Dje, më 14.02.2026, është dita e dytë e Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC), e themeluar që nga viti 1963 nga Evald-Heinrich von Kleist, luftëtar i rezistencës kundër nacional-socializmit, si një “Takim Ndërkombëtar i Studimeve Ushtarake”.
Në fillim u konceptua si një takim privat i ekspertëve dhe politikanëve perëndimorë të sigurisë për të forcuar marrëdhëniet me NATO-n gjatë Luftës së Ftohtë, ndërsa sot është zhvilluar në forumin kryesor në botë për debate mbi politikën e jashtme dhe sigurinë.
Faktikisht, dje ishte fillimi treditore i punimeve të MSC-së në Mynih (München), në Bavari, apo siç themi ne këtu në Gjermani – në Bayern.
Mbledhjen, të cilën e hapi z. Wolfgang Ischinger, jurist dhe diplomat, ish-sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme dhe ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Washington D.C. dhe Londër nga viti 2008 deri në vitin 2022, aktualisht president i Bordit të Administratorëve të Fondacionit të Konferencës së Sigurisë së Mynihut dhe që nga shkurti i vitit 2025 përsëri kryetar i po të njëjtës Konferencë, fjalën ia dha Sekretarit të SHBA-së, z. Marco Rubio.
Z. Marco Rubio, me një fjalim ekselent dhe senzacional, deklaroi se SHBA-të gjithnjë janë ngushtë të lidhura me BE-në, duke u nisur nga vetë fakti se vetë zbulimi i SHBA-ve është arritje evropiane.
Ai theksoi se nëse Amerika po insiston që Evropa të forcohet dhe të bëhet e “pavarur”, pra që kontinenti nga i cili – siç tha ai – edhe vetë amerikanët e kanë prejardhjen e tyre, të “pavarësohet”, “ndarja” e SHBA-ve nga BE-ja në këtë rast aspak nuk është duke u diskutuar.
Dhe sipas mendimit tim, në bazë të përjetimeve të përditshme, sot pothuajse kudo në botë kanë ardhur kohëra të tilla që shumica e njerëzimit vetëm “punën e vet” po e shikon, sipas motos:
– “Ndjehem mirë për ty”?!
Po ashtu, që moti – ka kohë që “ndarja”, siç po thuhet,
– “Ka hyrë në modë”?!
Tani, kur edhe fëmijët po ndahen nga prindërit (sikurse shumica prej nesh?!) dhe po largohen nga “rrënjët” e urrnës së tyre, po ndahen, por për fat të mirë nuk po shkëputen tërësisht – atëherë:
Pse Amerikës t’i shihet për të madhe (nëse mund të themi kështu?!) kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës veç po thonë se Bashkimi Evropian tani e tutje duhet që “vetëm” të ecë drejt rrugës së “PAVARËSISË” së tij?!
Andaj, BE-ja dhe SHBA-të, respektivisht funksionimi i këtyre dy kontinenteve të mishëruara, të forta dhe më të civilizuara të rruzullit tokësor, në një konstelacion si “NËNA ME FËMIJËN E SAJ”, të lidhura si kurrë më parë përmes aleancave të tyre euro-atlantike që nga viti 1949, pra NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – prej atëherë garanton stabilitetin përmes ndihmës së ndërsjellë, duke promovuar demokracinë dhe duke formuar bastionin qendror të mbrojtjes kolektive.
E nëse nisemi nga fakti se:
– “Dashuria” është e vetmja cilësi pozitive që dyfishohet duke u ndarë,
atëherë edhe “ndarja” bilaterale SHBA–BE nuk do të jetë asgjë tjetër veçse:
Fillimi i një epoke të re të njerëzimit me IA dhe një të ardhme të sigurt me kompatibilitet të popujve të dy kontinenteve, respektivisht të të gjithë popujve anëtarë të Aleancës NATO, në emër të cilësive pozitive dhe shpresës se të njëjtat, pra cilësitë pozitive, përpos ndarjes do të dy- apo shumëfishohen.
Zoti e bekoftë Aleancën NATO, së shpejti me anëtarin e ri të saj, vendlindjen time të shtrenjtë – shtetin tonë, Kosovë-Dardaninë 🙏
Sabahate Byci
Autore
14.02.2026, e shtunë, 19:27h
Gjermani