Kundërshtimi i Vjosa Osmanit nuk është debat, por simptomë politike

Opinione

Kundërshtimi i Vjosa Osmanit nuk është debat, por simptomë politike

Nga: Shefqet Avdimetaj Më: 28 janar 2026 Në ora: 18:39
Shefqet Avdimetaj

Kundërshtimi i zgjedhjes së Dr. Vjosa Osmanit në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës po paraqitet si debat procedural, por në thelb është shprehje e një krize më të thellë politike, refuzimit të elitave të vjetra për të pranuar humbjen e kontrollit mbi institucionet.

Për më shumë se dy dekada, sistemi politik i Kosovës u ndërtua mbi marrëveshje ndërpartiake, rrjete klienteliste dhe një model pushteti ku institucionet shpesh funksiononin si zgjatim i interesave partiake. Ky realitet, i njohur në literaturë si “kapje e shtetit”, krijoi një klasë politike të mësuar të menaxhojë pushtetin përmes pazareve dhe jo përmes konkurrencës së ndershme demokratike.

Në këtë kontekst, Vjosa Osmani përfaqëson një thyerje ne praktikën e deritanishme. Jo sepse është figurë e përsosur, por sepse simbolizon një presidencë që buron nga legjitimiteti qytetar dhe jo nga kompromiset e mbyllura politike. Dhe pikërisht kjo e bën të papranueshme për ata që e shohin presidencën si instrument kontrolli, jo si institucion kushtetues të pavarur.

Duhet theksuar edhe një fakt që rrallë përmendet në zhurmën politike, raportet e konsoliduara të Vjosa Osmanit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësimi dinjitoz i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për një shtet të vogël, i cili ende përballet me sfida të njohjes dhe sigurisë, kredibiliteti diplomatik i udhëheqësve nuk është luks, por domosdoshmëri strategjike.

Reagimi i opozitës ndaj kësaj kandidature nuk ofron vizion alternativ, nuk artikulon shqetësime programore dhe nuk propozon zgjidhje institucionale. Në vend të kësaj, prodhon bllokim dhe tension artificial politik. Kjo është shenjë jo e një opozite funksionale, por e një strukture politike që ende sillet si pushtet i humbur, jo si alternativë demokratike. Problemi, pra, nuk është nëse një emër është i përshtatshëm apo jo për presidencën. Problemi është se një pjesë e skenës politike( opozitës) ende nuk e pranon një realitet ku institucionet nuk kontrollohen më nga marrëveshjet e klaneve. Kritikat e sotme nuk janë politike,janë psikoligjike.

Janë klithma të atyre që nuk e pranojnë dot fundin e epokës së tyre. Asnjë pushtet i ngritur mbi klientelizëm, frikë dhe hajni nuk i shpëton konsumimit moral.

Bashkimi i opozitës kundër Vjosa Osmanit nuk është bashkim parimesh, por aleancë frike. Frikë nga drejtësia, frik drejësia frikë nga transparenca.

"Suksesi nuk është përfundimtarë,dështimi nuk është fatal,rëndësi ka guximi për të vazhduar përpara"( Churchill). Dhe pikërisht këtë guxim po e kundërshton opozita.

Demokracia nuk rrezikohet nga presidentë me legjitimitet qytetar. Ajo rrezikohet kur elitat politike e shohin normalitetin institucional si kërcënim për interesat e tyre. Fillimi i keq sjell fund të keq - Mali principii malus finis.

Në këtë kuptim, kundërshtimi i Vjosa Osmanit flet më shumë për gjendjen e opozitës sesa për problemet e presidencës. Dhe kjo duhet të shqetësojë jo vetëm mazhorancën, por gjithë ata që pretendojnë se punojnë për një shtet funksional dhe demokratik.

Zotërat favorizojnë ata që veprojnë - Dii facientes adiuvant

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat