Po kritikohen afrimet e Vjosës me Ramën?
Unë i gëzohem çdo përafrimi.
Jo për arsye sentimentale, por për arsye politike. Rama si Kryeministër është çështje e popullit të Shqipërisë, para së gjithah. Ne nuk kemi nandat legjitim, përveq dëshirls së mirë për Shqpërinë, që të përzihemi në zgjedhjen e tyre. Natyrisht, i dimë episodet e së kaluarës dhe tentativat për të ndikuar në çështje të Kosovës. Por politika nuk jeton në kujtesën e djeshme; ajo lëviz me rrethanat. Dhe rrethanat kanë ndryshuar.
Bota nuk është më ajo e para dy vjetëve. Arkitektura e sigurisë në Evropë është transformuar. Aleancat po riformësohen. Presionet gjeopolitike janë shtuar.
Në këtë kontekst, vlen të lexohet me kujdes edhe fakti që Presidenti Trump e ka përmendur disa herë rolin e tij në proceset mes Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht vlerësimeve politike që mund të ketë secili për të, përmendja e përsëritur e kësaj çështjeje në forume të rëndësishme ndërkombëtare – në OKB, në Davos, në Washington – tregon se marrëdhënia Kosovë–Serbi mbetet pjesë e agjendës strategjike amerikane.
Shtetet e Bashkuara kanë një numër të madh krizash dhe prioritetesh globale. Nëse çështja jonë do të ishte periferike, ajo nuk do të rikthehej vazhdimisht në diskursin presidencial. Kjo nuk është çështje simpatie personale ndaj një lideri, por tregues i peshës që rajoni ynë vazhdon të ketë në arkitekturën e sigurisë euro-atlantike.
Në këtë situatë, çdo tension artificial mes Tiranës dhe Prishtinës do të ishte dobësi e panevojshme.
Pikërisht për këtë arsye, përafrimi institucional por edhe i të gjithë liderëve të të dyja vendeve gjatë festës së Pavarësisë nuk është thjesht gjest ceremonial. Është sinjal politik. Mund të jetë kapërcim i tensioneve të mëhershme, por mbi të gjitha është përgjigje ndaj sfidave të përbashkëta.
Ndërkohë, reagimet alarmuese në Serbi për forcimin profesional dhe armatimin e FSK-së, si dhe për koordinimin mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, kanë tensionuar diskursin atje. Historia politike e rajonit na mëson se në momente të tilla Serbia kërkon të rrisë ndikimin në proceset e brendshme të Kosovës.
Por Serbia sot përballet me kufizime të brendshme dhe ndërkombëtare. Në tryezat e dialogut nuk e ka më komoditetin e dikurshëm për të imponuar përfitime të mëdha. Kur një objektiv nuk arrihet përmes negociatës, shpesh kërkohen rrugë alternative për ta dobësuar palën tjetër.
Dhe mënyra më e lehtë për ta dobësuar një shtet të ri është përçarja e tij e brendshme.
Një krizë rreth zgjedhjes së Presidentit/es, një përplasje Albin–Vjosë, një bllokadë institucionale – do të mjaftonin për ta zhvendosur vëmendjen nga avancimi shtetëror te kriza e brendshme. Narrativat pastaj ndërtohen vetë: kapje pushteti, destabilitet, krizë demokratike.
Edhe faktori i brendshëm mund të kontribuojë në këtë, ndoshta me motive të tjera, por me rezultat të njëjtë: dobësim institucional.
Prandaj, kur them se i gëzohem çdo përafrimi, nuk e them për simpati ndaj individëve. E them sepse në këtë moment historik përçarja është luks që Kosova nuk e përballon.
Harmonia nuk nënkupton mungesë debati. Maturia nuk nënkupton heshtje. Por stabiliteti institucional është interes kombëtar, jo partiak.
Në kohë të tensionuara, uniteti është instrument mbrojtjeje, jo propagandë.
Dhe ndonjëherë, ajo që duket si gjest politik, është në të vërtetë domosdoshmëri strategjike.