Dy problemet që s’u mor askush për një vit fushatë elektorale

Opinione

Dy problemet që s’u mor askush për një vit fushatë elektorale

Nga: Agron Hoti Më: 9 janar 2026 Në ora: 21:45
Agron Hoti

Janë dy probleme të mëdha që po e shpopullojnë frikshëm Kosovën: i pari është politik, i dyti ekonomik.

Politik është moszgjidhja e problemit me Serbi që po e mban vendin nën tension të vazhdueshëm dhe po pamundëson çfarëdo zhbllokimi të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo po krijon pasiguri te qytetarët, të cilët - duke e parë që tërë energjia politike vendore po shkon duke u marrë nonstop me Serbi – e kanë humbur shpresën për një të ardhme më të mirë dhe të sigurtë, ndaj dhe po ikin me të madhe nga Kosova.

Ekonomik është moszgjidhja e problemit të energjisë, investim ky i Serbisë e Rusisë para syve dhe me mbështetje të evropianëve që Kosova me çdo kusht të ngelet e varur nga importi i energjisë, sepse duke ngelur e varur, në 4 vitet e fundt na është rritur çmimi i energjisë mbi 150%. Kjo automatikisht i ka rritur të gjitha çmimet dhe ka qenë nxitësi kryesor i ikjes së rinisë.

Serbia historikisht i është frikësuar rritjes demografike të Kosovës. E ka përmendur këtë edhe nëpër plane për dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve. Prandaj, ajo këmbëngul që problemi me Kosovën të zgjasë sa më shumë, mundësisht të mos zgjidhet kurrë, sepse në secilin variant humbës po dalim ne, kjo sepse loja po zhvillohet në territorin tonë.

 Po ashtu, Serbia përmes Rusisë dhe disa mbështetësve evropianë është e interesuar që Kosova mos ta zgjidhë asnjëherë problemin e energjisë, sepse duke e pasur një Kosovë të varur nga importi i energjisë, do të mund ta mbajnë, siç edhe po e mbajnë, të paralizuar ekonomikisht.

Si rezultat i një Kosove të paralizuar politikisht dhe ekonomikisht në 5 apo 6 vitet e fundit na ikën mbi 200 mijë të rinj (kryesisht djem). Mjerisht, forcat politike në Kosovë, gjatë më shumë se një viti fushatë elektorale, nuk e gjetën asnjëherë mundin që të ofronin alternativa se si do t’i zgjidhin dy problemet e lartëpërmendura, të cilat po e nxisin me të madhe ikjen e rinisë dhe po e përthajnë të ardhmen e vendit. Paralajmërimet për rritje të mëtejme të çmimit të energjisë dhe shërbimeve tjera, vetëm sa do ta përshpejtojnë shpopullimin e frikshëm të vendit. A.H.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat