Kosova dhe trajektorja e zorshme e lirisë, shtetit dhe pavarësisë...

Opinione

Kosova dhe trajektorja e zorshme e lirisë, shtetit dhe pavarësisë...

Nga: Agron Shabani Më: 15 janar 2026 Në ora: 10:35
Autori Agron Shabani

Disa në Ballkan thonë se sërish po kërkojnë luftëra ose konflikte të ndryshme shkatërrimtare dhe vdekjeprurëse me të tjerët.

E sidomos ata që janë mundur në të gjitha frontet e luftës.

Bota nuk ka nevojë për politika të dhunshme, infantile dhe patologjike, të cilat i mësojnë dhe i detyrojnë njerëzit dhe popujt e ndryshëm të vuajnë, të vriten, të vdesin, të zhduken, të shfarosen dhe të urrejnë njëri-tjetrin, si në luftë, ashtu edhe në paqe apo pasluftë.

Njerëzimi ka nevojë për një politikë dhe moral të ri, që i mëson, i predikon, i udhërrëfen dhe i obligon njerëzit dhe popujt e ndryshëm anembanë globit të duan, të pranojnë, të çmojnë, të vlerësojnë, të nderojnë dhe të respektojnë njëri-tjetrin në diversitete dhe polaritete të ndryshme.

Apo, së paku, të jenë më njerëzorë, më humanë, më racionalë, më solidarë, më të thellë dhe më konsekuentë e inteligjentë përballë njëri-tjetrit.

Nuk i sundojnë dhe nuk i qeverisin dot përgjithmonë njerëzit ose popujt e ndryshëm tiranët, despotët, oligarkët apo diktatorët që i vrasin, i zhdukin ose i shfarosin ata përmes luftërave të ndryshme imperiale, kolonialiste dhe apokaliptike!

E sidomos përmes parullave, pamfleteve, thirrjeve ose sloganeve “të zjarrta” populiste, revolucionare, nacionaliste apo pseudo-patriotike, që i shpartallon ose i davarit mëngjesi.

Vendoseni dorën vetëm një minutë mbi furrë, futeni këmbën vetëm dy minuta në zjarrin ose flakën e luftës, dhe jeta do t’ju duket më e gjatë se një shekull. Ndërkaq, uluni dhe pushoni vetëm për një orë pranë një gruaje të bukur diku në hotel ose në dhomën e fjetjes, apo pranë një njeriu të mençur, intelektual dhe inteligjent, dhe ora do t’ju duket sa një sekondë. – Ky është relativiteti.

Apo…

“Bashkojuni luftës vetëm për një çast! Shikojeni për një moment botën dhe jetën e njerëzve (luftëtarëve) nëpër llogore, transhe, rrogoze ose istikame të luftës. Takoni ushtarë, eprorë, komandantë ose strategë të luftës. Flisni me ta për pak minuta dhe më thoni nëse dikush prej jush mund t’i vrasë ose t’i dorëzojë ata, para se ata t’ju vrasin ose t’ju robërojnë ju.”
(Sipas Napoleon Bonapartës dhe Hermann Dyringut) – Ky është realiteti.

Nejse, kjo nuk ka rëndësi tani!

Tematika që dua të trajtoj në faqet e kësaj gazete të madhe dhe prestigjioze shqiptare mund të konsiderohet si jo mjaftueshëm e trajtuar dhe e lëvruar në mediosferën, gazetarinë dhe publicistikën shqiptare në Kosovë dhe në hapësirën mbarëkombëtare.

Sidomos problematika e studimit, analizës dhe përqasjes materialiste, idealiste, dialektike, empirike dhe realiste të “trajektores” së lirisë, shtetësisë dhe pavarësisë shtetërore, nacionale, politike dhe juridike të Kosovës, e cila duket sikur është lënë nën hije për shkak të zhvillimeve të njohura dhe të panjohura në Kosovën e pasluftës.

Ndaj, shqetësimi kryesor i kësaj tematike është përballja e vazhdueshme, insubordinuese dhe ciklike e dy-tri qasjeve, narrativave dhe interpretimeve disonante të filozofisë dhe ideologjisë shtetërore, nacionale, politike, historike dhe kulturore të Kosovës.

Kjo, para së gjithash, për shkak se në Kosovën e pasluftës, deri më sot, nuk kanë funksionuar siç duhet asnjëherë koabitacioni dhe ndarja e pushteteve ndërmjet legjislativit, gjyqësorit dhe ekzekutivit.

Ndërkohë, elitat intelektuale, kulturore, politike dhe akademike ose kanë mbetur në një gjendje apatie dhe agonie, ose janë përfshirë në parti politike, ose janë privuar nga ndikimi real për shkak të politikave ditore.

Si rrjedhojë, në Kosovën e pasluftës janë glorifikuar më shumë instinktet, interesat parciale, pushtetmbajtëse, partiake, karrieriste, nepotiste dhe klanore, sesa idetë dhe teoritë shkencore mbi shtetin, shoqërinë dhe demokracinë qytetare.

Në rastin më të butë, kjo quhet politikë borgjeze, patriarkale, feudale dhe anarko-individualiste, e ndërtuar mbi parimin e “asgjësë për asgjë”.

Siç dihet, idetë dhe teoritë e verifikuara shkencërisht përbëjnë ligje dhe norma institucionale, ndërsa teoritë e paverifikuara mbeten hipoteza, parabola apo fantazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat