Kriza e autoritetit të mesuesit dhe përgjegjësia kolektive në edukim

Opinione

Kriza e autoritetit të mesuesit dhe përgjegjësia kolektive në edukim

Nga: Astrit Metaliaj Më: 22 shkurt 2026 Në ora: 22:01
Astrit Metaliaj

Po të sjellim në kujtesë pamje dhe ngjarjet e fundit në shkolla, situata është mëse e dhimshme. Ne vijmë nga një kohë tjetër. Në një kohë kur une isha nxënës, edhe nëse mësuesi na ndëshkonte, asnjëherë nuk kishim guxim për të treguar në shtëpi, jo pse ishte e drejtë dhuna, por sepse autoriteti i mësuesit dhe mbi të gjitha i shkollës ishte i paprekshëm.

Po sot si është?

Sot kemi kaluar në një ekstrem tjetër: autoriteti i mësuesit apo dhe i shkollës është zhdukur, respekti ndaj tyre është relativizuar ku telefoni është bërë më i shpejtë se ndërgjegjja, bullizmi po futet në gjenezën e shoqërisë.

Në pedagogji, mesuesi duhet të ketë siguri institucionale bazuar në parimin e autoritetit pedagogjik. Por faktikisht edhe mësuesi nuk duhet të bëhet personi i padeshiruar apo lehte armik i nxënësit ku njeri apo tjetri të bëhet objekt i bullizmit deri tek perdorimi i dhunës.

Po ashtu në momentin kur klasa shndërrohet në ring, ule vlerat e të nxënit, humb arsimi, dhe kur humb arsimi në mënyre progresive humbet familja, si kundër pa diskutim humb shoqëria.

Cfare eshte problemi sot?një video apo një zenke mes të rinjsh.

Problemi është padiskutim, një brez që po rritet pa kufij, një prind që shpesh mbron fëmijën edhe kur gabon, dhe një mësues që ndihet i pambrojtur, i nënvlerësuar dhe i vetëm në misionin e tij te madh.

Në aspektin sociologjik shoqerite ku mësuesi humbet respektin publik, zakonisht përballet me: rënie të cilësisë në arsim, rritje të konflikteve dhe krize autoriteti dhe modeli. Mesuesi nuk duhet të jetë në pozicion mbrojtës, por në pozicion udhëheqës edukativ. Nëse ai detyrohet të mbrohet, do të thotë se hallka të tjera të zinxhirit edukativ kanë deshtuar.

Në qoftse mësuesi nuk arrin të zbatojë parimin e bashkëpunimit shkolle familje atëhere nxënësi nuk i frikësohet asgjëje, në këte moment shkolla humbet objektivin e saj, shkolla nuk është më institucion, ajo është vetëm një ndërtesë me një imazh të mbetur thjeshte në letra dhe të vendosura në sirtar.

Nuk duhet të harrojmë që sot mësuesi hyn në klasë i lodhur, i nënvlerësuar, por dhe i pambrojtur. Ndërsa nxënësi hyn në klasë i bindur se askush s’mund ta ndalë në sjelljen e tij duke mos e kuptuar se në mes të tyre nuk qëndron më dituria, por tensioni, bullizmi dhe dhuna.

Sipas teorive moderne të edukimit ‘’si ajo e Urie Bronfenbrenner - teoria ekologjike e zhvillimit’’ femija formohet nga disa sisteme: familja, shkolla dhe shoqeria. Dhe kur mësuesi detyrohet të mbrohet, kemi dështuar të gjithë: familja, shkolla, shoqëria. Atehere nëse nuk i dalim sot në krah mësimdhënies, nesër do të kemi shkolla me mure por pa edukim.

Ta mbrojmë mësimdhënien duke rikthyer rolin dhe respektin tek mesuesi. Sepse një shoqeri që nuk mbron mësuesin, nuk mbron të ardhmen e saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat