDK dhe AAK janë shndërruar në shembullin klasik të asaj që Friedrich Nietzsche e quante “morali i skllavit”: një moral reaktiv, i ndërtuar mbi smirë, frikë dhe urrejtje ndaj çdo forme integriteti që ua ekspozon vogëlsinë. Ato nuk ofrojnë vizion, por mllef, jo programe, por nostalgji për privilegjet e humbura.
Në kontrast të plotë, qeverisja Kurti e ka vendosur drejtësinë në qendër të shtetit. Për herë të parë, mekanizmat e kapjes po çmontohen sistematikisht. Dhe pikërisht kjo është ajo që “djeg” më shumë ata që e mbanin Kosovën peng.
Asnjë qeveri para Kurtit nuk ka pasur guximin të artikulojë qartë se dialogu nuk është proces dorëzimi, por marrëdhënie e barabartë. Nën këtë qeverisje, Kosova ka përqafuar një diplomaci me qëndrim, me argument dhe me vetërespekt. Ky ndryshim nuk është teknik, por filozofik: kalim nga psikologjia e inferioritetit në vetëdije shtetërore. Reciprociteti nuk është kapriço politike, por parim i drejtësisë së barabartë – ajo që Aristoteli do ta quante “simetri morale” mes palëve.
Një pjesë e madhe e portaleve dhe e ashtuquajturve analistë nuk funksionojnë më si media, por si biznese shpifjeje, të lidhura me interesa politike që frikësohen nga transparenca. Schopenhauer do të thoshte se “zëri i budallenjve është gjithmonë më i lartë, sepse mbulon boshllëkun e mendjes së tyre”. Këta nuk kërkojnë të vërtetën, ata e prodhojnë gënjeshtrën, sepse Kurti ua ka prishur rrjetat e vjetra të ndikimit, financimit dhe shantazhit.
Albin Kurti nuk sulmohet sepse ka dështuar, por sepse nuk u shërben të vjetërve. Ai nuk shpërndan tenderë, nuk hap dyer për klane, nuk e dorëzon shtetin te grupet e interesit. Ai po ndërton një shtet që funksionon pa ta , dhe kjo është fyerja më e madhe për ta.
Kosova sot ndodhet para një zgjedhjeje vendimtare: kthimi te e kaluara e errët e korrupsionit, klientelizmit dhe nënshtrimit, apo vazhdimi i rrugës së re të drejtësisë, integritetit, zhvillimit ekonomik dhe diplomacisë së barabartë. Kjo nuk është vetëm zgjedhje politike; është zgjedhje morale dhe historike.
Nëse Nietzsche do ta shihte Kosovën sot, ndoshta do të thoshte se është koha që shoqëritë të ngrihen mbi veten, jo të kthehen në errësirën nga erdhën. Dhe Schopenhauer do të na kujtonte se e vërteta ka pak miq, por ata pak janë gjithmonë më të fortë se turma e marrëzisë.
Prandaj, vota për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen nuk është thjesht votë për një parti. Është votë për një shtet që funksionon, për një shoqëri me dinjitet dhe për një të ardhme që nuk e shet veten për privilegje afatshkurtra.
Kosova nuk ka më luksin të kthehet prapa. Dhe historia nuk i fal ata që zgjedhin gabim.