Sulmi i pabesë i një njeriu të pafytyrë!

Opinione

Sulmi i pabesë i një njeriu të pafytyrë!

Nga: Prof. Dr. Agim Vinca Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 19:28
Prof. Dr. Agim Vinca

Më 10 shkurt të këtij viti (2026), në adresën time elektronike erdhi një letër e papritur nga Amerika e largët. Më shkruante një njeri me emrin Eshref Ymeri, të cilin nuk e njoh dhe as e kam takuar ndonjëherë. Ja çfarë thoshte:

I dashur Profesor Agimi,

Juve, si një personalitet i shquar i kulturës sonë mbarëkombëtare, më lejoni t'Ju lyp një nder:

Për dijeninë Tuaj, gjatë një periudhe 20-vjeçare (2004-2024), kam pasë botuar në internet 15 ese, kushtuar Kadaresë. Këto ese i kam përmbledhur në një libër me rreth 120 faqe. Libri titullohet “Kadarea në truallin e politikës”. Siç e kam theksuar në parathënie, nuk jam marrë absolutisht me analizën e krijimtarisë artistike të Kadaresë. Jam marrë vetëm me ato raste, kur Kadarea, duke iu servilosur kryekriminelit Enver Hoxha aq shumë, i pati lejuar vetes të krijojë një korpus të tërë poetik me lëvdata tepër revoltuese, duke u bërë mbështetje e fuqishme në luftën e egër të klasave që ai kryediktator pati shpërthyer për hedhjen e shqiptarëve kundër shqiptarëve.

Nëse keni dëshirë ta lexoni librin dhe ta vlerësoni me një recension, do t’Ju jem shumë mirënjohës.

Me shumë respekt.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 09 shkurt 2025.

Kur po bëhesha gati t’i përgjigjesha letërshkruesit, për korrektësi, në adresën time arriti edhe dorëshkrimi i librit të tij. I hodha një sy, përsëri për korrektësi, madje edhe lexova pjesë prej tij dhe iu përgjigja autorit.

I nderuar zoti Eshref Ymeri,

I bëra një lexim të shpejtë librit tuaj. Ka gjëra me të cilat pajtohem, por jo pak të tjera me të cilat nuk pajtohem. Unë kam qenë edhe vetë kritik ndaj disa qëndrimeve e veprimeve të Kadaresë dhe kam bërë tre-katër artikuj (në mos më shumë), që i kam botuar në shtypin e Tiranës e të Prishtinës, si dhe në librat e mi, por juve si duket nuk ju kanë rënë në dorë. S’ka rëndësi.

Unë ju falënderoj për respektin, por jam shumë i zënë dhe nuk më premton koha (e, besa, as shëndeti) të merrem me librin tuaj në cilësinë e recensentit.

Ju uroj shëndet dhe punë të mbarë!

Nga Prishtina, A. Vinca

P. s. Ju sugjeroj që kur ta botoni librin emrin e shkrimtarit ta shkruani Kadareja (me “j” e jo Kadarea), ashtu siç shkruhen fjalët: ideja, foleja, rrufeja e të tjera të ngjashme”.

Prishtinë, 12 shkurt 2026

Kur po prisja dy fjalë, siç e donte rendi, nga ky farë Eshrefi, dikush më sinjalizoi për një artikull kundër meje në gazetën “Bota sot”. I mësuar pothuajse tashmë me gjëra të tilla, në fillim nuk i kushtova rëndësi, por kureshtja nuk më la të qetë. Hyra në portalin e “BS”-së. Kur ç’të shohësh: ishte Eshrefi, Eshref Ymeri, dora vetë, që shprehte në gazetë mllefin e refuzimit, duke hedhur baltë me të dy duart mbi mua dhe personalitetin tim. (Ndërsa në kompjuterin tim zotëronte heshtje e plotë, “miku” nga Kalifornia e paskësh përgatitur sulmin tinëzar në “Bota sot”).

Nuk dua të merrem me ato që shkruan matufi plak Eshref Ymeri, ky njeri i pafytyrë dhe shpifës ordiner. Nuk ia vlen. Shpifje dhe konstruksione fund e krye! Deri dje unë isha për të “personalitet i shquar i kulturës sonë mbarëkombëtare”, kurse tani ”servil”, ”agjent”. Çfarë metamorfoze marramendëse brenda dy ditëve, vetëm pse refuzova t’i bëhem recensent. (Dhe refuzimi im nuk ka të bëjë me qëndrimin ndaj ”kryediktatorit”, siç shpif rrogëtari i tij, por me qëndrimin ndaj Ismail Kadaresë).

Njeriu që ka drejtuar për shumë vjet përkthimet në gjuhë të huaja të veprave të Enver Hoxhës (deri në vitin 1990), nën mbikëqyrjen e Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, më quan mua ”servil i Enverit!”.

Refuzoj të hyj në debat me një njeri si Eshref Ymeri, të cilin është dashur ta injoroja që në fillim.

Pas kësaj që bëri më vjen ndoht t’ia përmendi edhe emrin. Le të vazhdojë po qe se do të rrëmojë edhe më tutje me turirin e tij në internet, këtë shpikje të madhe të njerëzimit, që ndër ne po shndërrohet në kosh plehrash, përkatësisht kontejner.

Image
Foto
Image
Foto
Image
Foto
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat