“PDK akuzon mërgatën pas dështimit në zgjedhje”

Opinione

“PDK akuzon mërgatën pas dështimit në zgjedhje”

Nga: Shefqet Avdimetaj Më: 8 janar 2026 Në ora: 22:00
Shefqet Avdimetaj

Pas humbjes në zgjedhje, PDK vendosi të mos merret me arsyet e humbjes, por me zgjedhjen e fajtorit. Dhe si zakonisht, u gjet një adresë e lehtë,mërgata. Jo korrupsioni, jo keqqeverisja, jo trashëgimia e pushtetit gati 20 vjeçar,por qytetarët që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk varen nga rrjetet partiake brenda tij.

Formalisht, sot PDK është në opozitë. Por politikisht, ajo mban ende përgjegjësinë për një rend institucional që e ka ndërtuar dhe dominuar për gati dy dekada. Opozitarizmi aktual nuk e shlyen autorësinë e së kaluarës. Dhe pa pranim të kësaj autorësie, çdo kritikë ndaj të tjerëve tingëllon si shmangie, jo si analizë.

Në filozofinë politike ekziston një parim i thjeshtë,pushteti legjitimohet nga rezultatet dhe nga besimi, jo nga biografia politike. Kur besimi humbet, humbja elektorale nuk është komplot, por reagim qytetar. Kush nuk e pranon këtë, ka problem jo me mërgatën, por me vetë konceptin e demokracisë.

PDK ka qenë pjesë qendrore e të gjitha vendimmarrjeve kryesore pasluftës prej privatizimeve, politikave ekonomike, ndarjes së pushtetit institucional dhe ndërtimit të kulturës së administrimit publik. Këto nuk janë detaje teknike, por themele të shtetit. Dhe themelet, kur janë të dobëta, nuk mund t’i fajësosh banorët pse shtëpia nuk qëndron.

Mërgata, përkundrazi, nuk ka pasur qasje në pushtet. Ajo nuk ka nënshkruar kontrata publike, nuk ka ndarë tenderë, nuk ka drejtuar ministri. Ka bërë vetëm një gjë, ka dërguar para, ka investuar privatisht dhe ka mbajtur gjallë konsumin dhe familjet. Ta akuzosh për dështime shtetërore një aktor që nuk ka pasur pushtet është politikisht e pakuptimtë dhe moralisht cinike.

Fajësimi i mërgatës nuk është analizë politike por është strategji mbrojtëse. Është përpjekje për ta zhvendosur debatin nga pyetja e pakëndshme “pse humbëm besimin?” te pyetja e rreme “kush na e prishi rezultatin?”. Kjo është logjikë e partive që nuk duan të reformohen, por vetëm të mbijetojnë narrativisht.

Problemi i vërtetë i PDK-së nuk është se mërgata votoi ndryshe, por se gjithnjë e më shumë qytetarë, brenda dhe jashtë vendit, nuk e shohin më si alternativë qeverisëse. Dhe kjo nuk vjen nga fushatat kundërshtare, por nga përvoja konkrete e njerëzve me shtetin gjatë viteve të qeverisjes së saj.

Në demokraci, vota nuk është shenjë besnikërie, por akt gjykimi. Kur një parti e interpreton këtë gjykim si padrejtësi, ajo po tregon se ende nuk e ka pranuar se pushteti është kontratë e përkohshme, jo pronë politike.

PDK sot ka një zgjedhje të qartë, ose të vazhdojë ta shohë veten si viktimë të rrethanave dhe të kërkojë fajtorë jashtë vetes, ose të pranojë se modeli i saj politik ka konsumuar besimin publik dhe se nevojitet transformim i thellë, jo retorikë mbrojtëse.

Akuzat ndaj mërgatës nuk e rikthejnë besimin. Ato vetëm e thellojnë hendekun midis partisë dhe një pjese të madhe të shoqërisë që për vite ka mbajtur vendin në këmbë ekonomikisht, ndërsa politika merrej me ndarjen e pushtetit.

Në fund, problemi nuk është pse mërgata nuk e votoi PDK-në. Problemi është pse, pas gati 20 vjetësh ndikim në pushtet, PDK ende nuk po arrin ta bindë qytetarin se meriton një shans tjetër.

Dhe kjo është pyetje që nuk zgjidhet me akuza, por me përgjegjësi politike!

Mërgata nuk është arsyeja e humbjes së PDK-së.Ajo është vetëm dëshmi se besimi politik nuk trashëgohet, ai fitohet, ose humbet, me mënyrën se si qeveriset.

P.S  

Dhe sa për mërgatën,ajo do të vazhdojë të vijë kur Kosova ka nevojë.Por nuk do të votojë më për ata që e trajtuan shtetin si plaçkë,dhe popullin si arsyetim për dështimin e vet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat