Gjatë vitit 2025, Kosova u përball me një debat të njohur, por që po rikthehet me intensitet të shtuar: raporti mes identitetit kombëtar shqiptar dhe identitetit fetar. Ky diskutim nuk është thjesht kulturor apo filozofik; ai ka pasqyrë politike, shoqërore, arsimore dhe gjeopolitike. Pyetja qendrore nuk është nëse kosovarët janë shqiptarë apo besimtarë, por se cili identitet vendoset në qendër të vetëdijes kolektive dhe të projektit shtetëror.
Kosova është shtet i ri, i dalë nga një proces i dhimbshëm historik, nga lufta, nga represioni dhe nga ndërhyrja ndërkombëtare. Identiteti i saj politik është ndërtuar mbi parimin e qytetarisë dhe multietnicitetit, por identiteti shoqëror i shumicës mbetet qartazi shqiptar. Brenda këtij realiteti, feja – veçanërisht Islami – ka fituar hapësirë të re publike, shpeshherë përtej rolit tradicional që ka pasur në shoqërinë shqiptare.
Identiteti shqiptar – bazë historike dhe kulturore
Identiteti shqiptar në Kosovë është formuar gjatë një procesi historik mijëvjeçar dhe mbështetet në dëshmi të shumta historike, arkeologjike, antropologjike dhe etnologjike. Ai pasqyron trashëgiminë kulturore tradicionale, përfshirë gjuhën, zakonet, këngët, vallet, veshjet, artizanatin, si dhe besimet, ritualet dhe mikpritjen. Ky identitet forcohet edhe nga përvoja e përbashkët kolektive dhe lidhja e shqiptarëve me të kaluarën dhe të tashmen.
Për dekada me radhë, shqiptarët e Kosovës janë organizuar politikisht dhe shoqërisht jo mbi baza fetare, por mbi gjuhën, vetëdijen kombëtare dhe përkatësinë e tyre etnike shqiptare, duke e ndërtuar solidaritetin dhe mobilizimin shoqëror rreth këtyre elementeve themelore.
Gjatë periudhës osmane, feja ishte shpesh një mjet mbijetese, jo një projekt identitar. Shqiptarët ruajtën gjuhën, traditat dhe strukturat shoqërore pavarësisht ndryshimeve fetare, duke dëshmuar se përkatësia kombëtare ishte më e fortë se ajo fetare. Në këtë periudhë, bashkëjetesa ndërfetare u bë një karakteristikë e veçantë e shoqërisë shqiptare, ku myslimanë, katolikë dhe ortodoksë ndanin të njëjtën gjuhë, zakone dhe vetëdije etnike.
Gjatë Jugosllavisë, identiteti shqiptar ishte politikisht i rrezikshëm dhe i shtypur, ndërsa feja tolerohej në forma të kufizuara dhe të kontrolluara. Megjithatë, as në këtë periudhë feja nuk u shndërrua në bosht mobilizues. Arsimi në gjuhën shqipe, kultura, letërsia dhe kërkesa për barazi politike ishin shtyllat kryesore të rezistencës dhe organizimit shoqëror.
Në vitet ’90, lëvizja për liri dhe pavarësi ishte thellësisht laike dhe kombëtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte karakter fetar, por synim çlirimin kombëtar dhe të drejtat politike të shqiptarëve. Simbolet, gjuha dhe diskursi i kësaj lëvizjeje ishin të qarta: liria, barazia dhe vetëvendosja, jo ideologjia fetare. Kjo u reflektua edhe në mbështetjen e gjerë popullore dhe në solidaritetin e diasporës shqiptare, e cila u mobilizua mbi baza kombëtare dhe jo fetare.
Pas përfundimit të luftës, procesi i ndërtimit të institucioneve në Kosovë u orientua drejt konsolidimit të vlerave qytetare, pluralizmit politik dhe bashkëjetesës kulturore. Identiteti shqiptar në Kosovë vijon të mbështetet kryesisht në gjuhën, kulturën, kujtesën historike dhe orientimin europian. Në të njëjtën kohë, toleranca fetare mbetet një nga vlerat më të rëndësishme të shoqërisë dhe identitetit kombëtar.
Prandaj, ideja se identiteti fetar ka qenë ndonjëherë shtylla kryesore e mobilizimit shqiptar në Kosovë është historikisht e pasaktë. Identiteti shqiptar është formuar dhe forcuar përmes një procesi të gjatë historik, ku kombi, gjuha dhe kultura kanë qenë boshti kryesor i qëndresës dhe i vazhdimësisë shoqërore.
Feja si faktor shoqëror në Kosovë: Nga praktika private te prania publike e fesë
Pas vitit 1999, dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë më 2008, feja filloi të rikthehet në hapësirën publike. Ky rikthim nuk ishte domosdoshmërisht problematik në vetvete. Liria fetare është e drejtë themelore dhe pjesë e demokracisë. Problemi fillon kur feja politizohet, instrumentalizohet ose paraqitet si identitet alternativ ndaj atij kombëtar. Kjo do të thotë se kur udhëheqësit politikë apo grupet shoqërore fillojnë të përdorin fenë për qëllime politike – p.sh., për të fituar pushtet, për të legjitimuar vendime ose për të ndarë njerëzit – atëherë fillojnë konfliktet.
Në dy dekadat e fundit, Kosova ka përjetuar:
Rritje të ndikimit të organizatave fetare të financuara nga jashtë,
Përhapje të interpretimeve më konservatore të Islamit,
Tensione rreth rolit të fesë në arsim dhe në hapësirën publike.
Polarizim social dhe rritje të debatit publik mbi identitetin fetar dhe kombëtar.
Rritje të influencës së grupeve fetare në politikë dhe proceset e vendimmarrjes.
Këto zhvillime kanë krijuar një realitet të ri shoqëror, ku për herë të parë pas shumë kohësh, identiteti fetar konkurron hapur me identitetin kombëtar. Kur këto dy identitete nuk përputhen, mund të lindin tensione brenda shoqërisë dhe tek individët, veçanërisht kur identiteti fetar ka peshë më të madhe se ai kombëtar.
Islami në Kosovë – traditë apo import ideologjik?
Islami tradicional në Kosovë ka qenë historikisht i moderuar, i ndërthurur ngushtë me zakonet dhe traditat lokale, si dhe i karakterizuar nga një frymë tolerance dhe bashkëjetese fetare. Ai nuk ka pasur një dimension politik dhe as nuk ka qenë në kundërshtim me identitetin kombëtar shqiptar. Përkundrazi, ka bashkëjetuar natyrshëm me të, si pjesë përbërëse e mozaikut kulturor dhe shoqëror shqiptar.
Pas luftës, megjithatë, në Kosovë kanë filluar të shfaqen forma të Islamit të huazuara dhe të frymëzuara nga ideologji të jashtme, të importuara kryesisht nga kontekste kulturore, historike dhe politike krejtësisht të ndryshme nga realiteti shqiptar. Këto rryma relativizojnë kombin si kategori historike dhe kulturore, minimizojnë rëndësinë e gjuhës, historisë dhe trashëgimisë kombëtare, dhe e vendosin fenë mbi shtetin dhe kombin. Një qasje e tillë përbën një sfidë serioze ndaj realitetit historik shqiptar dhe ndaj vetë projektit të shtetndërtimit të Kosovës.
Problemi nuk qëndron te feja në vetvete, por lind në momentin kur ajo instrumentalizohet për qëllime ideologjike dhe politike, duke synuar dobësimin e identitetit kombëtar dhe krijimin e përçarjeve shoqërore. Në këtë kontekst, kundërshtimi ndaj Perëndimit shpesh artikulohet në mënyrë të hapur dhe agresive. Për disa individë, identifikimi i theksuar fetar shndërrohet në një formë proteste ndaj Perëndimit, i cili perceptohet si hipokrit, dominues dhe indiferent ndaj vuajtjeve të botës myslimane. Politikat ndërkombëtare selektive dhe ndërhyrjet gjeopolitike të padrejta e thellojnë edhe më tej këtë ndjenjë pakënaqësie dhe antagonizmi.
Veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesë e klerikëve myslimanë, pikërisht në një periudhë vendimtare për ndërtimin e shtetit të Kosovës, kanë ndërmarrë sulme të drejtpërdrejta ndaj themeleve të identitetit kombëtar. Janë përdhosur figura kyçe të historisë dhe kulturës shqiptare si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Gjergj Fishta, Nënë Tereza, Pjetër Bogdani dhe të tjerë; janë hedhur poshtë simbolet kombëtare, flamuri dhe gjithçka që lidhet me shqiptarinë. Deklarata të tilla si “në vitin 1912 u ngrit flamuri i pavërtetës – flamuri i qafirit”, kërcënimet për shkatërrimin e varrezave dhe memorialëve të dëshmorëve të Kosovës, apo glorifikimi i dhunës ndaj “qafirëve”– (të gjithë ata nuk janë në Islam), përbëjnë jo vetëm devijim të skajshëm fetar, por edhe rrezik të drejtpërdrejtë për kohezionin shoqëror dhe rendin demokratik.
Madje, në disa raste kërkohet rishkrimi i historisë, transformimi i kulturës dhe i mënyrës së jetesës, imponimi i sheriatit dhe përdorimi provokues i objekteve fetare, si shprehje e një ideologjie që bie ndesh me realitetin historik dhe kulturor shqiptar. Kjo ngre pyetje thelbësore mbi vetëdijen kombëtare: si mund të veprojë një shoqëri kundër vetvetes, duke mohuar identitetin e saj historik dhe duke u përpjekur të zëvendësojë shqiptarinë me modele të huaja kulturore e fetare?
Këto veprime krijojnë një precedent të rrezikshëm, pasi figurat historike dhe simbolet kombëtare nuk janë thjesht elemente të së kaluarës, por shtylla themelore të formimit kulturor, moral dhe historik të kombit shqiptar. Paradoksalisht, pasojat e këtij procesi shpesh shoqërohen me fajësimin e Kishës Katolike, Vatikanit apo Perëndimit për ndarjet e krijuara, pavarësisht faktit se, historikisht, katolicizmi ka funksionuar si mekanizëm mbrojtës i identitetit kombëtar shqiptar.
Kjo situatë dëshmon kompleksitetin e marrëdhënieve ndërmjet fesë dhe kombit në kontekstin shqiptar. Klerikët që nuk promovojnë unitetin shoqëror dhe që nuk mbrojnë interesat kombëtare kontribuojnë drejtpërdrejt në përçarje dhe tensione, duke e shndërruar Islamin nga një komponent historik dhe natyror i identitetit shqiptar në një mjet ideologjik që rrezikon të minojë vetë qenien kombëtare.
Në këtë kuptim, parimi i njohur “Feja e shqiptarit është shqiptaria” ka shërbyer historikisht si një mekanizëm mbrojtës ndaj përçarjes së brendshme, duke garantuar bashkëjetesën fetare dhe duke ruajtur përparësinë e identitetit kombëtar mbi ndarjet dogmatike. Ky parim mbetet edhe sot një pikë referimi thelbësore për ruajtjen e unitetit, stabilitetit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare.
Rinia dhe kriza e identitetit
Në këtë vakuum identitar, të rinjtë shpesh mbeten pa orientim të qartë për rolin e tyre në shoqëri. Kur shteti nuk ofron perspektivë, as ekonomi funksionale e as një narrativë bindëse për të ardhmen, hapësira mbushet nga struktura alternative që premtojnë rend, kuptim dhe “të vërtetë” absolute. Kjo krijon terren të favorshëm për ideologji që nuk nxisin mendimin kritik, por bindjen dhe mbylljen ndaj tjetrit.
Problemi nuk qëndron te feja si besim personal, por te instrumentalizimi i saj si zëvendësim i identitetit qytetar dhe kombëtar. Një shoqëri e shëndetshme arrin t’i harmonizojë këto shtresa identiteti; ndërsa kur njëra imponohet si e vetmja, lind përjashtimi, polarizimi dhe dobësimi i kohezionit shoqëror. Prandaj, sfida kryesore për Kosovën mbetet ndërtimi i një vizioni gjithëpërfshirës, ku rinia të gjejë arsye për të besuar te shteti, jo për ta kërkuar shpëtimin jashtë tij.
Shteti laik dhe keqkuptimi i laicitetit
Kosova është një shtet laik, që do të thotë se nuk favorizon asnjë fe dhe nuk ndërton politika mbi baza fetare. Megjithatë, laiciteti shpesh keqinterpretohet si mohim i identitetit kombëtar, një keqkuptim i rrezikshëm dhe i papranueshëm për Kosovën.
Laiciteti është ndarje e fesë nga shteti, jo ndarje e kombit nga shteti. Një shtet mund të jetë laik dhe njëkohësisht të promovojë gjuhën, kulturën dhe historinë kombëtare. Në Kosovë, problemi nuk është laiciteti, por mungesa e një politike të qartë kulturore dhe arsimore që e forcon identitetin shqiptar në kuadër të një shteti qytetar.
Debati mbi identitetin nuk ndodh në vakum. Ai ndikohet nga interesa gjeopolitike. Dobësimi i identitetit kombëtar shqiptar në Kosovë i shërben:
narrativave që e paraqesin Kosovën si shtet artificial,
projekteve që synojnë fragmentarizim të brendshëm,
aktorëve që nuk e shohin Kosovën si pjesë të natyrshme të botës perëndimore.
Në këtë kontekst, identiteti fetar i instrumentalizuar mund të shndërrohet në mjet destabilizimi, edhe pa qëllim të drejtpërdrejtë nga vetë besimtarët.
Identiteti shqiptar dhe Europa
Kosova ka zgjedhur orientimin euroatlantik. Ky orientim nuk është vetëm politik dhe ekonomik, por edhe kulturor. Identiteti shqiptar – me theks në gjuhë, histori, kulturë, pluralizëm dhe tolerancë – është shumë më i përshtatshëm për këtë orientim sesa një identitet fetar i ngushtë. Gjuha shqipe, traditat dhe vlerat e përbashkëta kombëtare janë urë lidhëse që e bëjnë popullin shqiptar pjesë të natyrshme të Europës, duke integruar në të njëkohësisht diversitetin e brendshëm dhe vlerat universale të kontinentit.
Europa nuk kërkon shoqëri pa fe, por kërkon shoqëri ku feja është çështje personale dhe nuk dominon jetën publike. Ajo respekton të gjitha bindjet, por promovon një ekuilibër ku qytetaria dhe ligji janë mbi çdo ndarje fetare. Nëse Kosova dëshiron të jetë pjesë e këtij projekti, duhet të ruajë këtë ekuilibër mes lirisë fetare dhe identitetit kombëtar. Përmes një identiteti që vlerëson trashëgiminë kombëtare, gjuhën, kulturën dhe respektin për diversitetin, Kosova mund të ndërtojë një shoqëri moderne, të hapur dhe të integruar në familjen europiane.
Ky orientim nuk do të thotë mohimin e fesë, por vendosjen e saj në një hapësirë ku nuk pengon përparimin dhe bashkëjetesën, duke e bërë identitetin shqiptar një urë lidhëse mes traditës dhe modernitetit, mes Lindjes dhe Perëndimit.
Çfarë duhet bërë?
Debati nuk duhet të jetë përjashtues. Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes të qenit shqiptar dhe besimtar. Është thelbësore që secili të ndihet i lirë të shprehë besimin e tij pa cenuar përkatësinë kombëtare. Për këtë, duhet të sigurojmë që:
Identiteti kombëtar të mbetet boshti i përbashkët shoqëror, duke u bazuar në vlera të përbashkëta dhe historinë e përbashkët.
Feja të mos përdoret si identitet politik, dhe të mos shërbejë për ndarje apo përjashtim brënda shoqërisë.
Arsimi publik të forcojë dijen historike dhe kulturore, duke i njohur qytetarët me trashëgiminë kombëtare dhe duke promovuar respektin për diversitetin fetar.
Institucionet të jenë të qarta në mbrojtjen e karakterit laik të shtetit, duke siguruar që të gjitha komunitetet të trajtohen me barazi dhe drejtësi.
Të nxisim respektin dhe dialogun ndërfetar, për të krijuar një shoqëri më të përfshirshme dhe të bashkuar, ku dallimet nuk bëjnë barrierë, por pasuri.
Mediat dhe organizatat qytetare të mbështesin iniciativat që promovojnë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet besimeve të ndryshme.
Vetëm përmes ndërtimit të urave të respektit dhe komunikimit të hapur mund të sigurojmë që pluralizmi fetar të shndërrohet në burim force dhe jo në shkak konflikti në shoqërinë shqiptare.