"Operacioni Vendosmëria Absolute” nga njësia speciale DELTA realizohet me sukses

Opinione

"Operacioni Vendosmëria Absolute” nga njësia speciale DELTA realizohet me sukses

Nga: Prof.dr.Muhamet Racaj Më: 4 janar 2026 Në ora: 20:00
Prof.dr.Muhamet Racaj

Për muaj të tërë, spiunët amerikanë ndoqën çdo lëvizje të presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro.

Një ekip i vogël, që përfshinte edhe një burim brenda qeverisë venezuelase, vëzhgonte se ku flinte 63-vjeçari, çfarë hante, çfarë vishte, madje edhe, sipas përfaqësuesve të lartë ushtarakë, “kafshët e tij shtëpiake”.

Më pas, në fillim të dhjetorit, u finalizua misioni i planifikuar me emrin “Operacioni Vendosmëria Absolute”. Ai ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi të përpiktë dhe stërvitjesh, që përfshinin edhe ushtarë elitarë amerikanë, të cilët ndërtuan një kopje të saktë në përmasa reale të shtëpisë së sigurt të Madurros në Karakas, për të ushtruar rrugët e hyrjes.

Plani, që përfaqësonte një ndërhyrje të jashtëzakonshme ushtarake amerikane në Amerikën Latine, të paprecedentë që nga Lufta e Ftohtë, u mbajt me kujdes të madh sekret. Kongresi nuk u informua dhe as nuk u konsultua paraprakisht. Me detajet e sakta të përcaktuara, përfaqësuesve të lartë ushtarakë u mbetej vetëm të prisnin kushtet optimale për të filluar.

Ata donin të maksimizonin elementin e befasisë, deklaruan zyrtarët të shtunën. Katër ditë më parë pati një nisje të rreme, kur presidenti amerikan Donald Trump dha miratimin, por ata vendosën të prisnin një moment më të përshtatshëm dhe me më pak re.

– Gjatë javëve deri në Krishtlindje dhe Vitin e Ri, burrat dhe gratë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara qëndruan në gatishmëri, duke pritur me durim që të plotësoheshin kushtet e duhura dhe presidenti të na urdhëronte të vepronim – deklaroi gjenerali Dan Kejn, oficeri ushtarak me gradën më të lartë në vend, në një konferencë për shtyp të shtunën në mëngjes.

“Fat të mbarë dhe me Zotin”

Urdhri i presidentit për nisjen e misionit erdhi më në fund në orën 22:46 sipas kohës lindore të premten (03:46 sipas Griniçit të shtunën).

– Do ta kishim bërë këtë katër ditë më parë, tre ditë më parë, dy ditë më parë, dhe pastaj papritur u hap mundësia. Dhe thamë: po shkojmë – deklaroi vetë Trump për “Fox and Friends” të shtunën, disa orë pas sulmit të natës.

– Ai na tha, dhe ne e vlerësojmë këtë… fat të mbarë dhe shumë fat – tha gjenerali Kejn. Urdhri i Trump erdhi pak para mesnatës në Karakas, duke i dhënë ushtrisë pjesën më të madhe të natës për të vepruar në errësirë.

Ajo që pasoi ishte një mision prej dy orësh e njëzet minutash nga ajri, toka dhe deti, që tronditi shumë njerëz në Uashington dhe në mbarë botën.

Për nga përmasa dhe saktësia, ai ishte praktikisht pa precedent. Ai shkaktoi menjëherë dënim nga disa fuqi rajonale, ndërsa presidenti i Brazilit, Lula da Silva, tha se kapja me dhunë e liderit të Venezuelës krijoi “një tjetër precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për të gjithë komunitetin ndërkombëtar”.

Trump nuk e ndoqi misionin nga dhoma e krizave në Shtëpinë e Bardhë. Në vend të kësaj, ai ishte i rrethuar nga këshilltarët e tij në klubin e tij “Mar-a-Lago” në Palm Beach, Florida, ku ndiqte transmetimin live të operacionit, i shoqëruar nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

– Ishte diçka e pabesueshme për t’u parë. Po të kishit parë çfarë ndodhi, do të thosha se e pashë fjalë për fjalë sikur po shikoja një emision televiziv. Dhe shpejtësia, dhuna… thjesht ishte diçka e jashtëzakonshme, një punë e pabesueshme që bënë këta njerëz – tha Trump.

Në muajt e fundit, mijëra ushtarë amerikanë u dislokuan në rajon, duke iu bashkuar një aeroplanmbajtëseje dhe dhjetëra anijeve luftarake, në përforcimin më të madh ushtarak në dekadat e fundit, pasi Trump e akuzoi Maduron për trafik droge dhe narkoterrorizëm dhe shkatërroi dhjetëra varka të vogla të akuzuara për transport droge nëpër rajon.

Por shenjat e para të operacionit “Vendosmëria Absolute” u panë në qiell. Sipas zyrtarëve amerikanë, më shumë se 150 avionë – përfshirë bombardues, avionë luftarakë dhe avionë zbulues – u dislokuan gjatë natës.

– Ishte shumë komplekse, jashtëzakonisht komplekse, i gjithë manovrimi, uljet, numri i avionëve. Kishim një avion luftarak për çdo situatë të mundshme – tha Trump për Fox News.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Karakas rreth orës 02:00 sipas kohës lokale (06:00 sipas Griniçit), dhe mbi qytet u panë re tymi.

– Dëgjova një zhurmë të madhe, një shpërthim të fortë. I lëvizi të gjitha dritaret. Menjëherë pas kësaj pashë një re të madhe tymi që pothuajse bllokoi gjithë pamjen – deklaroi gazetarja Ana Vanesa Herrero për BBC-në.

Ajo shtoi: “Avionë dhe helikopterë fluturonin nëpër gjithë qytetin”.

Së shpejti, video që tregonin avionë të shumtë në qiell dhe të tjera që shfaqnin pasojat e dukshme të shpërthimeve filluan të qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale. Njëra tregonte një kolonë helikopterësh që fluturonin në lartësi të ulët mbi Karakas, ndërsa tymi ngrihej nga shpërthimet e dukshme.

– U zgjuam rreth orës 01:55 nga gjëmimi i shpërthimeve dhe zhurma e avionëve që fluturonin mbi Karakas. Gjithçka ishte e zhytur në errësirë absolute, e ndriçuar vetëm nga shkëlqimet e shpërthimeve pranë – tha dëshmitarja Daniela për BBC-në.

Ajo shtoi: “Fqinjët shkëmbenin mesazhe në bisedën e grupit të banesës, të gjithë të hutuar dhe të pavetëdijshëm për atë që po ndodhte [dhe] të frikësuar nga shpërthimet”.

BBC Verify analizoi një numër të madh videosh që shfaqnin shpërthime, zjarr dhe tym në zona rreth Karakasit për të identifikuar saktësisht cilat lokacione ishin objektiv.

Deri më tani, janë konfirmuar pesë lokacione, përfshirë bazën ajrore “Generalísimo Francisco de Miranda”, aeroportin e njohur si La Carlota dhe portin La Guaira, kanali kryesor i Karakasit drejt Detit të Karaibeve.

– Ata thjesht hynë me forcë në vende ku në fakt nuk duhej të ishte e mundur të hyje, e dini, dyer çeliku që ishin vendosur pikërisht për këtë arsye – vuri në dukje Trump.

Edhe teksa operacioni ishte ende në zhvillim, gjatë të cilit u arrestua edhe bashkëshortja e Madurros, Cilia Flores, Rubio filloi të informonte ligjvënësit për aksionin, një vendim që më pas shkaktoi zemërim tek disa anëtarë të Kongresit amerikan.

– Të jem i qartë: Nikolas Maduro është një diktator i paligjshëm. Por nisja e një veprimi ushtarak pa miratimin e Kongresit dhe pa një plan të besueshëm për atë që vjen më pas është e papërgjegjshme – tha demokrati kryesor Chuck Schumer, lider i partisë në Senat.

Informimi paraprak i Kongresit do ta rrezikonte misionin, u tha Rubio gazetarëve gjatë konferencës për shtyp të shtunën.

– Kongresi ka prirje të nxjerrë informacione. Kjo nuk do të ishte mirë – shtoi Trump.

Në kompleksin e Madurros, ndërsa trupat elitare amerikane po hynin, Trump tha se presidenti venezuelas, i cili thuhet se kishte rritur varësinë nga truprojat kubane muajt e fundit, u përpoq të arratisej drejt një dhome të sigurt.

– Ai po përpiqej të arrinte në një vend të sigurt, i cili nuk ishte i sigurt, sepse ne do ta kishim hedhur në erë derën për rreth 47 sekonda. Ai arriti te dera. Nuk mundi ta mbyllte. U sulmua aq shpejt sa nuk hyri në atë dhomë – tha Trump.

Kur u pyet nëse SHBA-të mund ta kishin vrarë Maduron, liderin autoritar që mori presidencën në vitin 2013, Trump tha: “Mund të kishte ndodhur”.

Nga ana amerikane, “disa djem u plagosën”, tha ai, por asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk u vra. Autoritetet venezuelase nuk konfirmuan viktima.

SHBA-të më herët kishin ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh (37 milionë paund) për informacione që do të çonin në arrestimin e Madurros. Por deri në orën 04:20 sipas kohës lokale të së shtunës, helikopterët po largoheshin nga territori venezuelas me Maduron dhe bashkëshorten e tij në bord, në paraburgim të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së dhe në rrugë drejt Nju Jorkut, ku pritet të përballen me akuza penale.

Pothuajse saktësisht një orë më vonë, Trump e bëri të ditur arrestimin e tij për botën.

– Maduro dhe bashkëshortja e tij së shpejti do të përballen me gjithë fuqinë e drejtësisë amerikane – tha ai.

Disa nga sulmet amerikane ishin të drejtuara kundër sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe objektivave të tjera ushtarake, deklaruan zyrtarët. Trump gjithashtu sugjeroi se SHBA-të e kishin ndërprerë energjinë elektrike në Karakas para fillimit të misionit, megjithëse nuk sqaroi se si.

– Dritat në Karakas u fikën kryesisht falë një ekspertize të caktuar që ne e kemi. Ishte errësirë dhe ishte vdekjeprurëse – tha ai.

“Ata e dinin se po vinim”

Ndërsa sulmet përhapeshin nëpër Karakas, forcat amerikane depërtonin në qytet. Mes tyre ishin edhe anëtarë të forcës elitare Delta Force, njësia më e lartë për misione speciale e ushtrisë amerikane, thanë burime për partnerin amerikan të BBC-së, CBS. Ata ishin rëndë të armatosur dhe mbanin pishtarë elektrikë në rast se do t’u duhej të thyenin dyert metalike të shtëpisë së sigurt të Madurros.

Sipas gjeneralit Kejn, ushtarët mbërritën në lokacionin e Madurros pak pas fillimit të sulmeve, në orën 02:01 sipas kohës lokale.

Trump e përshkroi shtëpinë e sigurt si një “kështjellë” ushtarake në zemër të Karakasit, duke thënë:

– Ata ishin në pozicion të gatshëm duke na pritur. Ata e dinin se po vinim…

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat