Votimi nga Kuvendi i Kosovës i Gjykatës Speciale “e keqja më e vogël”!

Opinione

Votimi nga Kuvendi i Kosovës i Gjykatës Speciale “e keqja më e vogël”!

Nga: Nijazi Halili Më: 10 shkurt 2026 Në ora: 15:57
Autori Nijazi Halili

Vendimi i Kuvendit të Kosovës për të votuar krijimin e Gjykatës Speciale mbetet një nga aktet më të kontestuara politike dhe juridike në historinë e pasluftës. Ky votim është shpesh trajtuar si akt tradhtie ose si dorëzim i sovranitetit, por një analizë e thelluar e rrethanave tregon se ajo ishte më shumë një zgjedhje e detyruar sesa një vullnet i lirë politik. Në këtë kuptim, votimi i Gjykatës Speciale mund të shihet si “e keqja më e vogël” në një situatë ku alternativat reale mungonin.

Procesi që çoi në krijimin e Gjykatës Speciale nuk filloi në Kuvendin e Kosovës. Ajo u ndërtua mbi raportin e Dick Marty-t, hetimet ndërkombëtare dhe mbi bindjen e partnerëve perëndimorë se institucionet e Kosovës nuk ishin në gjendje t’i trajtonin vetë rastet e ndjeshme. Këto rrethana e vendosën Kosovën përballë një fakti të kryer ose ta formalizonte juridikisht procesin, ose të përballej me krijimin e një tribunali plotësisht ndërkombëtar, jashtë çdo ndikimi të saj.

Teorikisht, Kosova kishte alternative, gjykimin e rasteve përmes institucioneve të veta, apo një mekanizëm ndërkombëtar brenda vendit. Praktikisht, këto alternativa nuk u konsideruan të besueshme nga aleatët perëndimorë. Refuzimi i Gjykatës Speciale do ta kishte hapur rrugën për një tribunal plotësisht ndërkombëtar, të krijuar jashtë vullnetit dhe ndikimit të Kosovës, ndoshta edhe përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Serbia dhe Rusia do kishin rol vendimtar. Në këtë realitet, Gjykata Speciale u pa si “e keqja më e vogël”.

Në këtë kontekst, votimi në Kuvend nuk ishte zgjedhje mes drejtësisë dhe padrejtësisë, por mes dy skenarëve të dëmshëm. Refuzimi i votimit do ta kishte zhvendosur çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Serbia dhe aleatët e saj do të kishin rol vendimtar. Një gjykatë e imponuar nga jashtë do të ishte shumë më e ashpër për Kosovën, pa asnjë lidhje kushtetuese me shtetin dhe pa asnjë përgjegjësi politike ndaj tij.

Duke e votuar Gjykatën Speciale, Kuvendi i Kosovës e ruajti, të paktën formalisht, një lidhje të procesit me rendin kushtetues të vendit. Edhe pse kjo nuk solli kontroll real mbi Gjykatën, ajo shmangu një skenar edhe më degradues për sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë aspekt, vendimi ishte më shumë akt mbrojtës sesa dorëzim.

Megjithatë, fakti që votimi ishte “e keqja më e vogël” nuk e bën atë vendim të drejtë apo të lehtë për t’u pranuar. Pasojat politike, shoqërore dhe emocionale kanë qenë të rënda, sidomos për mënyrën se si është ndikuar perceptimi mbi luftën çlirimtare dhe figurat e saj. Por përgjegjësia për këto pasoja nuk mund të reduktohet vetëm te një votim parlamentar, ajo lidhet me raportet e pabarabarta të fuqisë në arenën ndërkombëtare dhe me dobësitë strukturore të vetë shtetit të Kosovës.

Prandaj, votimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës nuk duhet parë si akt dëshire, por si zgjedhje e imponuar nga rrethanat. Ishte një kompromis i dhimbshëm, i bërë për të shmangur një dëm edhe më të madh. Ta kuptosh këtë realitet nuk do të thotë ta justifikosh padrejtësinë, por ta lexosh historinë me maturi juridike dhe politike, pa iluzione dhe pa thjeshtime të rrezikshme.

Gjykata Speciale do të mbetet një kapitull i rëndë në historinë e Kosovës. Pyetja kryesore nuk është më pse u krijua, por çfarë do të mësojë Kosova prej saj, a do të dalë më e pjekur politikisht dhe institucionalisht, apo do të mbetet peng i padrejtësive dhe presioneve të vazhdueshme ndërkombëtare. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do ta përcaktojë drejtimin e shtetit në vitet që vijnë.

Shkroi: NIjazi Halili

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat